Ligji i importit të plehrave dëmton vendin e të ardhmen në BE -Pikat kryesore të studimit

Ligji i importit të plehrave dëmton vendin e të ardhmen në BE -Pikat kryesore të studimit

Një grup ekspertësh shqiptarë dhe gjermanë, pas një studimi të gjatë, kanë arritur në përfundimin se miratimi i ligjit të importit të plehrave në Shqipëri do të ishte i dëmshëm për vendin, ndaj nuk rekomandohet të miratohet.

Studimi, i inicuar nga Lulzim Baumann, inxhinier mjedisor dhe Fondacioni gjerman Marion Dönhoff, bazohet në analizimin e projektligjit aktual që pritet të miratohet, në intervista me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe në analizimin e një sërë faktorësh që do të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në zbatimin e ligjit.

Studimi thekson, ndër të tjera se  nuk është e rekomandueshme që ky projektligj të miratohet, pasi  ekziston rreziku i lartë që leja për importimin e llojeve të caktuara të mbetjeve jo të rrezikshme, siç parashikohet në ligjin nr. 92/2016, do të rrisë në të njëjtën kohë importimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri pasi mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit mund të anashkalohen relativisht lehtë.

Disa nga përfundimet kryesore të studimit janë:

– Lejimi i importit të mbetjeve në këtë pikë ka të ngjarë të dëmtojë ambiciet e Shqipërisë per anëtaresimin në BE pasi do ta bëjë më të vështirë që ajo të përmbushë kriteret kryesore të “Luftës kundër Korrupsionit” dhe “Luftës kundër Krimit të Organizuar”, si dhe Standardet e BE-së për mjedisin dhe shëndetin publik.

 – Shumë vendimmarrje, sipas projektligjit, janë të përqendruara në duart e Ministrit të Mjedisit dhe të  Financave (vendimet për licencimin, monitorimin, autorizimet e kontrolleve, aktet nënligjore, etj.).

 – Skaneri në portin e Durrësit nuk mund të zbulojë lidhjet shumë helmuese, komponimet kimike, drogat ose azbestet, por vetëm eksplozivë dhe mbetjet bërthamore.

 – Rreziqe shtesë lindin nëse stafi në doganë është i prirur ndaj korrupsionit, pasi ka shumë mundësi për të kalaur importet ilegale dhe për të manipuluar sistemin e kontrollit doganor, p.sh. duke manipuluar dokumentet e ngarkesës, duke keqinterpretuar me qëllim ose duke neglizhuar praninë e objekteve të dyshimta në vlerësimin e imazheve të skanerit, ose duke manipuluar të dhënat e imazhit të skanerit.

 – Importet ilegale të mbetjeve të rrezikshme do të kenë pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin publik dhe për ekonominë (bujqësia, turizmi) dhe mund të ngarkojë buxhetin kombëtar me kosto të larta të pastrimit dhe rehabilitimit.

 – Ndëshkimet që parashikohen në projektligj janë shumë të ulëta për të dekurajuar në mënyrë efektive krimin e organizuar.

 – Formulimi i fjalive në projektligj shpesh është tepër i paspecifikuar (p.sh. është e nevojshme të përcaktohet “Lista e Gjelbër” si “Lista e Gjelbër e BE-së” apo bëhet fjalë për diçka tjetër?).

 – Projektligji mund të dobësojë përpjekjet kombëtare për riciklim, pasi nuk përmban stimuj për riciklimin kombëtar.

Ky studim i është vënë në dispozicion  Citizens Channel dhe të plotë mund ta lexoni këtu.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz