Shkarkohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako

Shkarkohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako u shkarkua sot nga detyra. Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe u miratua nga Këshilli i Ministrave.

Sipas materialit të shpërndarë nëpër media, Ministri Xhafaj e ka justifikuar shkarkimin e Çakos me nevojën për energji të reja në polici:

“Realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.

Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.

Puna […] duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.”

Në vend të Çakos, Ministri Xhafaj ka komanduar Rebani Jaupin, që deri më tani ka qenë zëvendësdrejtor i Policisë.

Haki Çako u emërua Drejtori i Përgjithshëm i Polisicë së Shtetit në prill 2015, pas dorëheqjes së Artan Didit. Më parë ai ka mbajtur detyrën e zëvendës drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Përvojën më të gjatë Çako e kishte në Policinë Kriminale dhe Hetimin e Krimeve dhe një ndër operacionet më të famshme të tij ishte ai i ndërhyrjes në Lazarat, gjatë mandatit Rama-Meta.

Një prej skandaleve ende të pazbardhura të Haki Çakos gjatë detyrës, është përdorimi i pajisjes së përgjimit IMCI-Catcher.

Në qershor 2016, Haki Çako u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi u akuzua nga prokuroria se në bashkëpunim, ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga Prokurori i Përgjithshëm.

Por pak ditë pas këtij vendimi, Zoti Çako u rikthye në detyrë me vendim të Gjykatës së Apelit, megjithëse në tre marrjet në pyetje nga prokuroria, Çako ka dhënë tre dëshmi të ndryshme duke rritur edhe më shumë dyshimet për shpërdorim detyre.

Gjithsesi, çështja e pajisjes përgjuese, ku përfshihej dhe ish-ministri Tahiri, tashmë i akuzuar për bashkëpunim në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, është ende e pazbardhur.

 



Lini një koment

1 Koment për "Shkarkohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako"

avatar
trackback

[…] Drejtori i sapo shkarkuar i Policisë së Shtetit Haki Çako ka qenë një prej figurave më të sulmuara nga opozita, e njëkohësisht më të mbrojtura nga Qeveria Rama. […]

wpDiscuz