Dosja e Xibrakës, lirohet nga burgu një prej të dënuarve

Dosja e Xibrakës, lirohet nga burgu një prej të dënuarve
Pamje nga laboratori i kokainës në Xibrakë

Gjykata e Krimeve të Rënda liroi sot nga burgu Kelmend Dalipin, i arrestuar dhe dënuar për çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Sipas informacioneve të deritanishme, vendimi i gjykatës është marrë pasi i dënuari vuan nga një sëmundje e rëndë.

Kelmend Dalipi u arrestua në fillim të vitit 2015, së bashku me vëllain e tij, Arjan Dalipin, pasi ishin pronarët e magazinës ku ishte instaluar laboratori për përpunimin e kokainës.

Megjithëse të dy vëllezërit e kanë mohuar se kishin dijeni për veprimtarinë kriminale që zhvillohej në magazinën e dhënë me qira, gjykata e dënoi Kelmend Dalipin me 11 vite burgim. Ky dënim u ul më pas nga Gjykata e Apelit, përmes kërkesës për gjykim të shkurtuar, në 7 vite e tre muaj burg.

Ndërkohë të dënuarit e tjerë për çështjen e Xibrakës, shqiptarët Ermal Hoxha, Ilir Hyseni, Arjan Dalipi, Genci Xhixha,  Gentjan Gjonaj, Sajmin Batku dhe dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno, do të vazhdojnë të vuajnë dënimin në burg.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz