TAP jep ecurinë e punës: Përfundojmë në 2018-ën

TAP jep ecurinë e punës: Përfundojmë në 2018-ën

Gazësjellësi TransAdriatik TAP ka publikuar sot të dhënat për ecurinë e punimeve deri ne fund të vitit 2017.

Kur ka mbetur vetëm një vit nga përfundimi i shtrimit të gjithë tubacionit, , deri në fund të vitit 2017 janë shtruar  në total 878 kilometra prej të cilave, 550 kilometra në Greqi, 215 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në Detin Adriatik dhe 8 kilometra në Itali.

Investimi i plotë për ndërtimin e TAP në Shqipëri është 1,5 miliardë euro, duke u bërë kontribuesi më i madh në stokun e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Për projektin TAP në Shqipëri aktualisht punojnë 2200 persona dhe 84 për qind prej tyre janë shqiptarë.

Kur ka përfunduar rreth 90 për qind e punës, viti 2018 do të jetë viti i fundit i punimeve. Gjatë vitit 2019 do të bëhen testimet e para, ndërsa në vitin 2020 pritet të nisë veprimtaria dhe sasia e parë e gazit të mbërrijë në Evropë.

TAP është pjesë e korridorit Jugor të Gazit dhe projekti më i rëndësishëm energjitik për BE-në. Ndërtimi i gazsjellësit do të furnizojë vendet e BE-së me gaz nga Azerbaxhani me qëllim uljen e importit të gazit nga Rusia.

TAP do të lidhet më gazsjellësin Trans—Anatolian (TANAP) në kufirin e Greqisë me Turqinë, më pas duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik do të përfundojë në brigjet e Italisë së Jugut.

Përfshirja e Shqipërisë në këtë projekt, e ka përfshirë vendin në hartën evropiane të energjisë. Përfundimi I punimeve dhe investimit është një lajm I keq për Shqipërinë dhe qeverinë, e cila duhet të thithë investime të reja të huaja.

Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjensia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s. Këto institucione, ndër të tjera rekomandojnë dhe zbatimin e reformave, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës dhe forcimin e institucioneve si faktorë që do të përmirësojnë ndjeshëm klimin e biznesit, do të tërhiqnin investime të reja dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz