Qeveria Rama “harron” të propozojë gjyqtarë për në gjykatën e Strasburgut

Qeveria Rama “harron” të propozojë gjyqtarë për në gjykatën e Strasburgut
GJykata e Strasburgut

Qeveria Rama vazhdon të injorojë faktin se ka lënë ende të lirë vendin e gjyqtarit shqiptar në gjykatën më të lartë evropiane, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.

Që nga gushti 2016, qeveria shqiptare ka propozuar dy lista të ndryshme me nga tre kandidatë për të zëvendësuar gjyqtarin aktuar që përfaqëson Shqipërinë, Ledi Bianku, i cili u emërua pranë GJEDNJ më 1 shkurt 2008.

Afati 9-vjeçar i zotit Bianku përfundoi zyrtarisht më 1 shkur 2017.

Që prej vitit 2016, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), e cila zgjedh gjyqtarët e GJEDNJ-së, ka hedhur poshtë propozimet e qeverisë shqiptare. Siç Exit ka raportuar dhe më herët, afati i fundit për përpjekjen e tretë të qeverisë për të propozuar 3 emra, ishte 31 gusht 2017, një afat që u humb nga qeveria.

Tani duket se qeveria tani po tregon “mungesë totale vullneti” për të zgjedhur një gjykatës të ri në Gjykatën e Strasburgut.

Ky është rasti i parë në historinë e Gjykatës së Strasburgut që një vend dështon të zgjedhë gjykatësin e tij në Gjykatën e Strasburgut edhe pas tre raundesh.

Edhe me dy refuzimet e para, Shqipëria kishte hyrë në një grup të vogël vendesh kandidaturat e të cilit ishin refuzuar dy herë rrjesht nga PACE. Tani, Shqipëria ka bërë histori duke qenë i vetmi vend që ka dështuar tre herë.

Secili shtet anëtar i Këshillit të Evropës lejohet të ketë një gjyqtar në GJEDNJ, i cili përfshihet në rastet që kanë të bëjnë me atë vend. Vonesa e qeverisë shqiptare në propozimin e tre kandidatëve të përshtatshëm ngadalëson gjithashtu shqyrtimin  e rasteve shqiptare në GJEDNJ, fakt që mund të funksionojë në favor të qeverisë.

Vonesa mund të jetë kështu një taktikë e qëllimshme, duke zvarritur rastet gjyqësore që e di se do të rezultojë në një vendim “të pafavorshëm” për qeverinë, siç janë rastet e dëmshpërblimeve të familjeve të ish-pronarëve të tokave, dëmshpërblime që kapin shifra në disa milionë euro.

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz