Marrëveshje mes naftëtarëve e kompanisë, Gjiknuri e Ahmetaj heqin përgjegjësinë nga vetja

Marrëveshje mes naftëtarëve e kompanisë, Gjiknuri e Ahmetaj heqin përgjegjësinë nga vetja

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj kanë siguruar naftëtarët për pagesën e plotë nga kompania të rrogës së muajit nëntor dhe vazhdimin e bisedimeve me kompaninë, për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë.

Pas disa orë bisedimesh mes ministrit Gjiknuri, ministrit Ahmetaj, naftëtarëve që protestuan dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Naftëtarëve, administrator i kompanisë premtoi se do të marrë kredi për të shlyer rrogat e muajit nëntor:

“Pas një takimi me dy ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj, u vendos të dëtyrohet administratori i kompanisë të marrë një kredi dhe të shlyejë rrogat tona nesër në orën 1”, u shpreh kreu i sindikatës së naftëtarëve Kamber Iliazi.

Megjithatë, naftëtarët, duke patur parasysh neglizhencën ndaj protestave të tyre gjatë gjithë këtij viti, u shprehën se nëse nuk marrin rrogat deri nesër, do të rinisin sërish protestat.

Si ministri Ahmetaj, ashtu dhe ministri Gjiknuri u shprehën se rafineria është nën pronësinë dhe menaxhimin e një kompanie private Ionian Refining and Trading Company (IRTC), ndaj çdo detyrim ligjor bie mbi kompaninë dhe jo mbi institucionet shtetërore.

Deklarata e tyre duket se paralajmëron se në të ardhmen institucionet shtetëore nuk do të ndërhyjnë më në zgjidhjen e problemeve mes kompanisë e naftëtarëve, megjithëse kompania që do ka marrë me qira rafinerinë është përzgjedhur nga shteti, dhe është reklamuar si shpëtimtare për rafinerinë, duke premtuar miliona euro investime dhe përmirësim të kushteve të punës.

Siç e kemi sqaruar dhe këtu, pagat e naftëtarëve nuk janë paguar për shkak se kompania Ionian Refining and Trading Company (IRTC), që ka me qira rafinerinë shtetërore ARMO është në vështirësi financiare, pasi rafineria ka punuar me kapacitet të ulët për muaj.

IRTC, në pronësi të Harry Sargeant III, mori rafinerinë në nëntor 2016 dhe u reklamua nga qeveria shqiptare si shpëtimtari i rafinerisë. Sidoqoftë, as kushtet e punës dhe as kushtet financiare për punëtorët nuk janë përmirësuar.

Edhe pse IRTC ka dështuar të paguajë pagat dhe siguracionet e punëtorëve të naftës, ajo ende arriti që në fillim të këtij viti të investonte 1.3 milionë euro në një kompani kanadeze të naftës, Pennine Petroleum, e cila kohët e fundit mori një koncesion nga qeveria shqiptare për të bërë shpime e gërmime për naftë.

Mbetet e paqartë se si IRTC, e cila aktualisht nuk është në gjendje të blejë më shumë naftë nga Bankers Petroleum për ta përpunuar në rafinerinë në Ballsh, do të ishte në gjendje të merrte naftën nga Pennine Petroleum, nëse kjo kompani do të arrinte të nxirrte naftë nga gërmimet.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz