Çështja Balili, ku bazohet prokuroria për kërkesën për sekuestrimin e pasurive?

Çështja Balili, ku bazohet prokuroria për kërkesën për sekuestrimin e pasurive?

Sekuestrimi i pasurive të vëllezërve Balili në Sarandë, nën dyshimin se janë krijuar me paratë e aktivitetit kriminal të Kelmend Balilit, ka sjellë reagimin e dy vëllezërve të tjerë që mohojnë këtë fakt.

Në nëntor 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e 39 pasurive të ndryshme të familjes Balili, , ku përfshihen toka, apartamente si dhe hoteli ‘Santa Quaranta’ në Sarandë, i cili u inagurua në prani të disa zyrtarëve të lartë të maxhorancës qeverisëse në gusht 2015.

Gazetari Elton Qyno, në një artikull për Reporter.al, sqaron lidhjet dhe veprimet e pjestarëve të familjes Balili që kanë sjellë sekuestrimin e pasurive:

“Më 3 prill 2016, Alma Balili, bashkëshorte e Kelmend Balilit, regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë me emrin tregtar ‘Santa Quaranta’ me objekt veprimtarie Hotel, Bar Kafe, Restorant dhe me kapital themeltar 100 lekë.

Një muaj më vonë, në maj 2016, një operacion masiv antidrogë i policisë greke në bashkëpunim me agjencinë amerikane të luftës kundër drogës DEA, solli shpalljen në kërkim të Kelmend Balilit, 44 vjeçarit që në këtë kohë mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor dega Sarandë.

Në korrik 2016, kohë kur fati i Kelmendit ishte i paqartë pasi autoritetet shqiptare nuk prononcoheshin nëse ai ishte apo jo i shpallur në kërkim, Alma e çregjistroi kompaninë Santa Quaranta.

Sipas prokurorisë, veprimet e Alma Balilit me pronat e familjes lidhen me faktin se bashkëshorti i saj Kelmendi është i shpallur në kërkim si i hetuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, si dhe sipas kërkesës së sekuestros së prokurorisë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, kompania në fjalë tregon lidhjen mes të shpallurit në kërkim Kelmend Balili dhe resortit luksos të njohur si Santa Quaranta, një pronë shumëmilionëshe, e cila është nën pronësinë e kompanisë Balili-KO, ku aksioner i vetëm është Bashkim Balili, vëllai i Kelmendit i cili nuk përballet me asnjë akuzë.

Bashkim Balili, në një lidhje telefonike me BIRN, e mohoi përfshirjen e Kelmendit në pronësinë e hotelit luksoz:

“Alma Balili ka një dyqan floktore në Sarandë, që nxjerr vetëm bukën e gojës dhe asnjë gjë me shumë. Këtë jua them me shumë bindje. Ndërsa për hotelin, sërish jua them me shumë bindje se në këtë pronë nuk ka asnjë lidhje vëllai im, Kelmend Balili dhe gruaja e tij. Kelmendi është shpirti im, është vllai im, për të marr dhe pushkën, por këtë pronë e ka Bashkim Balili.”

Lidhja tjetër e gjetur nga prokuroria është një kredi bankare e marrë nga Bashkim Balili me vlerë 500 mijë euro në të cilin, Kelmendi rezulton dorëzanës.

Një lidhje e tretë e dalluar nga prokuroria, e cila dyshon se një pjesë e madhe e pronave të familjes janë krijuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal i Kelmendit, është një kontatë shit-blerjeje aksionesh mes Alma Balilit, bashkëshortes së Kelmendit me Hektor Balilin, vëllain tjetër të familjes. Sipas kontratës, Alma bleu 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Balili Security” përkundrejt shumës 2.5 milionë lekë, transaksion i kryer më 5 tetor 2015. Më 20 prill 2016, Alma ia transferoi aksionet pas Hektorit përmes një kontrate dhurimi.

Financierja dhe kontabilistja e kompanisë “Balili&Co”, Alba Hodaj i tha BIRN se kjo shitje është bërë me qëllim që Alma Balili të kishte një biznes në Shqipëri, me qëllim sigurimin e një vërtetimi, që do e fuste në dosjen e të birit, pasi djali do konkurronte në një shkollë në Angli.

Pavarësisht kësaj, prokuroria nuk duket e bindur. Konkluzioni i prokurorisë është që pasuritë që gjenden nën emrin e Kelmend Balilit “janë të fituara përpara përfshirjes së tij në aktivitetin kriminal, ndërsa shumica e pasurive është e regjistruar në emër të vëllai të tij Bashkim Balili”.

Prokuroria del në konkluzionin se nga të 39 pasuritë e vendosura në sekuestro dhe që i përkasin kryesisht Bashkim Balilit, “një pjesë janë krijuar pas përfshirjes të të hetuarit në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike”.

Prokuroria e argumenton më tej kërkesën e sekuestros me konkluzionin se “nga hetimi provohet se këta të fundit dhe familjarët e tyre nuk kanë të ardhura të cilat mund të justifikojnë një pasuri të tillë”.

Prokuroria e argumenton kërkesën e saj për sekuestro pjesërisht me dyshimin se pronat mund të tjetërsohen në rast se ato nuk sekuestrohen. Sipas prokurorisë, ka një lidhje mes hapjes së hetimeve ndaj Kelmend Balilit dhe veprimeve të Alma Balilit për të mbyllur kompaninë Santa Quaranta dhe për të dhuruar aksionet e Balili-KO.

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz