Pas të jatit të dënuar, tani edhe i biri merr koncesion nafte

Pas të jatit të dënuar, tani edhe i biri merr koncesion nafte

Në verën e vitit 2016, gjatë ceremonisë së rihapjes së rafinerisë së naftës së ARMO-s në Ballsh, Ministri i Financave Arben Ahmetaj njoftoi “investime” të mëtejshme në puset e naftës në jug të Shqipërisë.

Ditët e fundit, më 23 nëntor, qeveria miratoi një Marrëveshje për Ndarjen e Prodhimit (PSA) të Albpetrol me kompaninë e regjistruar në kanada Pennine Petroleum, e cila ka fituar koncesionin për të drejtat për zhvillimin e Bllokut të Velçës. Koncesioni ka afat 6 vjeçar, me mundësinë për t’u shtrirë deri në 25 vite, në rast se gjatë punimeve gjenden burime të reja nafte.

Në Bordin e Drejtorëve të Pennine Petroleum bën pjesë një person i quajtur Harry Sargeant IV, djali i Harry Sargeant III. Ashtu si i ati i tij, Sargeant  IV është pjesë e kompanisë Ionian Refining & Trading (IRTC), investitori që aktualisht ka “marrë me qera” rafinerinë e ARMO-s dhe që nuk paguan prej kohësh naftëtarët e nuk mbulon sigurimet e tyre të detyrueshme. Ai nuk ka bërë asnjë investim në rafineri dhe për rrjedhojë kushtet ku punojnë naftëtarët janë të vështira dhe të rrezikshme.

Në të kaluarën, Sargeant  III, i ati i Sargeant IV ka qenë i përfshirë në konflikte ligjore, skema korrupsioni, dhe—sipas Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së—është përfshirë dhe në “formën më të keqe të spekulimit për përfitime nga lufta”, e cila është edhe arsyeja që përse Harry Sargeant III u fut në listën e zezë të qeverisë amerikane.

Sargeant IV u emërua në bordin e Pennine Petroleum në maj 2017, si pjesë e një marrëveshje për një kredi prej 2 milion dollarësh kanadezë (rreth 1,3 milion euro) që kompania kishte marrë nga IRTC, kompania e babait të Sargeant IV. Huaja erdhi pas zbulimit të një depozite të vlerësuar në 35,5 milionë fuçi nafte në Bllokun e Velçës. Pritet që eksplorimi i mëtejshëm të kushtojë rreth 500 mijë dollarë kanadezë. Në këmbim, Sargeant IV mori 500,000 opsione aksionesh, duke ditur se Pennine Petroleum së shpejti do të merrte një marrëveshje me qeverinë shqiptare.

Siç tregon në një intervistë vetë Sargeant IV, nafta e nxjerrë nga Blloku i Velçës do të përpunohet në rafineritë e Fierit dhe Ballshit, të cila administrohen nga IRTC, duke shtuar humbjet dhe borxhet gjithnjë në rritje të ARMO-s, e cila ja ka dhënë rafinerinë IRTC-së me qira nën kosto.

Sipas të dhënave nga QKR, Pennine Petroleum hapi një degë në Shqipëri më 28 shtator 2017 nën emrin Pennine Petroleum Albania. Çuditërisht, në dokument shkruhet se Sargeant IV u emërua në bordin e drejtorëve më 18 shtator 2001, dhe jo në maj 2017 sikurse është e vërteta.

Në përgjigje të pyetjeve të shqetësuara të investitorëve në lidhje me përfshirjen e Sargeant III dhe IV në Pennine Petroleum, stoku i të cilave ka rënë që nga ndryshimet e majit 2017, përfaqësuesi i Pennine Dean Stuart deklaroi:

“Harry III është babai / Harry IV është i biri – Zoti Sargeant është zëvendës president i Global Oil Management Group Ltd. (GOMG), korporatë ndërkombëtare e naftës me qendër në Florida. GOMG, nëpërmjet degës së saj Ionian Refining & Trading Company Ltd (IRTC) është një firmë pararojë e pavarur energjitike me veprimtari në Shqipëri, si dhe në Teksas dhe Alabama.

Pennine ka një linjë kreditimi me kompaninë Ionion Refining & Trading Company.

Sa i përket akuzave dhe postimeve të mëparshme, bëni vlerësimet tuaja. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me planet tona për zhvillim në Evropën Lindore, e cila është e fokusuar në projektin Velca në Shqipëri.”



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz