Kur Maliqi bën edhe ligjin: Shkatërrimi i konceptit të shtetit ligjor

Kur Maliqi bën edhe ligjin: Shkatërrimi i konceptit të shtetit ligjor
Kryeministri Edi Rama

Në horizontin politik duket se po shfaqet një krizë e re politike që lidhet me zgjidhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm.

Situata konkrete është e thjeshtë: Kushtetuta e Shqipërisë, pas ndryshimeve në kuadër të reformës në drejtësi, përcakton se Prokurori i Përgjithshëm (PP) duhet të zgjidhet me votat e tre të pestave të Kuvendit, pasi të gjitha kandidaturat të jenë vlerësuar dhe renditur më parë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Por shumica parlamentare, PS dhe LSI, miratoi në tetor 2016 një ligj për funksionimin e sistemit të prokurorisë, në të cilin vendosi që nëse kushtet që përcakton Kushtetuta për zgjedhjen e PP të ri janë të pazbatueshme, për shkak të periudhës kalimtare mes përcaktimeve të vjetra dhe të reja kushtetuese, atëhere duhet zgjedhur një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm (i papërmendur në Kushtetutë) me anë të një formulë zgjedhjeje, e cila bie ndesh si me përcaktimet edhe me frymën e Kushtetutës dhe të reformës në drejtësi për zgjedhjen e PP.

Neni 109, pika 2 e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, përcakton:

Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.

Kjo situatë e parashikuar në ligj nga PS dhe LSI një vit e ca më parë ka ndodhur (ose është krijuar qëllimisht, sikurse spekullohet nga opozita). Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ka përfunduar, ndërkohë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që duhet të administrojë procesin e zgjedhjes së prokurorit të ri nuk është formuar ende, edhe pse kanë kaluar një vit e gjysëm nga miratimi i reformës në drejtësi.

Çdo gjë ka mbetur në vend sepse në përbërjen e KLP-së është parashikuar një përfaqësues i shoqërisë civile (çfarëdo domethënie pastë termi “përfaqësues në këtë rast”). Edhe pse janë bërë tre thirrje publike dhe është hapur procesi për tërheqjen e kandidaturave ose nuk ka aplikaur asnjë përfaqësues i shoqërisë civile ose aplikantët nuk kanë përmbushur kushtet për anëtar të KLP-së. Si rezultat, një nga institucionet themelore të parashikuara nga reforma në drejtësi për menaxhimin e sistemit të drejtësisë mbetet i paformueshëm dhe askush nuk di të thtoë se kur dhe si do të zhbllokohet situata.

Në këto kushte, shumica socialiste është e vendosur të zgjedhë me shumicë të thjeshtë një prokuror të përgjithshëm të përkohshëm i cili do të shërbejë deri sa të krijohet KLP dhe pastaj ky këshill të menaxhojë procesin e zgjedhjes së PP të ri.

Por socialistët duket se janë të vetëdijshëm se një zgjedhje e tillë është lehtësisht e sulmueshme si kapje e sistemit të prokurorisë nga Kryeministri Rama, veçanërisht në kushtet kur prokuroria ka hapur një sërë hetimesh shumë të rëndësishme për përfshirjne e Saimir Tahirit, funksionarëve të tjerë të lartë socialistë dhe krerëve të policisë në trafikimin e drogës.

Për këtë arsye, kryeministri Rama ka zgjedhur që t’i japë kësaj formule zgjedhjeje “bekimin” ndërkombëtar për ta shitur atë jo siç eshtë, një akt kryekëput i prjektuar dhe zbatuar prej shumciës socialiste, por si një veprim që ka miratimin e ndërkombëtarëve të panshëm dhe objektivë.

Me këtë synim, Kryetari i Komisionit të Ligjeve i kërkoi disa javë më parë një opinion misioneve të OPDAT dhe EURALIS në Shqipëri për të interpretuar ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhjen e PP-së në kushtet aktuale. Është e paqaratë se mbi çfarë baze ligjore është bërë një kërkesë e tillë, kur i vetmi institucion që mund të bëjë interpetim të ligjeve dhe Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese.

Sidoqoftë, këto misione dhanë një “opinion” që konfirmonte se Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm mund të zgjidhet me shumicën e deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit në momentin e votimit, pra, teorikisht do majftonin 36 deputetë—që një seancë të zhvillohet në sallë duhet të jenë të pranishëm (kuorumi) shumica e numrit total të deputetëve, pra minimalisht 71 deputetë; në një rast të tillë vendimet me shumicë kërkojnë minimalisht 36 deputetë.

Opinioni i OPDAT dhe EURALIS është shkruar në një gjuhë aspak profesionale dhe ka kapërxyer çdo status të këtyre misioneve, por kjo pak rëndësi, pasi opinioni është kërkuar dhe dhënë si mjet politik dhe jo teknik. Politikisht, tani shumica socialiste ka neë doreë dy argumenta për të justifikuar emërimin e njëanshëm të prokurori të përgjithshëm të përkohshëm: argumentin e zbatimit të ligjit, dhe intepretimin e OPDAT dhe EURALIS mbi ligjin.

Dhe ODPAT, EURALIS edhe kryetari i grupit socialist Taulant Balla janë shprehur qart: ligji nuk lë asnjë hapësirë për të vepruar ndryshe, duhet zgjedhur një prokuror i përgjithshëm i përkohshëm me shumicë të thjeshtë.

E thënë ndryshe, një ditë Taulant Balla dhe socialistët bëjnë një ligj sipas interesit të tyre dhe të nesërmen betohen për ligj duke u mburrur që askush nuk mund te ngrihet mbi ligjin. Pra, Maliqi e bën vet ligjin dhe nuk ka nevojë të thotë “ja ligji, ja dhe Maliqi” sepse Maliqi është edhe ligji.

Natyrisht, socialistët nuk duan të konsiderojnë diçka të thjeshtë: me të njejtën lehtësi që miratuan vetë ligjin për prokurorinë, edhe pse ai u kundërshtua nga opozita, mund ta amendojnë atë për të lejuar një zgjidhje jo të njëanshme.



Lini një koment

2 Komente për "Kur Maliqi bën edhe ligjin: Shkatërrimi i konceptit të shtetit ligjor"

avatar
trackback

[…] Exit.al ka shpjeguar më parë këtu dhe këtu, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm nga Kuvendi me shumicë të […]

trackback

[…] E gjithë procedura e zgjedhjes së kryeprokurorit të përkohshëm është bërë në shkelje të kushtetutës. Për më tepër mund të lexoni këtu. […]

wpDiscuz