Nis transmetimin Elementi i Pestë me investigimin e parë për shkatërrimin e Parkut të Karavastasë

Nis transmetimin Elementi i Pestë me investigimin e parë për shkatërrimin e Parkut të Karavastasë

Ndërtimi i rezorit turistik “Divjakë Albania”, nga kompania Mabatex Group, që rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të mënyrë të pakthyeshme florën dhe faunën e Parkut të Divjakë-Karavastasë, do të jetë në fokus të një dokumentari investigative, realizuar nga gazetari Artan Rama dhe ekipi i tij i bashkëpunëtorëve.

Dokumentari “Super resorti që rrezikon Parkun Kombëtar” do të transmetohet nesër, më 7 dhjetor, në faqen zyrtare të nismës më të re të grupit të gazetarëve e aktivistëve, elementiipeste.al.

“‘Mabetex’, kompania e Behgjet Pacollit, kërkon të ndërtojë një resort turistik në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Qeveria shqiptare ka lejuar që kompania të çelë procedurat për marrjen e lejeve.

Inisiativa po kundërshtohet prej ambientalistëve, konservatorëve të mjedisit, aktivistëve e një pjese të shoqërisë civile.
Brenda Parkut shtrihet Laguna e Karavastasë e cila strehon të famshmin “Pelikanin kaçurrel”. Pyjet, Godullat, kallamishtet dhe shkurrishtet kënetore përbëjnë një mjedis të shkëlqyer për mijëra shpendë migratorë dhe kafshë të egra.

A rrezikon ndërtimi të ardhmen e tyre, parkun në tërësinë e tij?” shkruan Elementi i pestë lidhur me investigimin për Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë.

Ekipi i Elementit të pestë përbehet nga gazetari dhe regjizori i pavarur Artan Rama, studiuesja e shkencave politike Evi Veliu, biologia dhe aktivistja Mikaela Mahilaj dhe Alban Sipri ekspert i teknologjisë multimediale.

Dokumentari mbi shkatërrimin e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është i pari i nismës Elementi i pestë.

Elementi i Pestë do të prodhojë në vazhdimësi dokumentarë hulumtues, me premisën dhe pyetjen kryesore: si mund ta përmirësojmë mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria?

Nisma e Ramës, Veliut, Mahilajt dhe Siprit është një përpjekje për të raportuar mbi rreziqet që u kanosen burimeve natyrore, pasurisë tonë të përbashkët dhe të përhershme.

Një pjesë e ekipit të Elementit të pestë kanë ideuar dhe prodhuar më parë emisionin investigative Publicus.

Emisioni investigativ ‘Publicus’ transmetohej në Vizion Plus TV përpara se të mbyllej në mënyrë të papritur në tetor 2016, në prag të publikimit të një materiali mbi vdekjen tragjike të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Investigimi për vdekjen e Ardit Gjoklajt, një prej çështjeve më të errëta dhe të pazbardhur akoma ku përfshihet dhe Kryebashkiaku Veliaj, pas censurimit nga Vizion Plus, u publikua online, në faqen zyrtare të Publicus në Facebook.

Edhe kësaj radhe për t’i shpëtuar censurës nga media private, autorët e Elementit të pestë kanë vendosur t’i publikojnë investigimet e tyre online.



Lini një koment

1 Koment për "Nis transmetimin Elementi i Pestë me investigimin e parë për shkatërrimin e Parkut të Karavastasë"

avatar
trackback

[…] “Super resorti që rrezikon Parkun Kombëtar” u transmetua për herë të parë më 7 dhjetor, në faqen zyrtare të Elementit të Pestë, një nismë e një […]

wpDiscuz