Sofistikimi i krimit në Shqipëri, nga luftë ndaj shtetit në bashkëpunëtorë të tij

Sofistikimi i krimit në Shqipëri, nga luftë ndaj shtetit në bashkëpunëtorë të tij

Grupet kriminale në Shqipëri po sofistikohen gjithnjë e më tepër duke rritur ndjeshëm ndikimin e tyre në institucionet shtetërore dhe në shoqëri. Përfshirja në biznese në dukje të ligjshme, financimi i zgjedhjeve,  dhe përfshirja në politikë-bërje janë vetëm disa nga treguesit e fuqizimit dhe sofistikimit të krimit të organizuar në vend.

Këto janë disa nga përfundimet e studimit “Evolimi i strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri” i studiuesve Fabian Zhilla dhe Besfort Lamallari, financuar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Tiranë.

Studimi ofron një analizë të strukturave kriminale në vend dhe ndryshimeve që ato kanë pësuar nga viti 1990 deri në vitin 2015. Studiuesit kanë analizuar 71 vendime të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, kanë kryer 84 intervista dhe kanë analizuar 5 raste studimore mbi grupe specifike kriminale në Shqipëri.

Studimi nxjerr në pah se thuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit ka grupe të strukturuara kriminale, të cilat kanë kontroll mbi territoret lokale dhe përfshihen në trafikun e narkotikëve, gjobvënie dhe mbledhje borxhesh me forcë.

Në ndryshim nga më parë, vitet e fundit vihet re se bandat shqiptare e kanë zgjeruar territorin ku veprojnë, nga zona lokale në shtrirje kombëtare dhe, tashmë, jashtë vendit, veçanërisht për trafikun e lëndëve narkotike.

Një aspekt i dukshëm i sofistikimit të organizatave kriminale është integrimi i të ardhurave kriminale në biznese të ligjshme dhe përfshirja e tyre në politikë-bërje.

Krimi i organizuar përdor biznese të ligjshme si “fasadë” mbrojtëse për të fshehur dhe maskuar aktivitetin dhe të ardhurat nga trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera.

Ndërkohë, në ndryshim nga më parë, tani bandat kriminale nuk e godasin më politikën dhe institucionet shtetërore. Përkundrazi, krimi ka krijuar lidhje të forta me segmente shtetërore, duke ndikuar si në politikën lokale, edhe atë qendrore.

Lidhur me veprimtarinë e grupeve kriminale në qytete, në studim theksohet:

 – Në qytetin e Tiranës aktualisht mendohet të veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme të strukturuara të cilat kanë një shtrirje kohore shumëvjeçare të aktivitetit kriminal.

 – Në qytetin e Shkodrës dyshohet se veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë kryesisht në trafikun e narkotikëve, armëve dhe qenieve njerëzore. Ky rreth mund të zëvendësojë “Lazaratin” dhe të kthehet në “hambarin” e ardhshëm të rritjes së kanabisit.

 – Në qytetin e Durrësit diskutohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi, dhe ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre.

 – Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri.

 – Në qytetin e Beratit dyshohet se kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.

 – Vrasjet e shumta në qytetin e Vlorës dyshohet se kryen për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE kryesisht në Spanjë dhe Itali.

 – Në Elbasan po vihet re se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz