Kundër hidrocentraleve në Valbonë, aktivistë e banorë protestojnë nesër

Kundër hidrocentraleve në Valbonë, aktivistë e banorë protestojnë nesër

Qytetarë aktivistë, ambientalistë e banorë të Luginës së Valbonës do të  vazhdojnë protestat nesër në mesditë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë.

Me një marshim simbolik që do të nisë në orën 12 tek Monumenti i Pavarësisë, pranë Parkut Rinia e do të vazhdojë drejt Kryeministrisë, qytetarët i kërkojnë qeverisë, gjykatave dhe bizneseve të ndalojnë ndërtimin e hidrocentraleve që po shkatërrojnë Valbonën, një prej destinacioneve kryesore turistike në vend.

Protestat e qytetarëve, herë në Tiranë e herë në Valbonë vijnë pas  rrëzimit të padisë së banorëve për të ndalur ndërtimet e hidrocentralve nga Gjykata Administrative e Tiranës.

Banorët e Luginës së Valbonës shprehen se ndërtimi i qoftë edhe një HEC-i të vetëm, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme Luginën e Valbonës dhe turizmin në këtë zonë.

Një prej shoqatave në mbrojtje të Valbonës, “Miqtë e Valbonës” shkruan se “rreth 7-10 milionë euro në vit i vijnë si të ardhura Republikës së Shqipërisë vetëm nga turizmi në Valbonë (50 mijë turistë në vit) dhe me ato para mbahen në punë me mijëra shtetas të Republikës së Shqipërisë.”

Pothuaj të gjithë familjet e zonës jetojnë me të ardhurat nga turizmi dhe vitet e fundit, falë punës së secilës prej familjeve numri i turistëve në Valbonë është shumëfishuar.

Banorët në mënyrë të vazhduar janë shprehur se qeveria po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për qytetarët, mjedisin apo turizmin e po jep me konçesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale.

Ndaj ata kërkojnë ndalimin dhe pezullimin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Valbonë, respektimin dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Valbonës, si dhe ndalimin e “manipulimit nga ana e Qeverisë, e cila vendosi fitimet e një firme private para interesit publik.”

Hidrocentralet mbi lumin e Valbonës po ndërtohen nga kompania “Gener2”, bazuar në kontratën koncesionare nënshkruar me Ministrinë e Energjisë në vitin 2009.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz