“Ringritja” morale sureale e Tahirit: mirëqënia e kafshëve prioritet i Rilindjes

Nga Carloalberto Rossi,
“Ringritja” morale sureale e Tahirit: mirëqënia e kafshëve prioritet i Rilindjes

Më 6 nëntor u depozitua në Kuvend, ndoshta për herë të parë një e e drejtë e qytetarëve e parashikuar në Kushtetutë, e papërdorur asnjëherë më parë.

Vetëm ky fakt do të meritonte vemendje nga medias, por mbledhja e 20 mijë firmave ndodhi në heshtje të plotë, aq sa u zhvendos në plan të dytë nga sponsori i vërtetë politik i nismës: ish-ministri i brendshëm dhe deputeti Saimir Tahiri, aktualisht nën hetim për favorizim dhe mbrojtje të kushurinjve të tij narkotrafikantë, të cilët prodhonin dhe trafikonin kanabisin për llogari të familjeve mafioze siçiliane.

Që në fillim të shtatorit u hapën diskutime publike mbi një video që qarkullonte në rrjet të një djali që vriste një qen me goditje me lopatë. Ish-ministri bëri deklarata të forta në atë kohë dhe lajmëroi se do të paraqiste në Kuvend një projekt-ligj.

Qëllimet e tij u përputhën shpejt me qëllimet e ajkës së shoqërisë civile shqiptare, me atë që vjen përherë rrotull ambasadave perëndimore në kërkim të ndonjë fondi publik, mesa duket e trembur nga një fakt kaq i rëndë dhe e bindur për përparësitë e vërteta të shoqërisë tonë. Kështu lindi ideja shumë demokratike, e mbledhjes së firmave për të paraqitur një projektligj si një kërkesë e sinqertë e popullit shqiptar.

Brenda më pak se dy muajsh projekt-ligji u paraqit në Kuvend para deputetëve, të cilit në valën e shqyrtimit të një kërkesë për autorizim të arrestimit për narkotrafik dhe një sërë ndryshimesh kushtetuese të bëra me dekret qeveritar, duhet të merreshin edhe me këtë projekt-ligj thelbësor, sepse kështu do vullneti i sovranit.

Projekt-ligji parashikon shtesën në Kodin Penal të 6 neneve që qartësojnë të drejtat e kafshëve në Republikën e Shqipërisë, duke parashikuar dënimin deri me dy vjet burg për vrasjen e kafshëve, deri në një vit burg për keqtrajtim e tyre, deri në 6 muaj burg për mbajtjen e kafshëve në kushte higjenike të papërshtatshme dhe deri në tre vjet burg për ata që i torturojnë kafshët duke sjellë përçudnimin apo vdekjen e tyre.

Ligji dënon në mënyra të ndryshme edhe organizimin apo pjesëmarrjen në luftime mes kafshëve, duke parashikuar deri në burg për atë që publikon filmime apo luftime të tilla, apo kush vë bast mbi to.

Përveç kësaj, ligji parashikon dy vjet burg për ata që përdorin lëkurën, pendët apo pjesë të tjera të kafshëve që mbahen për shoqëri për të prodhuar artikuj të lëkurës apo veshje, dhe tre vjet burg në rastin që lëkura u përket kafshëve në zhdukje.

Por nuk mbaron me kaq: “eksperiment e paligjshme” me kafshët, të paspecifikuara më shumë se sa ky term, sjellin po tre vjet burg edhe i njejti dënim i përket “kujtdo që në mënyrë të paligjshme vret, burgos ose përdor për përfitim (shitje, ekspozim, kafaz, etj.) kafshë të egra në zhdukje.”

Norma më interesante e ligjit është dënimi me burg deri në tre muaj (ose me gjobë) për “këdo që për ligësi ose pa arsye, detyron një kafshë të kryejë shërbime, punë ose të ndërmarrë sjellje që shkojnë përtej karakteristikave etologjike”.

Në një vend demokratik si Shqipëria nuk mund të mendohet që një ligj me nisëm popullore të mos pranohet nga një Kuvend që gjithmonë kujdeset dhe respekton nevojat e vërteta të popullit. Për më tepër, sponsorizimi i projekt-ligjit nga një “i madh” si Tahiri (i cili së fundmi, mori në Kuvendi 80 vota në mbështetje të tij, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin për narkotrafik) me siguri i jep projektligjit bekimin e Rilindjes, prandaj pavarësisht ngarkesës së Kuvendit me reformën në drejtësi, është thuajse e sigurt se projekt-ligji për mbrojtjen e kafshëve do të bëhet një ligj i vendit.

Si rrjedhojë, më në fund, ata qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë arrestuar ende për ndonjë nga dhjetra motivet e kota—lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, mos lëshim të kuponit tatinor, shitje në rrugët e Tiranës, lidhje të paligjshme të ujit, përdorimi abuziv i pusit të ujit, prerje të pemëve e kështu me radhë—tani mund të arrestohen për goditjen me shqelm të ndonjë prej qenve të rrugës që mund ta trembin në çdo cep të Tiranës, mbajtjen e ndonjë shqiponje apo ariu në kafaz në restorantin e tij, për lëkurën në jakën e xhaketës së tij (për të cilën ekspertët e gjykatës do të vendosin përkatësinë dhe përbërjen), për stërvitjen e ndonjë papagalli, për shkeljen me makinë të ndonjë maceje apo qeni rruge, përveç se për vrasjen me gjakftohtësi të ndonjë qeni, maceje, peshku të kuq apo kanarine.

Duhet bërë kujdes më pas për kushtet e jetës së kafshëve shtëpiake, për të cilat një polici e kafshëve mund të vijë t’ju arrestojë me pretendimin për t’ju burgosur për muaj të tërë, nëse në shtëpinë apo kopshtin tuaj nuk keni kushtet e përshtatshme apo parametrat e duhur higjenikë.

Mbeten për t’u qartësuar një sërë situatash të parashikuara nga projekt-ligji, por që interpretimi i të cilave duket i paqartë, si çështja e luftimeve mes kafshëve, që nuk kuptohet nëse këtu futen edhe garat e qenëve që miq të ndryshëm të ish-ministrit propozojnë në lokalet e tyre të basteve, apo si historia e “eksperimente të paligjshme”, sigurisht të papërcaktuara nga ky projekt-ligj.

Ajo që është e sigurt është se nuk do të shohim me arixhinj me arinj (që shpesh i trajtonin më mirë se gratë dhe fëmijët e tyre), ashtu sikurse nuk do të shohim më asnjë oficer alpin italian, të deleguar në Shqipëri, me pendën e shqiponjës në kapelet tradicionale dhe të lavdishme, pasi ky akt është tashmë i papajtueshëm me përparimin shoqëror shqiptar.

Gratë dhe fëmijët shqiptarë shprehen se ky ligj do të shkatërrojë murin e dhunës në familje dhe se shpejt do të zbatohet edhe në zonat periferike të vendit, me këtë rast, edhe tek qeniet njerëzore.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz