Studimi i BE-së: Shqipëria e para në Ballkan për blerjen e votës

Studimi i BE-së: Shqipëria e para në Ballkan për blerjen e votës

Shqipëria ka numrin më të lartë votuesve të cilëve i është ofruar para në këmbim të votës, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky përfundim u gjet nga studimi “Jeta informale e partive politike në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Instituti për Demokraci në Shkup.

Megjithëse Shqipëria ka nivelet më të ulta të anëtarësimit në parti në rajon (7.9 për qind të popullsisë), 20.6 për qind të  popullsisë i është ofruar para ose favore në këmbim të votës së tyre.

Sipas raportit, kjo do të thotë se gati 700,000 shtetas shqiptarë janë përballur me presione nga partitë politike.

Për më tepër, 5.6 për qind e të intervistuarve tregojnë se kanë pasur presion për të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga partitë, ndërsa 4.8 për qind kanë qenë nën presion për të votuar për një parti të caktuar.

Përveç konfirmimit të thashethemeve të përhapura në lidhje me blerjen e votave dhe praktikave të tjera klienteliste nga qeveria Rama gjatë zgjedhjeve të fundit, gjetjet e raportit gjithashtu tregojnë se mjetet dhe burimet në dispozicion të misioneve monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR janë ndoshta të pamjaftueshme për të zbuluar shkelje të tilla.

Edhe pse OSBE shkruan në raportin përfundimtar të fushatës për zgjedhjet parlamentare të qershorit se “fushata u karakterizua nga akuza të gjera për blerjen e votave, shqetësimet mbi abuzimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendet e punës për votuesit, gjë që më tej zvogëloi besimin publik , “ata nuk gjetën prova konkrete:

“Pas zgjedhjeve, si [PD] dhe [LSI] përsëritën pretendimet e tyre ndaj Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR-it se një veprim masiv dhe i gjerë i blerjes së votave kishte ndodhur. Të dy theksuan disa raste konkrete, por, në mungesë të provave të mjaftueshme përfundimtare, nuk paraqitën ndonjë sfidë ligjore për rezultatet. Megjithatë, ata mbështetën pohimin e tyre të fortë se shkalla e blerjes së votave ishte e lidhur me shuma të mëdha parash që ishin në dispozicion nga kultivimi i drogës kriminale.”

Duke qenë kështu, OSBE-ja rekomandoi si në vijim:

“Përpjekje të forta janë të nevojshme për të adresuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votave, si nëpërmjet një fushate vetëdijesimi dhe ndjekjeve penale, në mënyrë që të nxitet besimi në procesin zgjedhor. Mund të bëhej një angazhim konkret dhe i vërtetë nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votave. Përveç kësaj, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me një të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.”

Ndërsa të gjitha partitë në të gjithë spektrin politik përdorin strategji të tilla dhe bazohen në rrjete të ngjashme klienteliste, mbetet për tu parë nëse politika shqiptare do të jetë në gjendje që të zgjidhë këtë çështje shumëvjeçare, e cila në fund nuk është vetëm rezultat i fluksit të kriminalitetit para, por edhe më shumë rezultat i vakumit të madh ideologjik të të gjitha partive. Pa ide për të votuar, mund të votosh edhe për paratë.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz