Zv. Ministrja e Brendëshme fajëson qeverinë britanike e mediat sociale për azilkërkuesit shqiptarë nën moshë

Zv. Ministrja e Brendëshme fajëson qeverinë britanike e mediat sociale për azilkërkuesit shqiptarë nën moshë

Zëvendës Ministrja e Brendëshme Rovena Voda ka fajësuar qeverinë britanike se mospërzëna e  menjëhershme e fëmijëve nën 18 vjeç që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar shërben si nxitje për shtimin e numrit të tyre.

Britanikja Daily Mail raporton sot se Zonja Voda është shprehur se fakti që Gjermania dhe Franca kanë procedura më të rrepta dhe më të shpejta për kthimin në Shqipëri të fëmijëve të pashoqëruar e bën Mbretërinë e Bashkuar një alternativë më të preferuar për kërkimin e azilit. Për këtë arsye, ajo i ka kërkuar qeverisë britanike t’i kthejë ata sa më shpejt në Shqipëri.

Zonja Voda ka sqaruar se fëmijët azilkërkues janë shtyrë në azil nga vetë prindërit, të cilët i braktisin qëllimisht fëmijët në vendet perendimore duke e ditur se fëmijët e pashoqëruar janë më të favorizuar për t’u pranuar si azilantë.

Ajo është shprehur se arsyet ekonomike janë faktori kryesor që i nxit prindërit të dërgojnë fëmijët në azil.

Zëvendës ministrja ka shpejguar se qeveria po merr masa të veçanta për të ndalur dukurinë, veçanërisht duke mbikqyrur prindërit që dalin jashtë vendit me fëmijët, por kthehen pa ta.

Por Zonja Voda ka dhënë edhe një justifikim që ngjan me justifikimet e kohës së komunizmit për shqiptarët që duan të largohen nga vendi, duke u shprehur se ata gënjehen nga imazhi i gabuar për jetën në vendet perendimore që shqiptarëve u krijohet nga mediat.

“Mediat sociale janë problem. Njerëzit kanë qejf që të duken në mediat sociale dhe kjo gjë i nxit adoleshentët për të shkuar në këto vende. Ata mendojnë që në këto vende do të gjejnë një jetë fantastike kur nuk është fare kështu,” është shprehur zëvendës ministrja.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz