Të paprekshmit: historia e çuditshme e shumave të mëdha të parave në dorë

Të paprekshmit: historia e çuditshme e shumave të mëdha të parave në dorë

Disa ditë më parë gati në të gjitha mediat shqiptare u dha lajmi se një italian, Massimiliano Codoro (i lindur në Tradate më 1966), u ndalua në Aeroportin Nënë Tereza ndërsa po nisej për Itali, me 350 mijë euro kesh të padeklaruara në doganë.

Sipas njoftimit të policisë, italiani ishte konsulent pranë një banke në Shqipëri dhe se ai kishte deklaruar nuk kishte dijeni se duhet t’i deklaronte këto para në doganë. Prokuroria hapi ndaj tij një çështje për mos deklarim të vlerave në doganë dhe italiani u la i lirë në pritje të procesit gjyqësor.

Duke qenë se në të njejtën kohë po diskutohet rreziku i pastrimit të parave të pista në bankat e vendit, dhe pak ditë më parë u arrestua djali i një biznesmeni të njohur me 830 mijë euro para në dorë dhe dy patenta për mjete lundruese të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, historia me italianin dukej si historia tipike e kësaj periudhe, por duhej më shumë informacione mbi “punën” e tij si konsulent pranë një bankë të vendit.

Fatkeqësisht me kalimin e ditëve asnjë bankë e vendit nuk pohon të njohë zotin Massimiliano Cododro, dhe nuk pranon që ai të ketë punuar apo po punon për të.

Një kërkim më i thellë mbi personazhin në fjalë zbulon një sërë detajesh të tjera interesante dhe jo të zakonshme të cilat ngjallin pyetje dhe propozojnë skenarë.

Rezulton se në vitet 2000, Zoti Codoro ka qenë më shumë se sa një herë kandidat i partisë italiane UDC në zgjedhjet për Parlamentin Europian, pa arritur të zgjidhet ndonjëherë. Ai ka qënë anëtar i bordit të shoqërisë financiare të blerë nga Grupi Intesa San Paolo, dhe ortak themelues i Fondacionit (italian) “Novae Terrae”, të drejtuar nga deputeti i njohur i UDC-së Luca Volonte, i cili u bë i famshëm në Evropë sepse u hetua për një rryshfet prej dy milionë eurosh të marra në vitin 2013 nga një lobist i Azerbajxhanit për të ndikuar votimin e Këshillit të Evropës mbi një çështje të drejtave të njeriut në Azerbajxhan.

Në fund, detaji i çuditshëm, por ndoshta jo i panjohur për çështjen shqiptare, është se nga janari 2017 Codoro rezulton i regjistruar në listën italiane të agjentëve sportivë (ata që blejnë dhe shesin futbollistë), edhe pse në këtë fushë ai është i panjohur.

Në të njëjtën ditë me ndalimin e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi me zë të lartë se në bankat shqiptare ishin në veprim të gjtihë kontrollet kundër riciklimit të parave, dhe se bankat e vendit ishin të sigurta.

Mbetet për t’u parë se si është e mundur që brenda pak ditësh dy personazhe u gjetën rastësisht me shuma të mëdha parash në dorë, dhe një prej tyre deklaroi se ishte konsulent i një banke shqiptare, dhe prapë nuk ndodh asgjë në sektorin bankar dhe, ndoshta, pak do të ndodhë edhe në nivelin gjyqësor.

Italiani i bëri thirrje gjykimit me dashamirësi pasi deklaroi se ai nuk e dinte se duhej t’i deklaronte paratë në doganë—kjo nuk duket e besueshme për një konsulent bankar (dhe me përvojë—ndërsa avokati i biznesmenit shqiptar pohoi se shifra prej 830 mijë euro vinte nga burime të ligjshme të shitjes së kuotave të një banke dhe ishte përcaktuar për t’u përdorur si depozitë-garanci për një shkëmbim tregtar që nuk përbën pagesë dhe prandaj, sipas tij, nuk ishte veprim i ndaluar nga ligji. Detaji qesharak është që disa nga këto kartmonedhat ishin fallso.

Nuk duhet të jesh specialist finance për të kuptuar që të gjitha këto kalime të shumave të mëdha të parave në dorë janë tepër të dyshimta dhe pothuajse me siguri janë pjesë e operacioneve të riciklimit të parasë së dyshimtë—në një vend normal bankat nuk mund të paguajnë shifra të tilla në kesh, akoma më shumë për të paguar blerjen e aksioneve të tyre.

Ndoshta Guvernatori Sejko mund të ketë të drejtë se, ndoshta, vërtet bankat nuk riciklojnë, por duket se askush nuk skandalizohet nëse këtë gjë e bëjnë privatët.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz