Deputetja Elona Gjebrea nën pyetje për lidhje me grupin e Habilajve

Deputetja Elona Gjebrea nën pyetje për lidhje me grupin e Habilajve

Deputetja socialiste Elona Gjebrea është marrë në pyetje nga prokurorët e krimeve të rënda, ndërsa është mësuar se ajo ka qenë e pranishme në rrethana të dyshimta me Saimir Tahirin dhe vëllezërit Habilaj.

Pavarësisht se Gjebrea në një deklaratë për News 24 mohoi sot se ishte pyetur nga prokuroria, Exit.al ka mësuar nga burime të sigurta se Zonja Gjebrea ka bërë një deklaratë për prokurorët e krimeve të rënda.

Burime nga Italia, të afërta me prokurorinë e Katanias, u shprehën për Exit.al se gjatë kohës që shërbente si zëvendëse e Saimir Tahirit, Gjebrea dyshohet të ketë qenë të paktën një herë në shoqërinë e vëllezërve Habilaj.

Ndërkohë, prokurorët italianë kanë konfirmuar nga pala shqiptare, se Gjebrea ka shoqëruar të paktën një herë Saimir Tahirin në një prej udhëtimeve të tij private në Greqi, udhëtim që dyshohet se është bërë në mbështetje të aktivitetit kriminal të Habilajve.

Megjithatë, nuk ka ende asnjë informacion nga prokuroria shqiptare mbi pozitën e Gjebreas në hetimet e tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda refuzoi t’i përgjigjej një kërkesë të Exit.al për të sqaruar pozicionin e Zonjës Gjebrea apo për të konfirmuar faktin nëse ajo është pyetur prej tyre.

Sidoqoftë, Exit.al ka mësuar me siguri se Zonjës Gjebrea, e cila gëzon imunitet ndaj arrestimit dhe kontrollit, i është marrë një deklarim nga prokurorët, në lidhje me rrethanat e gjendjes së saj në prani të personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Nuk dihet se çfarë sqarimesh ka dhënë Gjebrea.

Elona Gjebrea shërbeu si zëvendëse e Saimir Tahirit në periudhën 2013-2017. Ajo ka qenë zyrtarisht e ngarkuar me luftën kundër trafikimit dhe ka shërbyer si koordinatore kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore.

Emërimi në nëntor 2013 i saj si zëvendës ministre e Punëve të Brendshme ishte i papritur, duke qenë se ajo më parë kishte qenë e përfshirë vetëm në aktivitete me natyrë akademike në fushën e biologjisë dhe demografisë.

Edhe pse gjatë punës së saj si zëvendës ministrie ajo pati një profil të ulët politik, në zgjedhjet e vitit 2017 Elona Gjebrea kryesoi listën e kandidaturave për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, që  konsiderohet moralisht si pozicioni më i rëndësishëm në listat për kandidatë të një partie.

Ky promovim i Gjebreas u lidh që atë kohë me mbështetjen ndaj saj të Saimir Tahirit, i cili shërbente si kryetar i PS-së së Tiranës dhe drejtues i fushatës zgjedhore të socialistëve  në qarkun e Tiranës.

Natyrisht një faktor i rëndësishëm në ngritjen në karrierën politike të Zonjës Gjebrea mendohet se mund të ketë  luajtur mbështetja e jashtëzakonshme që asaj i ka dhënë ambasadori amerikan Donald Lu, i cili e konsideron atë si një nga heroinat që e frymëzon ambasadorin në jetë. Në një aktivitet të vitit 2016, Ambasadori Lu u shpreh:

“Një tjetër heroinë e imja është zëvendës ministrja e Brendshme Elona Gjebrea. Ajo ka luftuar çdo vit për të rritur punën e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo ka siguruar më shumë para për programet e organizatave joqeveritare, për pagat e punonjësve, për edukimin e policeve dhe policëve, si dhe për aktivitetet tek të rinjtë. Përpjekjet e saj po sjellin ndryshim çdo ditë.”



Lini një koment

1 Koment për "Deputetja Elona Gjebrea nën pyetje për lidhje me grupin e Habilajve"

avatar
trackback

[…] jetë hera e dytë që Zonja Gjebrea është thirrur nga Prokuroria, edhe pse deputetja socialiste mohoi të ketë dëshmuar javën e […]

wpDiscuz