Paradoksi i financimit bankar të PPP-ve

Paradoksi i financimit bankar të PPP-ve

Pas notave entuziaste të qeverisë Rama që lajmëroi fluksin e madh të investimeve që priten në kuadër të të famshmit “Projekti 1 Miliard Dollar” erdhën dhe reagimet e forta të opozitës.

Basha foli qartë kundër projektit, duke e cilësuar atë një përpjekje të qartë riciklimi parash dhe duke ftuar të gjithë institucionet amerikane të hetimit si DEA dhe FBI-ja, të hetonin buxhetin e shtetit të konceptuar si mbështetje ndaj riciklimit.

LSI, gjithashtu, u shpreh se abuzimi me PPP-të për të fshehur borxhin publik dhe për të mundësuar pastrimin e shumave të mëdha të parave të pista.

Per të ulur tensionin Kryeministri shfrytëzoi takimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, dhe duke ironizuar akuzat e opozitës iu drejtua të pranishmëve se ishin “nën kontrollin e krimit”, për të humbur pastaj ndjenjën e masës me një deklaratë krejt të pakujdesshme, që pati si qëllim të konfirmonte se në Shqipëri nuk ekziston asnjë mundësi për pastrimin e parave të pista.

Të nesërmen qe radha Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të kryer shërbimin e tij të radhës në mbështetje të politikave të qeverisë, i cili i ftoi bankat të financojnë projektet PPP që qeveria po i ofron tregut shqiptar, duke e justifikuar këtë kërkesë euforike me gjendjen e shëndetshme financiare të sistemit bankar shqiptar, dhe duke bërë me dije se Banka Qendrore do të bënte çdo gjë për të mbështetur operacionet e financimit të projekteve PPP.

Pikërisht këtu qendron problemi.

Tashmë prej shumë vitesh bankat shqiptare janë në kontrollin e Bankës Qendrore, e cila nuk autorizon financime që nuk janë të mbështetura si në garancitë e duhura financiare apo të pronave të paluajtshme, ashtu edhe në një plan biznesi që jep mjaftueshëm garanci për pagimin e borxhit nga ana e huamarrësit.

Përveç kësaj duhet të ketë një raport të besueshëm mes bilancit të tre viteve të fundit të huamarrësit dhe shumës së investuar dhe të ripaguar tek bankat. Në fund, ka një sërë normativash të mbikqyrjes që lidhin nivelin maksimal të kredisë së dhënë ndaj një kreditori të vetëm me parametrat e pasurisë së bankës, apo ligje të tjera që kufizojnë aksesin nga ana e subjeketeve tashmë të përfshirë në kredi të tjera.

Pra, në kushte normale asnjë bankë shqiptare nuk mund të financojë, dhe asnjë institucion i mbikqyrjes bankare nuk mund të miratojë një projekt të përmasave të rrugës së Arbrit, i fituar nga një zhvillues me një fuqi financiare të ulët në krahasim me investimin, dhe që nuk mbështetet në flukse parash të sigurta dhe të mjaftueshme për të paguar bankën.

Kjo do të thotë se ky lloj investimi mund të përfundohet vetëm nga institucione financiare ndërkombëtare, të cilat nuk janë banka normale dhe që, përgjithësisht, përdorin fonde të kapitalit të tyre, pra që nuk duhet të kthehen mbrapsht me kërkesë të depozituesit. Ky lloj institucioni financiar, përveç se ka përmasa më të mëdha se sa ato të bankave shqiptare, nuk është subjekt i rregullave të zakonshme të mbikqyrjes bankare, dhe për më tepër mund të përballojë në mënyrë të ligjshme rrezikun e projekteve të përmasave të tilla.

Ndryshon logjika në rastin e PPP-ve për ndërtimin e shkollave në Bashkinë e Tiranës, ku fluksi i të ardhurave për të paguar mbrapsht investimin është i siguruar nga një kontratë me bashkinë, e cila do të paguajë një qera të madhe për një periudhë kohore të gjatë, në mënyrë që t’i garantojë kompanisë, dhe si përfundim bankave, shlyerjen e financimit të dhënë.

Edhe rekomandimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar këmbëngulin se PPP-të duhen mbështetur në konceptin e transferimit të rrezikut, pra që një PPP mund të bëhet vetëm nëse ekziston transferimi i vërtet i rrezikut nga enti publik tek kompania koncesionare.

Por, nëse ekziston një rrezik për kompaninë, atëherë asnjë bankë shqiptare nuk mund të financojnë projektin, ndërsa nëse nuk ekziston një rrezik për kompaninë (sepse shteti garanton në konratë flukse të nevojshme për shlyerjen e borxhit) sipas ligjit në fuqi (dhe sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar) nuk mund të trajtohet si PPP.

Duke i premtuar bankave mbështetje financiare për këto projete të tipit PPP, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk i shërbeu qendrueshëmrisë financiare të vendit (që është edhe misioni i tij kushtetues), por i shërbeu qendrueshmërisë politike të qeverisë. Madje ai i ka shërbyer vetëm qendrueshmërisë afatshkurtër të qeverisë, sepse kjo mbështetje nuk do t’i shërbejë dot qeverisë në periudhën afatmesme, kur kostoja e lartë buxhtore e shkaktuar nga teprimi i futjes në borxh do të sjellë më në fund probleme si për qendrueshmërinë financiare dhe atë politike të vendit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz