Ndiq koncesionet…

Nga Karl Kuçi,
Ndiq koncesionet…

“Ndiq paratë”, i tha informatori Goja e Thellë Bob Uduordit të Washington Post-it i cili kishte ngecur dhe nuk po arrinte të zbërthente dot skandalin e Watergate-it, që pasi ai e zbërtheu duke ndjekur vazhdën e parasë, çoi në dorëheqjen e Presidentit amerikan Riçard Nikson.

“Ndiqni paratë”, u tha gjenerali Karlo Alberto dela Kieza bashkëpunëtorëve të tij që hetonin mafian.

“Kërkoni koncesionin” mund të thotë sot shefi i një zyre ndërkombëtare që do të kuptojë arsyen pse qeveria shqiptare papritur ndërmerr një politikë publike të çfarëdoshme.

Pas çdo nisme publike të ndërmarrë deri më tani nga qeveria Rama, analistët nuk kanë gjetur kurrë ndonjë strategji, plan apo ndonjë motivim për mbrojtjen e interesit publik, sikurse duhet të ndodhte normalisht.

Pothuajse gjithmonë, pas çdo nisme të tillë ka patur një interes privat për të “dhjamosur” me anë të koncesioneve apo PPP-ve të dhëna.

Pra, me një kontratë të shtrenjtë shumëvjeçare, e cila i siguron mikut oligark (shpesh i fshehur pas shoqërish offshore) të ardhura të vazhdueshme për shumë vite me pretekstin se po ofron një shërbim me cilësi të lartë për të cilin nevojiten investime të vazhdueshme që shteti, për arsye të kontrollit të borxhit publik, nuk mund t’i financojë.

Kështu ka ndodhur deri më tani me ligjin e investimeve strategjike—i cili praktikisht është vënë në shërbim vetëm të ndërtuesve shqiptarë për të shtënë në dorë toka të lakmuara, sidomos në bregdet, të cilat ata nuk mund t’i merrnin në mënyra të tjera; kështu ka ndodhur edhe me ndërtimin e shkollave të Tiranës me formulën PPP; apo me projektin e guximshëm dhe në tym Projekti 1 Miliardë për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës; me koncesionet e ndryshme të shëndetësisë, përfshi ato për kontrollin e përgjithshëm mjeksor, shërbimin e hemodializës, sterilizimin e mjeteve kirurgjikale e pullat e kontrollit të barnave; kështu ka ndodhur me inceneratorët dhe vend-depozitimet e plehrave; kështu ka ndodhur me të gjitha politikat e tjera publike më pak të njohura, nga bunkerët e kthyer në muze tek kafja në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Një mik personal për çdo punë publike, një ose më shumë kontrata publike për çdo mik personal, në kundërshtim me çdo strategji apo planifikim publik e mbi të gjitha kundër interesit publik.

Metoda PPP i siguron qeverisë edhe mënyrën për të justifikuar subjektivitetin e zgjedhjes së fituesit, përmes dhënies së pikëve preferenciale bonus në konkurrim për kompaninë që ka paraqitur një kërkesë “të pakërkuar”.

Natyrshëm, bota e biznesit nuk rri duarkryq dhe sapo i vjen ndonjë ide për të siguruar ndonjë kontratë të majme dhe siguron mbështetjen e duhur politike, vrapon të propozojë një PPP të re, e cila pastaj i paraqitet popullit si një nevojë për të zgjidhur “problemin” pa asnjë “kosto” për shtetin.

Por të gjithë e dimë se kostot për buxhetin e shtetit vijnë më pas, por është e sigurtë që vijnë gjithmonë.

Metoda e përdorur nga Rama, e cila përsoset çdo ditë e më shumë, parashikon që problemet “shoqërore” të ngrihen nga qytetarët në forumet e diskutimit publik, si për shembull në faqen në Facebook të Kryeministrit, apo në platformën e bashkëqeverisjes ose në ndonjë hapësirë tjetër të këtij lloji. Pas kësaj tema merret në një nga monologjet e rradhës të kryeministrit, i cili lajmëron popullin se së shpejti do të kemi një zgjidhje të problemit që do ta bëjë Shqipërinë pararojë në botë për çështjen në fjalë.

Ndërkohë, në fshehtësi, në ministrinë përkatëse protokollohet një “kërkesë e pakërkuar” për një PPP përmes së cilës do të zgjidhet problemi.

Në bazë të kësaj kërkese, ministria përgjegjëse kryen të gjitha “vlerësimet” e parashikuara nga ligji, dhe pastaj Këshilli i Ministrave miraton një vendim për hapjen e garës për koncesionin, duke i dhënë gjithmonë “kërkuesit të pakërkuar” pikët bonus. Kërkuesi hyn kështu në garë, ku zakonisht ka 2-3 dy oferta të tjera që nuk e bezdisin fare, dhe “kërkuesi i pakërkuar” gjykohet lehtësisht (dhe në mënyrë të rregullt ligjërisht) fitues i garës.

Faza e përgatitjes e një PPP-je kërkon analizë të thellë të problemit që synohet të trajtohet, vlerësim të kostove dhe të përfitimeve për financat publike, dhe mbi të gjitha kërkon vlerësim mbi kalimin real të riskut të sipërmarrjes nga shteti tek subjekti koncesionar.

Kjo, sepse filozofia ndërkombëtare e mishëruar në ligjet shqiptare të kushtëzuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se një projekt mund të jepet me koncesion vetëm atëhere kur rreziku i sipërmarrjes kalohet nga shteti tek privati.

Deri më tani, kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë, për shkak të padijes së deklaruar apo të vullnetshme të funksionarëve që kanë firmosur studimet dhe vlerësimet e ndryshme. Madje ka ndodhur e kundërta: rreziku i projekteve të ndryshme koncesionare i ka kaluar i gjithi shtetit.

Por përgatitja e këtyre dokumentave, edhe pse me mangësi të qëllimshme në logjiken e tyre, lë gjithmonë gjurmë dhe ndonjë lajm rrjedh në publik, edhe pse në mënyrë të turbullt.

Këto informacione që rrjedhin tregojnë se Ministria e Financave ka kohë që punon për disa koncesione të reja për fushën fiskale, si koncesioni tek një subjekt i vetëm i shërbimeve të agjensive doganore, apo një formë e “rilindur” e kontratës së famshme të koncesionit të mbledhjes së TVSH-së, e tentuar një herë në të shkuarën, dhe e lënë mënjanë përkohësisht pas kundërshtimit të ashpër të FMN-së.

Lexuesi i kujdesshëm mund të kujtojë përçartjen, e pak ditë më parë, të Ramës përpara taksapaguesve të mëdhenj të vendit, gjatë së cilës ai lajmëroi se brenda pak ditësh do të eleminonte për gjithmonë nga sheshi i Portit të Durrësit “personazhet e pështirë, të keq veshur që bëjnë ndërmjetësin”. Ndërkohë një kompani e famshme po trajton në fshehtësi të plotë disa dhjetra operatorë apo agjentë doganorë. Por për të bërë çfarë?

Lexuesi edhe më i kujdesshëm mund të kuptojë gjithashtu se nevoja e papritur për zgjerimin e zbatimit të TVSH-së në rreth 100 mijë subjekte të biznesit të vogël (duke pesëfishuar kështu numrin e subjekteve që i nënshtrohen TVSH-së), mund të nevojitet për të justifikuar koncesionin për një kompani private, e cila do të përballojë këtë punë papritur jetësore për kasat e shtetit, në kushtet kur mund të arsyetohet se zyrat e taksave nuk kanë burime të mjaftueshme për ta përballuar.

Sigurisht, në këmbim të një përqindje të lartë nga TVSH-ja e mbledhur.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz