Bashkia Tiranë nis ndërtimin e katër parkimeve të reja me pagesë

Bashkia Tiranë nis ndërtimin e katër parkimeve të reja me pagesë

Katër shesh-parkime të reja me pagesë do të ndërtohen muajt e ardhshëm në qytetin e Tiranës nga Bashkia Tiranë, përmes agjencisë së saj për administrimin e parkimeve dhe hapësirave të parkimit, Tirana Parking.

Më datë 13 nëntor, Bashkia Tiranë dhe Tirana Parking kanë shpallur fituesit e katër tenderëve për kontraktimin e “konsulencës për studimin e projektimin e shesheve të parkimit në katër zona të Tiranës”.

Fituesi në tre prej tenderave është kompania Taulant shpk. Kjo kompani është një nga kompanitë kryesore të të kontraktuar nga qeveria Rama, për projektet e të ashtuaquajturës rilindje urbane, përfshi rindërtimin e qendrës së qytetit dhe Pallatit të Kulturës në Gramsh, kinoteatrit të Gjirokastrës, memorialit të Rilindasve në Gjirokastër, rindërtimin e Shkollës së Baletit në Tiranë, etj.

Më poshtë po japim informacion të shkurtër mbi katër tenderat.

Shesh-parkimi me pagesë tek Avni Rustemi

Në këtë tender me fond limit 270 mijë lekë për konsulencën  për studim dhe projektim e shesh-parkimit tek Sheshi Avni Rustemi, kanë paraqitur ofertat e tyre dy kompani: Taulant shpk me një ofertë prej 260 500 lekë dhe A. Sh. Engineering me një ofertë prej 220 mijë lekësh.

Edhe pse oferta e kompanisë A. Sh. Engineering është më e ulët dhe bazuar në ligjin e prokurimeve publike duhet të ishte shpallur fituese, Bashkia Tiranë, pa dhënë asnjë shpjegim ka zgjedhur fituese ofertën e kompanisë Taulant shpk.

Shesh-parkimi me pagesë tek Sabaudin Gabrani

Në këtë tender me fond limit 1 milionë e 200 mijë lekë për konsulencën për sheshparkimin tek Sabaudin Gabrani, kanë paraqitur ofertat e tyre po të njëjtat kompani si në tenderin e mësipërm: Taulant shpk me ofertë prej 1 milion e 140 mijë lekë dhe A. Sh. Engineering, së cilës nuk i është kërkuar të dorëzojë ofertë ekonomike sepse në mënyrë të çuditshme ajo “nuk e ka kaluar kufirin prej 70 pikësh minimum” në vlerësimin teknik standardeve të tenderimit.

Pra, e njëjta kompani që në tenderin e parë i ka marrë pikët e nevojshme për të bërë ofertë ekonomike, në tenderin e dytë është përjashtuar nga gara për mosarritjen e pikëve të nevojshme teknike, duke bërë automatikisht që fituesi i tenderit të jetë sërish Taulant shpk.

Shesh-parkimi me pagesë tek Diga e Liqenit

Në këtë tender me fond limit 971 mijë lekë për shërbim konsulence për shesh parkimin tek Diga e Liqenit, kanë paraqitur sërish oferta dy kompanitë e sipërpërmendura: Taulant shpk me një ofertë prej 780 mijë lekë dhe A. Sh. Engineering, e cila për herë të dytë nuk ka mundur të dorëzojë ofertë ekonomike sepse “nuk e ka kaluar kufirin prej 70 pikësh minimum i lejuar sipas DST”.

Shesh-parkimi me pagesë pranë Godinës Infosoft

Në këtë tender me fond limit 555 mijë lekë për shërbim konsulence për shesh-parkimi pranë godinës Infosoft, janë paraqitur sërish dy kompani, por kësaj radhe janë Taulant shpk, i cili nuk ka paraqitur ofertë ekonomike, për arsye të pacituara, dhe kompania H.M.K. – Consulting shpk, e shpallur fituese, me ofertë 552 mijë lekësh, ose sa 99 për qind e fondit limit.

Kompanitë fituese,Taulant shpk dhe H.M.K – Consulting shpk, kanë afat 30 ditë pas nënshkrimit të kontratës me Bashkinë dhe Tirana Parking për të dhënë konsulencën e tyre e më pas për t’i hapur rrugë betonizimit të katër shesheve të tjera për parking me pagesë.

Deri më tani Tirana Parking ka ndërtuar dhe menaxhon tre shesh-parkime me pagesë në qytetin e Tiranës: pranë Stadiumit Dinamo, pranë pallatit të sportit Asllan Rusi dhe pranë Qytetit Studenti.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz