Valbonë, aktivistët protestuan dy ditë kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Nga Alida Karakushi,
Valbonë, aktivistët protestuan dy ditë kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Global Voices – Dhjetra aktivistë e banorë të Tropojës zhvilluan një aksion-protestë më 10 dhe 11 nëntor kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës.

Protesta ishte në përgjigje të vendimit të gjykatës administrative të Tiranës që hodhi poshtë padinë e paraqitur nga banorët e Valbonës. Banorët kërkonin shfyqizimin e kontratës, që tashmë kishte kaluar afatet, të kompanisë “Gener 2” për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Valbonë.

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Fondi Ndërkombëtar i Botës së Egër deklaroi:

“Ndërmarrja e një aktiviteti të madh ndërtimi, si ndërtimi i një hidrocentrali, padyshim do të kompromentonte proceset natyrore dhe do të shkaktonte shkatërrimin e ekosistemeve të pacenuara në parkun kombëtar.”

Ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë u dha me koncesion nga Ministria e Energjisë në vitin 2009 kur Partia Demokratike ishte ende në pushtet. Aktualisht, janë tre hidrocentrale në ndërtim e sipër dhe tetë janë duke u planifikuar nga Ministria e Energjisë tani që në pushtet është Partia Socialiste. Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013, premtoi se do të anullonte të gjitha projektet e hidrocentraleve në parqet kombëtare, por ky premtim nuk u përmbush asnjëherë.

Pamje nga punimet mbi Lumin e Valbonës

Sipas ligjit, vendimet për ndërtime të tillë duhet t’i nënshtrohen një procesi të dëgjesave publike. Megjithatë, qytetarët e Luginës së Valbonës pohojnë se nuk janë bërë dëgjesa publike dhe se në dokumentet e kompanisë, ndër të tjera, ka nënshkrime të njerëzve që kanë vdekur vite më parë.

Aktivistët e mbledhur nga i gjithë vendi u shprehën se disa qytetarë nga Bajram Curri, u kërcënuan se nëse i bashkoheshin protestës, qeveria dhe bashkia do të ndalonte dhënien e ndihmës financiare, siç janë përfitimet sociale apo subvencionet e biznesit të vogël.

Protestuesit të premten thanë se ndërtimi i hidrocentraleve do të shkatërronte të ardhmen e turizmit në këtë zonë.

Lugina e Valbonës u klasifikua si një park kombëtar në vitin 1996. Investimet në ekoturizëm kanë përmirësuar parkun në dy dekadat e fundit. Mbi 40,000 turistë vizitojnë zonën çdo vit.

Kjo video tregon një fitore të vogël të protestuesve, të cilët arritën të bllokonin disa punonjës nga hyrja në sheshin e ndërtimit më 11 nëntor.

Protesta u transmetua vetëm nga televizioni News 24, por videoja duket se hoq nga faqja online më vonë.

Aktivistët online përdorën hashtags # MosmaPrekValbonën ose #DontTouchValbonaValley për të ndarë fotot dhe videot nga protesta. Faqja e Facebook Miqtë e Valbonës gjithashtu e transmetuan drejtëpërsëdrejti protestën.

Disa komentues në media sociale kritikuan vendimin e qeverisë Rama për të mbështetur politikat e këqija të qeverisë së mëparshme në emër të respektimit të ligjit. Disa paralajmëruan se dështimi për të kthyer vendimet e padrejta të qeverisë së mëparshme mund të çojë në cinizëm më të madh publik dhe apati për demokracinë zgjedhore.

Aktivistët shtuan se projekti për ndërtimin e hidrocentraleve shkel ligjin e ndryshuar nga qeveria më 4 maj 2017, i cili ndalon projektet që kërcënojnë ekosistemin dhe biodiversitetin në parqet kombëtare.

Vende të tjera të trashëgimisë natyrore në të gjithë Shqipërinë janë gjithashtu në rrezik shkatërrimi për shkak të projekteve të hidrocentraleve. Një zonë e tillë është Lugina e lumit Vjosa në jug, një zonë e identifikuar nga Parlamenti Europian për krijimin e një parku kombëtar në shkurtin e kaluar.


Ky artikull u botua më parë tek GlobalVoices.org.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz