Një përvjetor që nuk e tronditi botën

Nga Andon Dede,
Një përvjetor që nuk e tronditi botën

7 nëntori, në mos të gjithëve, të paktën brezit tim, i kujton një datë apo ngjarje tepër të rëndësishme, Revolucionin Socialist të Tetorit, të 1917-ës, kur për herë të parë në histori, në krye të Rusisë, deri atëhere e njohur si “cariste”, u vendos një sistem apo pushtet, krejt ndryshe nga të tjerët, sistemi apo pushteti i sovjetëve, me në krye Leninin.

Siç shkruante analisti i njohur i çështjeve ndërkombëtare, George Friedman, – ishte një revolucion i bazuar jo vetëm në shpresën, por në sigurinë që gjendja njerëzore mund të mbushej me barazi, bollëk dhe liri. Ai krijoi një regjim që ishte i gatshëm dhe ndihej i detyruar të bënte çdo gjë për të krijuar atë përsosmëri, por ai regjim përfundoi në vitin 1991, i rraskapitur nga mjerimi që kishte krijuar”.

Për këtë ngjarje epokale, në llojin e vet, janë shkruar e botuar qindra në mos mijëra libra. Por, në vitet që pasuan Revolucionin, libri që bëri më shumë bujë e që e njohu Botën me gjithë sa u zhvillua në Rusi, në ato ditë të stuhishme, ishte libri i gazetarit amerikan Xhon Rid: “Dhjetë ditë që tronditën Botën”. Se vërtet që Bota u trondit: për herë të parë një shtet i madh si Rusia, po qeverisej nga një ekzekutiv krejt ndryshe nga të tjerët, nga i ashtuquajturi:”pushtet i punëtorëve dhe i fshatarëve”, që simbolizohej dhe nga drapëri e çekani, i pranishëm në flamurin jo vetëm rus por dhe të shumë shteteve të tjera që do to ndiqnin shembullin e tij.

Jo vetëm kaq, por me parullat që shpërndante apo programet që shpaloste, ai Revolucion bëri për vete miliona njerëz në mbarë Botën, përfshirë këtu edhe politikanë, shkriatarë, artistë, filozofë e të tjerë personalitete të shquara të të gjitha fushave. Do të zgjateshim shumë po të merreshim me këtë aspekt, problem ky që lidhet me komunizmin, apo me socializmin real, një temë që del jashtë caqeve të këtij shkrimi.

Për të qënë më të saktë, duhet të mos harrojmë se një pushtet i tillë, qe përjetuar edhe një herë më parë, në atë që njihet si “Komuna e Parisit”, (28 mars – 28 maj 1871), ku realisht në pushtet ishin masat e popullit, por që e pati jetën shumë të shkurtër dhe tashmë i përket Historisë, si dhe Revolucioni i Tetorit, për të cilin po flasim.

E vlen të theksohet edhe diçka tjetër. Gjatë Komunës së Parisit, frymëzuesit e saj, themeluesit e Socializmit Shkencor, siç i kemi njohur ne në shkollë, Marksi dhe Engelsi, ishin akoma gjallë, por në vend që të gjendeshin atje, në Paris, e të udhëhiqnin revolucionin e frymëzuar prej tyre, ata e ndoqën atë nga jashtë. Më pas, ata do ta analizonin e kritikonin atë, por tashmë qe vonë. ( Sa për kuriozitet: Në Tiranë është një rrugë që mban këtë emër ).

Dhe ja tani ne po përjetojmë 100 vjetorin e asaj ngjarjeje, që siç thamë, tronditi Botën. Për këtë përvjetor, kanë filluar të botohen prej kohësh shkrime e studime, nga analistë e autorë të tjerë me autoritet; janë organizuar konferenca akademike e lloj-lloj tubimesh të tjera. Lexuesi kureshtar, me një klikim në Internet, gjen me qindra në mos dhe me mijëra burime informacioni, për gjithë sa thamë më sipër. Unë po përpiqem, si përherë në shkrimet e mija modeste, ta shoh atë në një përjetim thjesht personal.

Nuk e di se si do të përkujtohet kjo ditë në Rusi, pse jo dhe në vendin tonë, por mund të them me bindje se si do të përkujtohej ajo sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet epokale të fund-shekullit të kaluar që sollën pluralizmin, shëmbën Murin e Berlinit, shpërbënë Bashkimin Sovjetik dhe shënuam fillimin e një epoke të re. Përgatitjet për ta festuar atë sa më madhërishëm, do të kishin filluar prej kohësh.

Propaganda për sistemin e ri, që e pat zanafillën në atë nëntor historik, do të kishte një kreshendo të ndjeshme duke kulmuar me parada ushtarake e manifestime madhështore, në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek ne, sigurisht po të mos ishim prishur me Hrushovin. Por ja që ngjarjet rrodhën siç nuk ishin parashikuar dhe sot, ky 100 vjetor i atij Revolucioni që “tronditi Botën”, po përjetohet krejt ndryshe.

Për hir të së vërtetës, duhet pohuar se sistemi komunist, që e pati zanafillën tek ai revolucion, kishte konsoliduar një shtet apo diktaturë aq të fuqishme, sa që vështirë të mendohej se mund të vinte një ditë e të përmbysej. Këtë nuk e them unë, por e pohojnë gati të gjithë ata që janë marrë me problemet e Bashkmimit Sovjetik e të vendeve të Europës Lindore.

Unë nuk do të isha i sinqertë me lexuesin po të thosha tani se e prisja një dështim të tillë. Ne, me kohë e patëm kuptuar se në zhvillimet tona kishte diçka që nuk shkonte, por as që na priste mendja se ai sistem edhe mund të merrte fund një ditë, siç e meritonte, nga që laku në qafën e popullit kishte arritur aty ku nuk mbante më, qoftë për nga ekonomia që kishte rënë në kolaps të plotë, ashtu dhe për nga liritë e munguara, një luks i harruar prej kohësh tek ne. Keq na vinte, por s’kishim se ç’të bënim. Kishim krijuar bindjen se ai qe fati ynë dhe po e përballonim atë realitet të përçudnuar në heshtje.

Por, në të tilla përfundime nuk ishim të vetmit. Bashkimi i ashtuquajtur i lavdishëm Sovjetik, tashmë ishte kthyer në një supefuqi që vështirë të të shkonte në mendje se mund të shkërmoqej ndonjë ditë.

Kjo situatë apo dhe bindje vazhdoi deri në fund të viteve ’80, të shekullit të kaluar. Gorbaçovi, me Perestrojkën dhe Gllasnosin, krijuan një klimë krejt të re. Të krijohej përshtypja se sistemi komunist edhe mund të mbijetonte në ndonjë formë më njerëzore, siç u përpoq në Çekosllovaki i ndjeri Dubçek, e që e pagoi aq shtrenjt. Por, siç e dimë, as ky supozim nuk u realizua.

E thamë dhe më lart se Bashkimi Sovjetik apo dhe satelitët e tij, kshin mundur të paraqisnin një pamje të gënjeshtërt të realitetit të ashtuquajtur socialist. Në ato vite nuk kishte Internet dhe mjete të tjera të komunikimit e informimit masiv, si tani. Nga ana tjetër, diktatura e ashtuquajtur e proletariatit qe ndër më të tmerrshmet që kishte njohur historia. Por, për hir të së vërtetës, duhet pohuar se jo të gjithë mendonin kështu. Realiteti, shifrat dhe faktet tregonin krejt të kundërtën e asaj që propagandohej me aq bujë. Pikërisht në këto vite, u botua libri i Sbignev Brzezhinskit, “Dështimi i madh, Lindja dhe vdekja e Komunizmit në shekullin e Njëzetë”.

Ia vlen të ndalem pak më gjatë tek ky libër, që, për hir të së vërtetës, ishte dhe shtysa kryesore e këtij shkrimi.

Mua më ra në dorë vetëm pak kohë pas botimit, falë një kolegu të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, ku punoja në atë kohë, aty nga fundi i viteve ’80, të shekullit që lamë pas. Librin e lexova me një frymë dhe e skedova gjithë interes, sa nga faktet e të dhënat bindëse që jepte, aq dhe nga mënyra e të shkruarit. Për temën që po shtjelloj, mund të citoja faqe të tëra për të përligjur vlerësimin tim për atë libër e sidomos për autorin e saj. Për mua ai ishte një nga mendimtarët gjenialë që jetonin akoma. Ai kishte urrejtje të madhe për komunizmin dhe, ndryshe nga shumë kolegë të tij në universitete apo dhe në Partinë Demokratike amerikane, ai nuk pati asnjë iluzion për Bashkimin Sovjetik. Me shifra dhe fakte ai tregonte dështimin e komunizmit, si një sistem shoqëror utopik por që në të vërtetë qe një diktaturë e egër, ndofta e pakrahasueshme me të tjerat. Me argumenta bindëse ai vinte në dukje se regjimi që u vendos në Rusi pas Revolucionit të Tetorit, nuk kishte thuajse asgjë të përbashkë me teorinë marksiste për pushtetin e dalë nga populli e në shërbim të tij.

Autori, me të dhëna konkrete ballafaqon realitetet e dy superfuqive të kohës, Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së, përmes të cilave lexuesi, pa pasur nevojë për asnjë koment, e kupton se kush po jeton më mirë apo, për të qënë më të saktë, kush arrin të gëzojë e të shijojë të mirat materiale e kush i siguron ato përmes stërmundimesh raskapitëse në sasira e cilësira shumë më të ulta. Dhe vetë Hrushovi nuk e fshehu habinë kur u përball direkt me arritjet e sofistikuara teknologjike në Amerikë.

Fenomeni komunist, thekson ai, përfaqëson një tragjedi historike. Në analizë të fundit, politikat marksiste-leniniste buronin nga një keqinterpretim i historisë dhe nga një keqkonceptim fatal i natyrës njerëzore. Ai nuk mundi të marrë parasysh etjen bazë njerëzore për liri individuale, për vetëshprehje artistike dhe shpirtërore.

Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje e m’u ngulit si thikë në mendje qe parashikimi i tij gjenial, se ai sistem, shumë shpejt, do të merrte fund. “Parashikoj një skenë të tillë, – shkruan ai, – që më 2017, 100 vjet pas Revolucionit Bolshevik, të hapet në Moskë, atje ku është Mauzoleu, një ekspozitë e përhershme: “100 vjet të humbura kot! 50 milion jetë të humbura kot!”. Ky qe për mua një pohim tronditës, se ne akoma, siç thashë më lart, nuk besonim se do të ndodhnin ato që ndodhën. Edhe pse të gjithë e kuptonim se rruga ku kishim hyrë qe një katastrofë e vërtetë, prapë na dukej se sistemi do të mbijetonte, qoftë edhe duke u zvarritur. Nuk besoj se po shpreh vetëm mendimin tim. Madje dhe vetë Brzezhnski vë në dukje se “kriza përfundimtare e komunizmit bashkëkohor historikisht është dhe më dramatike, pikërisht për shkak të fillimit të saj të befasishëm”.

Në libër tema e komunizmit trajtohet gjerësisht e në disa plane. Ai ndalet dhe tek zhvillimet e pas-Luftës së Dytë Botërore kur Bashkimi Sovjetik ua imponoi atë sistem/regjim shumë vendeve të Europës Lindore, përfshi dhe vendin tonë. “Është fakt, – shkruan ai – se asnjë regjim komunist nuk e mori kurrë pushtetin si rezultat i vullnetit të popullit të shprehur lirisht”. Në renditjen që bën përsa i përket totalitarizmit, Shqipërinë e vendos të parën.

Libri në fjalë ndikoi ndjeshëm tek unë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës autorit të tij i cili ndërroi jetë më 26 maj të këtij viti, vetëm pak muaj para 7 nëntorit dhe nuk arriti të përjetonte apo edhe të gëzonte atë që kishte parashikuar rreth 30 vjet më parë.

Nju York, 6 nëntor 2017



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz