Basha: Sulmi i Ramës ndaj gazetarëve është kriminal

Basha: Sulmi i Ramës ndaj gazetarëve është kriminal

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka quajtur “kriminal” fjalimin e Kryeministrit Rama ditën e djeshme, ku sulmonte median dhe e akuzonte për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Fjalimi i djeshëm i Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar.

Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin e korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde e përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë me të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.”

Kreu i opozitës Basha kërkoi gazetarëve e organizatave ndërkombëtare ta denoncojnë e të mos heshtin përballë kësaj gjuhe urrejtjeje dhe të dhunshme të Kryeministrit Rama.

Reagimit të zotit Basha i është përgjigjur mënjëherë Kryeministri Rama duke deklaruar:

“Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre dhe kur gënjejnë e shpifin, por jot ë heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je I lirë të gënjesh e të shpifesh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty, por është e drejta jote të ribëhesh qesharak.”



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz