Mafia shqiptare e kokainës sundon në Amsterdam

Mafia shqiptare, e cila është shumë e fuqishme në MB, po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën. Ajo luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës të Amsterdamit.

Mafia shqiptare e kokainës sundon në Amsterdam
Dyqani i gomave të makinave Aroba

Me bastisjen e 14 ndërtesave dhe arrestimin e 7 të dyshuarve, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv, një vjeçar e gjysëm të një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare.

Departamenti holandez punoi në bashkëpunim me autoritetet italiane, të cilët kanë në ndjekje edhe më shumë shqiptarë të tjerë.

Rreth 100 kriminelë shqiptarë u vëzhguan në investigimin e Amsterdamit. Gjatë bastisjes u gjetën tre armë zjarri, një grantë dore, dhjetëra kilogramë kokainë dhe shumë marijuanë.

Kokainë me cilësi të lartë

Shqiptarët janë të njohur se ofrojnë kokainë të cilësisë së shkëlqyeshme kundrejt çmimeve të mira. Ata janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër.

Teksa në Itali paketat e kokainës që qarkullojnë janë 500-1000 kilogramëshe, policia e Amsterdamit ka gjetur kryesisht sasi më të vogla prej 30-40 kilogramësh.

Grupi, tashmë “i çmontuar” i Amsterdamit, operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shqiptarët dominojnë gjysmën e tregut të kokainës; ata menaxhojnë të gjitha rrugët tregtare dhe kanë investuar fitimet e tyre të drogës në pasuri të paluajtshme dhe në industrinë e mikpritjes( si hotele apo rezorte).

Grupi që ishte aktiv në rajonin e Amsterdamit importonte kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antëerpit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Evropën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe.

Shtëpi me garazhe të mbyllura

Anëtarët e organizatës së kapur kryesisht banonin në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga  të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime. Qiraja paguhej me para në dorë dhe shtëpitë ishin blerë me dokumentacionë të falsifikuara.

Të dyshuarit, përmendnin gjatë përgjimeve fjalën “bukë”, që do të thotë kile të kokainës. Ata gjithashtu përdornin celularë të tipit Blackberry, të koduar për komunikim të brendshëm dhe ishin në dijeni të hetimeve të policisë.

Fakti se Shqipëria, e cila Departamenti i Drejtësisë e konsideron plotësisht të korruptuar, dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian është bërë shqetësim për hetuesit, zyrën e taksave dhe bashkinë.

Policia dhe Departamenti i Drejtësisë po diskutojnë mundësinë për rivendosjen e vizave Shengen për shqiptarët. Kriminelët shqiptarë martohen rregullisht me prostitutat rumune për të fituar të drejtën e qendrimit në të gjithë Evropën Perëndimore.

Granata dore dhe kova me farë kanabisi

Ekipet SWAT të policëve të specializuar për raste me rrezikshmëri të lartë, arrestuan 7 të dyshuar në Amsterdam e në zonat përreth, dhe në një depo në Roterdam.

Në Amsteldijk dhe në lagjen Pijp, hetuesit dhe personeli ushtarak i specializuar në kërkimin e hapësirave të fshehura bastisën dyqanin e gomave të makinave Aroba, dyqan ky i vizituar shpesh nga i dyshuari kryesor – si dhe shumë kriminelë të tjerë të Amsterdamit.

Skuadra e Ministrisë së Mbrojtjes shkatërroi një granatë dore, ndërkohë që u gjetën 7 kova me farë kanabisi dhe disa cigare hashashi të pregatitura. Ata gjithashtu gjetën pajisje që përdorej për të “spastruar” veturat nga “çimkat” që policia mund t’i vendoste për përgjime.

Në Roterdam, policia zbuloi një depo që ruhej nga dy shqiptarë, ku fsheheshin dhjetëra kilogramë kokainë.


Ky artikull u publikua në median hollandeze Het Parool dhe u përkthye nga Exit.al.



Lini një koment

1 Koment për "Mafia shqiptare e kokainës sundon në Amsterdam"

avatar
trackback

[…] Ky është përkthim ekskluziv i Exit.al nga Het […]

wpDiscuz