I vetmi udhëheqës i vërtet i opozitës

Nga Carloalberto Rossi,
I vetmi udhëheqës i vërtet i opozitës

Në mënyrë të papritur, shefi i shërbimeve sekrete(pozicion përherë i debatuar), Visho Ajazi, i akuzuar si njeri i ish-Kryeministrit Berisha, u dorëhoq, duke lënë rrugën e hapur për zëvendësin e tij, i propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Me këtë veprim ai e bërë të panevojshëm, nëse do kishte pasur ndonjëherë një qëllim të tillë, çdo qëndresë nga ana e Presidentit Meta, dhe çdo përpjekje të çfarëdoshme për ta mbrojtur nga ana e ashtuquajturës opozitë e bashkuar në fushën e shahut të politikës shqiptare.

Në më pak se dy muaj përfundon mandatin edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, dhe Edi Rama mund të emërojë një njeri të vetin me një votim me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Në këtë pikë mbrojtja e të drejtave të opozitës do t’i besohet vetem vetingut, i cili duhet, nëse i besohet dekalratave më shumë se qëllimit, të përzgjedhë gjyqtarë dhe prokurorë të papërlyer dhe të pavarur. Por tashmë dihet se ushtrimi i vetingut kërkon akses në të dhëna të rezervuara të prodhuara nga shërbimet sekrete, dhe që këto të dhëna mund të shërbejnë për të zhdukur çdo person të papëlqyer nga qeveria.

Në këtë pikë do të kemi shah mat, dorëzim pa kushte. Një brez i djegur kot, projekte shterpë dhe shpresa të kota, një çerek shekull tranzicioni i flakur në kosh.

Çdo mbrojtje e mundshme e opozitës së bashkuar do të jetë e pafuqishme, dhe Rama do të ketë në atë moment pushtet absolut mbi vendin, i cili nuk është parë asnjëherë në politikën shqiptare prej gati 30 jetësh, pra, që nga koha e Enver Hoxhës.

Atehere, ndoshta nuk do të ketë më nevojë për kriminelët e liruar papritur nga burgjet, sepse punët e ndyra mund t’i bëjë vetë policia, dhe askush nuk do të mund të ndihet më i sigurt.

Kushdo që shqetëson mund të hidhet tutje me urdhër të policisë, dhe me ndonjë proces qesharak si ai që prej vitesh zbatohet kundër Dritan Zaganit apo policëve të tjerë që nuk u vunë në rrjesht.

E ashtuquajtura opozitë, e dërrmuar falë taktikave të tepruara, grindjeve të brendëshme, paaftësisë së plotë për të patur vizion e për të ndërmarrë aksione politike dhe, në fund, e braktisur nga ushtarët e saj pragmatikë të cilët po i ikin në kërkim të drejtuesve fitimtarë, tashmë ka filluar të ripozicionohet në një strategji të mos konfliktimit, apo ndoshta të pranimit të gjendjes pa patur forcën për të reaguar, me shpresën e rritjes së keqardhjes popullore në favor të saj, duke shpresuar tinëzisht në mëshirën dhe në bashkëpunimin e kundërshatrit të djeshëm.

“Më mirë një vend në tavolinën e shërbëtorit se sa në stolin e varjes” — duket se është refreni i tyre — “dhe herët a vonë do të vijë momenti që Ai do të ketë nevojë për mua…..”.

Një shpresë e vakët dhe e turbullt, vetëm një justifikim për humbje e sigurt të parashikuar në përmasa katastrofike, një qasje e denjë për kohë të tjera, asnjëherë të lëna pas përgjithmonë. Një udhëheqësi e shtirur e cila u shërbeu dhe i shërben vetëm atyre.

Populli nuk është mirë, ka humbur shpresën për të ndërtuar në këtë vend një botë më të mirë. Një popull që ndjen erën e tokës së djegur, që ka humbur besimin në kryetarët politikë që e kanë sjellë në këtë pikë, dhe që tashmë e di se çfarë e pret, ndërmjet taksave dhe gjobave, për të mos thënë më të keqen. Por edhe populli i kujton kohët e diktaturës dhe vetëcensurohet. “Lavdi partisë” është sllogani i vjetër, ende edhe sot i përshtatshëm për të mbijetuar si shërbëtor të pabesë në klimën e rikthyer moniste.

Shpresa e vetme, e vetmja përkujdesje është për hetimet e Prokurorisë së Katanias, të cilat mund të vertetojnë përfundimisht atë që të gjithë e dimë, por nuk duam ta themi, dhe që, mbi të gjitha, mund të nisë, që nga Italia, një proces që askush nuk mund ta ndalojë dot më.

Njeriu i Zotit, i papërlyer, i aftë dhe i pakorruptueshëm, që mund të bëjë të mundur atë që shqiptarët nuk kanë dashur apo nuk kanë qënë kurrë të aftë për të bërë, kundërshtari që shpartallon sistemin, ai që me shpatë në dorë do drejtojë popullin drejt emancipimit evropian, ai që do të ndërtojë botën e re që e presim prej shekujsh, këtë herë është një njeri të cilit askush nuk ia di emrin: Prokurori i Katanias.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz