“Ka punë, por nuk ka profesionistë!”

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei,
“Ka punë, por nuk ka profesionistë!”

Në shkurt të 2016-ës, Kryeministri Rama bëri një deklaratë, që vazhdon ende të përflitet gjerësisht, për nivelin e lartë të papunësisë në Shqipëri: “Vende pune ka, nevojë për punë ka, por nuk ka profesionistë që t’i përgjigjen kësaj nevoje.”

Kryeministri Rama vazhdoi më tej duke thënë:

“Ky është problemi: kemi mbjellë në vite të tëra një farsë, duke iu hapur autostrada për të hyrë në universitete me vend parkimi për të gjithë dhe diploma pa vlerë për të gjithë. Diploma thotë që je jurist, por dhe gjysëm-analfabet.”

E gjithë kjo retorikë u përkthye në një slogan të shkurtër: “Ka punë, por nuk ka profesionistë”. Një slogan i ngjashëm u përdor po atë vit në Panairin e Punësimit 2016 : “Në Shqipëri ka punë, duhen profesionistë”.

Shkojmë në korrik të vitit 2017. Kryeministri Rama publikoi në Facebookun e tij një listë të zezë, duke “turpëruar publikisht” 100 zyrtarë të administratës publike, që nuk “ishin sjellë” mirë ndaj qytetarëve. Pak ditë më pas, Kryeministri Rama shkarkoi të gjithë drejtuesit lokalë të zyrave të Hipotekës, e më pas drejtuesit e gjithë spitaleve . Pak ditë më parë, Ministrja e re e Drejtësisë Etilda Gjonaj shkarkoi dhe drejtorët e burgjeve, ndërsa Kryeministri Rama njoftoi shkrirjen e Drejtorive Arsimore Rajonale.

Për të gjitha rastet e mësipërme, qeveria hapi procedurat e reja të aplikimit për të plotësuar këto poste, por shenjat janë se qeveria do ta ketë të vështirë për të gjetur “profesionistët” që janë të nevojshëm.

Dje ministrja Gjonaj njoftoi se do të zgjasë afatin e aplikimit për 35 pozicionet e disponueshme në Regjistrin e Pasurive, pasi shumë prej aplikimeve ishin të dobëta:

“Ministria e Drejtësisë para më shumë se 15 ditësh ka bërë shpalljen e vendeve vakante të zyrave të Hipotekës në gjithë Shqipërinë. Na ka rezultuar që ka pasur kandidatura të dobëta. 25 për qind e tyre nuk kanë plotësuar kërkesat formale ligjore. Nuk arrijmë dot të kemi profesionistët më të mrë të vendit që t’i sjellim në funksionim normal këto zyra që janë gangrena e situatës së krijuar me pronat.

Iu bëj thirrje profesionale të gjithë atyre njerëzve që duan të kontribuojnë, të gjithë profesionistëve të zotë, të konkurrojnë që t’i jepet fund problemit me pronat.”

Pra, përse nuk ka profesionistë?

Origjina e këtij problemi mjaft të gjerë duhet të kërkohet në dy fusha: sistemi arsimor dhe stili qeveritar i Edi Ramës.

Është e vërtetë se sistemi arsimor publik, i shtrenjtë dhe i pafinancuar njëkohësisht, po “hedh në treg”, vit pas viti, ekonomistë dhe avokatë të pakualifikuar. Raporti i fundit i akreditimit i Universitetit të Tiranës na tregon shumë. Pa reforma të thella e investime strukturore dhe të konsiderueshme në arsimin publik, kjo situatë nuk do të ndryshojë as në dekadën e ardhshme. Për fat të keq, Ministria e Arsimit nuk ka plane të tilla dhe universitetet private janë mjedise të pamundura për të kultivuar përkushtimin ndaj aparatit shtetëror – të diplomuarit, ata që vlejnë, ose hyjnë në tregun privat, ose thjesht largohen nga vendi.

Arsyeja e dytë është sërish e natyrës strukturore. Në momentin që të gjitha pozitat drejtuese të nivelit të mesëm në administratën publike janë nën kërcënimin e vazhdueshëm dhe personal të Kryeministrit, e çdo nëpunës civil “me përgjegjësi” mund të pushohet sipas dëshirës, ​​bazuar në thashetheme apo ankesa që Rama lexon në Facebook, tërheqja ndaj këtyre vendeve pune për çdo “profesionist” është padyshim shumë e ulët.

Në një sistem të rregullt,kandidatët më të natyrshëm për tu emëruar në krye të drejtorive do të ishin vetë nëpunësit civilë që dëshirojnë të promovohen në detyrë. Do të kishte një konkurrencë të natyrshme brenda vetë këtyre drejtorive ndërmjet drejtuesve të nivelit të ulët për promovim. Edukimi e trajnimi i brendshëm në këto institucione dhe ngritja e kapaciteteve nga vetë institucioni do ta lehtësonin këtë cikël natyror profesional.

Megjithatë, fakti që Ministrja e Drejtësisë tani ankohet për nivelin e ulët të aplikantëve tregon që edhe brenda këtyre drejtorive nuk ka njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për të mbushur pozitën e drejtorit. Problemi qëndron jo vetëm që nuk ka profesionistë jashtë qeverisë që duan të marrin vendin e punës. Nuk ka profesionistë as brenda tij. Ky është rezultat i një politizimi të thellë të administratës, e cila vazhdon të përforcohet nga vetë Kryeministri.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz