Rasti Tahiri do jetë hera e dytë që Kuvendi rrëzon prokurorinë – lista e 26 deputetëve të hetuar në vite

Rasti Tahiri do jetë hera e dytë që Kuvendi rrëzon prokurorinë – lista e 26 deputetëve të hetuar në vite

(Exit.al) — Ditën e mërkurë, Kuvendi do të votojë për kërkesën e prokurorisë për lejimin e arrestimit, kufizimit të lirisë dhe kontrollit të pasurive të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Nëse Tahirit nuk i hiqet plotësisht imuniteti, ky do të jetë vetëm rasti i dytë në 26 raste gjatë 27 viteve pluralizëm që Kuvendi rrëzon kërkesën e prokurorisë.

Duhe theksuar, se para vitit 2012, deputetët kishin imunitet të plotë ndaj çdo lloj hetimi—ndaj tyre nuk mund të fillohej asnjë lloj hetimi pa kërkuar paraprakisht heqjen e imunitetit nga Kuvendi. Në shtator 2012, imuniteti i deputetëve u kufizua vetëm në mbrojtjen nga arresti dhe kontrolli i pasurive, ndërkohë qe prokuroria mund të hapë në çdo kohë hetim npa kërkuar leje ngaKuvendi.

Më poshtë një permbledhje e shkurtër e të gjithë rasteve të shqyrtuara në Kuvend gjatë 27 viteve pluralizëm.

Ilir Meta, 1992 — Kuvendi i hoqi imunitetit me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për përfshirje në veprë penale të heqjes së paligjshme të lirisë. Akuza u konsiderua inskenim politik, dhe bazohej mbi dëshmi që përfshinin edhe Ilir Metën në mbajtjen me forcë të një personi që rezultoi histori e sajuar.

Fatos Nano, 1994 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të ndihmës emergjente ushqimore të qeverisë italiane, gjatë tre-mujorit të tij si kryeministër në 1991. Denoncimi u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Pas heqjes së imunitetit Fatos Nano u hetua dhe u dënua me 12 vjet burg.

Arben Lika, 1994 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të prokurorisë së përgjithshme për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Genc Ruli e Rexhep Uka, 1993 — Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit ndaj dy ish-ministrave të PD-së, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion në të ashtuquajturën “afera e drurit të ahut”.

Gafur Mazreku, 1997 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për atentat në sallën e Kuvendit ndaj deputetit Azem Hajdari.

Azem Hajdari, 1998 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme me akuzën për “nxitje të akteve të dhunshme dhe fyerje të policisë”, dhe si “kryesues të bandës së armatosur, që nuk i është bindur postblloqeve të forcave të rendit”.

Sali Berisha, Pjetër Arbnori, Leonard Demi, Vili Minarolli, Shaban Memia, Jemin Gjana, 1998 — Kuvendi u hoqi imunitetin për t’i hetuar për pjesëmarrje dhe organizim të trazirave të 14 shtatorit 1998.

Nikoll Lesi, 2004 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të prokurorisë për akuzën e nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Lulzim Basha, 2007 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e shpërdorimit të detyrës në rrugën Durrës-Morinë.

Fatmir Mediu, 2008 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për përfshirje në tragjedinë e Gërdecit.

Nikollaq Neranxi, 2008 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme me akuzën e kalimit kontrabandë të mallrave ushqimore nga Greqia për në Shqipëri.

Hajrulla Paturri, 2008 —  iu hoq imuniteti nga Kuvendi, pas një incidenti në një ndeshje futbolli.

Ilir Meta, 2011 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e korrupsionit.

Dritan Prifti, 2011 — Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të prokurorisë së Përgjithshme me akuzën korrupsion gjatë detyrës si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. Në një nga videot që pariti në prokurori, Prifti kishte regjitruar veten duke folur për mitmarrje.

Taulant Balla, Tom Doshi, Besnik Bare, 2012 —  Kuvendi i hoqi imunitetin me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për akuzën e “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” për ngjarjet e “21 janarit”.

Mark Frroku, 2015 —Kuvendi i hoqi imunitetin duke i hapur kështu rrugë Prokurorisë të kryejë arrestimin e tij me kërkesë të shtetit belg, për një vrasje të kryer atje.

Tom Doshi, 2015 — Kuvendi i hoqi mandatin me kërkesë të Prokurorisë për akuzën e shpifjes së një komploti për vrasjen e tij nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Armando Prenga, 2015 — Kuvendi i heq imunitetin me kërkesë të prokurissë për akuzën e plagosjes me armë zjarri të një personi gjatë një konflikti me familjen Cali për “lagunën e Patokut” në Lezhë.

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz