Ungjillorët marrin në dorë Ministrinë e Drejtësisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei,
Ungjillorët marrin në dorë Ministrinë e Drejtësisë

Me emërimin e Teuta Vodos dhe Toni Gogut si zëvendësministra të Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministri Edi Rama ia ka dorëzuar Ministrinë e Drejtësinë një ekipi njerëzish jo vetëm me mungesë të theksuar të përvojës në sistemin e drejtësisë, por çuditërisht të njohur në publik për besimet e tyre fetare.

Tashmë emërimi politik i një figure me peshë të lehtë si Etilda Gjonaj—e cila ka qënë vetëm disa muaj në postin e zëvendësministres së Drejtësisë, në periudhën maj-shtator 2017, dhe të vetmin funksion domethënës ka punën e kryer si komisionere pranë Avokatit të Popullit dhe pozicionin si projekt menaxhere pranë Komisionit Shqiptar të Helsinkit—shkaktoi debate mes vëzhguesve politikë.

Gjatë kabinetit të parë të Kryeministrit Rama, Ministria e Drejtësisë u drejtua nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila emëroi njëri pas tjetrit figura si Nasip Naço, Ylli Manjani dhe Petrit Vasili, të gjithë me përvojë në fushën e ligjit ose të politikës.

I vetmi entuziast për emërimin e Zonjës Gjonaj ishte ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, i cili iu drejtua asaj si “ministrja-e zgjedhur” në një letër urimi vetëm pasi u shpall si kandidaturë benda forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, shpallje e cila nuk ka asnjë vlerë sipas legjislacionit shqiptar, pa u propozuar dhe dekretuar zyrtarisht nga Presidenti. 

Ajo çfarë vlen për t’u theksuar është se Ministrja Gjonaj do të mbështetet në punën e saj nga dy zëvendësministra me një të shkuar edhe më shumë të diskutueshme. Dikush mund të mendojë se një person si Julian Hodaj, ish punonjës i OSBE-së dhe ish drejtor tek Ministria e Drejtësisë mund të ishte një plotësim i mirë i kesaj Ministrie. Por, përkundrazi ai u emërua zëvendësministër i Brendshëm. Ky vendim tregon sa e parëndësishme është Ministria e Drejtësisë për Kryeministrin Rama.

Në vend të specialistëve të reformës në drejtësi, Ministrja Gjonaj do të mbështetet nga zëvendësministrat Teuta Vodo dhe Toni Gogu, të dy aktivistë publikë ungjillorë.

Toni Gogu është pastor ungjillor dhe drejtor ekzekutiv i organizatës World Vision Albania, “një organizatë e krishterë, zhvillimi dhe advokimi ndërkombëtar”. Sipas një interviste të vitit 2012, ëndrra e Zotit Gogu është të “formësojë politikën publike me Ungjillin”. Gazetari që e intervistoi, duke ju referuar bisedës shprehet:

“Ishte në atë fazë të jetës së tij profesionale ku për fat të mirë i dha zgjidhje një vështirësie që kishte hasur. Misionarët e huaj që ndihmuan në nisjen e lëvizjes ungjillore në Shqipëri, në vitet 1990, e kishin bërë të qartë se vepra e Perëndisë duhej bërë nëpërmjet punës në kishën ekzistuese – ideale do të ishte si anëtar i klerit.

Por, duke parë nga prespektiva e tij disa mangësi të kishave “konvencionale”, veçanërisht paaftësinë e tyre për të arritur tek profesionistët e rinj, Toni Gogu arriti në përfundimin se thirrja e tij është për t’i shërbyer Zotit përmes punës së tij laike. […]

“Puna ime e ëndrrave,” shprehet ai, “do të ishte të ndihmoja në formësimin e politikave publike në Shqipëri me Ungjillin”.”

Një shembull, si Toni Gogu ka formësuar politikën publike shqiptare me Ungjillin është posti i tij i mëparshëm si drejtor i Departamentit Juridik të Bankës së Shqipërisë nën drejtimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani, periudhë gjatë së cilës korrupsioni ishte i gjithë përhapur në Bankë.

Për shembull, në vitin 2010 Banka e Shqipërisë mori nga qeveria Berisha përmes një marrëveshje të diskutueshme me vlerë 30 milionë euro godinën e braktisur të Hotel Dajtit.

Një skandal tjetër shpërtheu kur u zbulua se 7 milionë dollarë ishin vjedhur nga fondet e bankës. Edhe pse ish-Guvernatori Fullani u arrestua në vitin 2014 dhe u shpall përgjegjës për zhdukjen e parave, ai u lirua në gjykatë. Dy nga pesë akuzat për shpërdorim  detyre të ngritura kundër Fullanit ishin të lidhura me dështimin për të marrë masat e duhura ligjore për të garantuar procedurat e duhura në bankë, masat juridike që duhet të ishin hartuar nga departamenti i Gogut.

Askush nuk është dënuar për vjedhjen e parave, dhe Gogu, si për ironi të fatit, u bë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Përsa i përket bindjeve të tij politike, Gogu deklaron se do të sjellë “ndikimin e krishterë” në politikën shqiptare:

“I pyetur nëse ai e konsideron të hyjë në politikë, ai [Toni Gogu] përgjigjet: “Jo tani”, një përgjigje ndoshta e llogaritur për të lënë derën hapur për të ardhmen. “Ka shumë për t’u bërë në lidhje me vënien e Biblës në kontekstin e sportit, artit dhe politikës,” shton ai, “dhe ndikimi i krishterë në sferën e politikës po fillon në Shqipëri”.

Duhet të theksohet se sipas sistemit ligjor shqiptar, Bibla ka po aq vlerë sa një broshurë supermarketi.

Teuta Vodo ka përvojë pune të mëparshme si studiuese e politikave në Lëvizjen Europiane të Krishterë (ECPM), e përbërë nga eurodeputetë, pjesë e Grupit Evropian të Konservatorëve dhe Reformatorëve (ECR) në Parlamentin Evropian.

Ky grupim synon rikthimin e pjesës më të madhe të pushtetit të BE-së tek shtetet anëtare. Deputetët e ECPM thonë se ata promovojnë “vlera të krishtera në Evropë”. Për shembull, eurodeputeti Branisllav Škripek udhëtoi nëpër Sllovaki me slloganin “Fushatë për Jezusin”, ndërsa eurodeputeti Bas Gelder është anëtar i një partie holandeze fundamentaliste të krishterë që ndalon gratë të marrin pjesë në zgjedhjeve. Këto janë personat të cilët supozohet të ketë këshilluar Vodo për “politikën”

Është e paqartë se si dy zëvendësministrat e Drejtësisë me përvojë në të shkuarën si aktivistë të krishterë mund të respektojnë laicitetin e shtetit shqiptar sikurse sanksionohet në Kushtetutën e Shqipërisë.

Dhe në mungesë të një drejtimi me përvojë, duket se Ministria e Drejtësisë do të zhytet thellë në parëndësi, ndërsa vendimet e vërteta dhe politika në lidhje me sistemin e drejtësisë  dhe reforma e largët do të vendosen nga Ministria e Brendshme, e cila drejtohet nga një ish-oficer gjyqësor i komunizmit.



Lini një koment

1 Koment për "Ungjillorët marrin në dorë Ministrinë e Drejtësisë"

avatar
...
Guest

Dikush e tha para cakohesh qe, si ministrja e drejtesise sijo e shendetesise jane si zedhense te KM Rama. Para disa ditesh minsitrja e drejtesise doli ne konference per shtyp per te shpallur…mbani frymen….happjen e konkurseve ne zurat e regjistrimit te pronave.

wpDiscuz