Lokomotiva e “ndërtimit” dhe karburanti i pisët për ekonominë shqiptare

Lokomotiva e “ndërtimit” dhe karburanti i pisët për ekonominë shqiptare
Foto: Giuseppe Mancino (www.giuseppemancinofoto.it)

Në Paris, kur ecën ndërtimi, ecën gjithçka.

Kështu u shpreh para Asamblesë franceze, në vitin 1850, deputeti Martin Nadaut, një nga ndërtuesit e rëndësishëm të Parisit të asaj kohe.

Fjalët e tij mbetën në kujtesë dhe citohen, ndonjëherë gabim, nga çdo politikan evropian që kërkon të miratojë ndonjë projekt të madh ndërtimi.

Në të vërtetë, në ato vite, Parisi përjetonte një hov të madh ndërtimi dhe po rritej shpejt. Shumë francezë linin fshatrat e tyre për të kërkuar punë në kryeqytet dhe, duke qenë se nuk kishin ndonjë aftësi tjetër, arrinin të gjenin punë vetëm në ndërtim.

Dhe, pikërisht, kjo ishte logjika e Nadaut: nëse sektori i ndërtimit tërheq, atëherë gjithçka shkon mirë, sepse atëherë nuk do të ketë të papunë rrugëve e shesheve, nuk do të ketë ka protesta, e kështu nuk do të ketë as paqëndrueshmëri politike.

Kjo recetë ka funksionuar shumë mirë, në shumë raste të mëpasshme, si për të thithur të papunët, ashtu edhe për të vënë në lëvizje sektorët e tjerë ekonomikë të lidhur me ndërtimin, si fabrikat e çimentos, furrat e tullave, punishtet e gurëve dekorativë, fabrikat e çelikut, zdrukthtarët e dyerve, dritareve e mobiljeve, etj.

Por që të funksionojë, pra, që “ndërtimi të ecë”, përveç vullnetit politik (pra, lejeve për të ndërtuar) nevojitet të paktën edhe një faktor tjetër, vullneti i përdoruesve për të blerë pasuritë e paluajtshme të ndërtuara, ose të paktën për të financuar ndërtimet. Nëse askush nuk i blen ndërtesat, kapitali qarkullues i sipërmarrjeve të ndërtimit do të ndalojë, i çimentuar i gjithë në trupat e ndërtesave të pashitura, dhe sipërmarrjet nuk mund të vazhdojnë dot më ciklin e tyre, duke filluar një tjetër ndërtim, por duhet të ndalojnë e të pushojnë nga puna punëtorët.

Kredia bankare nuk mund t’i vijë shumë në ndihmë sipërmarrjeve të ndërtimit të kapur në këtë gjendje, sepse edhe sikur të arrijnë të marrin borxh nga bankat dhe t’i bëjnë këto para më shumë çimento e beton, përsëri herët a vonë do ju duhet ta kthejë borxhin, bashkë me interesat. Nga ana e tyre, bankat nuk duan që papritur të bëhen pronare të ndërtimeve që kanë marrë si garanci për kreditë që kanë dhënë, sepse bankat kanë nevojë për para, që t’ua japin ato hua dikujt tjetër për të fituar interesat, ndërsa ndërtimet që nuk shiten janë para e vdekur. Prandaj, në një gjendje të tillë, bankat vështirë se do të donin të financonin projekte ndërtimi pa patur sigurinë e arsyeshme se mund ta shesin ndërtimin me një çmim të përshtatshëm, nëse nuk ju kthehet huaja.

Një situatë e këtij lloji, që ekonomistët në zhargon e quajnë “flluskë ndërtimi”, plasi në Shqipëri gjatë viteve të shkuara duke filluar nga viti 2009, dhe solli falimentimin e shumë sipërmarrjeve ndërtimore, shumë kredi të panevojshme dhe papunësi. Ende sot sistemi bankar është duke u përpjekur të tresë volumin e madh të “borxheve të këqija” të krijuara nga ajo gjendje. Niveli i kredive që nuk paguhen është rreth 25 për qind e totalit të kedive të dhëna (ky nivel me anë të hileve në kontabilitet është “ulur” zyrtarisht në 15 për qind kohët e fundit).

Për disa vite rresht, që rastësisht përkuan me periudhën kur kryebashkiak i Tiranës ishte Lulzim Basha, tregu i pasurive të paluajtshme mbeti i paralizuar—pati pak ndërtime të reja, ndërsa çmimet mbeten të pandryshuara në mos në rënie, për shkak të mungesës së blerësve, ose më saktë ata që dëshironin të blinin shtëpi nuk kishin para për të blerë.

Ata pak ndërtues që kishin ende para të lirë shpesh shpesh u ankuan pse Bashkia Tiranë nuk jepte leje ndërtimi, por vetëm paralizimi pothuajse i plotë i ndërtimeve mundësoi rithithjen graduale të ndërtimeve të pashitura dhe shmangjen kështu të pasoja edhe më të rënda të sistemit bankar—nëse do të ishin dhënë leje të reja, ndërtuesit dhe bankat do të kishin përfunduar shumë keq.

Mbërritja në krye të Bashkisë Tiranë e Erion Veliajt—pas premtimit të tij të bujshëm, por po aq të kotë, se nuk do të lejonte askënd të ndërtonte—përkoi me një trysni të bashkërenduar nga ana e plot ndërtuesve, të zhytur në borxhe ndaj bankave dhe fajdexhinjve privatë, të cilët njohin vetëm një mënyrë për të fituar shpejt, të ndërtojnë pallate, të paktën në dukje shumë lluksoze, në qendër ose afër Parkut të Liqenit, në mënyrë që të mund t’i shesin me çmime shumë të larta tek ata që ende kanë para për të shpenzuar.

Bashkia u kënaq të merrte pjesën e saj, duke dyfishuar taksën e dhënies së lejes së ndërtimit, për të rritur të ardhurat që shpenzohen në ndërhyrje publike me shikueshmëri të lartë (si parqe lojërash, rreth rrotullime, fasada), por jo për shkolla, duke parë që kreybashkiaku u ka kërkuar të njejtëve ndërtues të ndërtojnë shkolla me metodën e qirasë financiare (etiketuar, volitshëm dhe dinakërisht, si partneritet publik privat), që në fund do të kushtojnë sa dyfishi dhe punimet do të jenë me cilësi më të dobët.

Filloi kështu një turravrap i ri për leje ndërtimi për vendet më të mira, për ndërtimin e godinave shumë të larta (dhe shumë të kushtueshme për t’u ndërtuar dhe për t’u mirëmbajtur) si për ndërtime apartametesh apartamente banimi, si për ndërtime hotelerie që, të paktën në synim, duhet të krijojnë infrastrukturën për zhvillimin e turizmit, m’u në qendër të Tiranës ose në vende më të mira të bregdetit.

Por sërish, llogaritë bëhen në fund, dhe nëse nuk ka kush t’i bleje këto ndërtesa, ky karuzel është e shkruar të ndalet shpejt, duke i lënë ndërtuesit me arkën bosh dhe territorin e vendit të shkatërruar nga kantiere të pambyllura.

Spekullimi politik i qeverisë (ndokush e quan strategji) është që këto ndërtesa prestigjioze do të tërheqin kapitalin e huaj, përmes kompanive turistike që do të investonin miliona në këtë infrastrukturë me qëllim për t’i dhënë vrull më pas aktivitetit të turizmit.

Likujditeti i madh i krijuar nga Banka Qendrore Evropiane për të stabilizuar tregjet dhe për të ndihmuar ekonomitë e vendeve të mëdha huamarrëse (Greqia, Franca, Italia dhe Portugalia) u ka siguruar investitorëve evropianë kapitale me interes të ulët për operacione të tilla, që do të garatojnë rindezjen e ekonomisë shqiptare, punësim të plotë dhe krijimin e një infrastrukture turistike që do të sillte zhvillim të vazhdueshem.

Këto janë gjepura, ose flluska, sepse kapitali i huaj nuk vjen në Shqipëri.

Nuk kanë ardhur deri më tani dhe nuk do të vijnë as në të ardhmen. Sepse të gjitha qeveritë e deritanishme kanë treguar se në Shqipëri nuk është e sigurt asgjë—nuk është i sigurt tregu (që të mund të blesh), nuk është e sigurt pronësia (që vazhdon të mbetet objekt i shpronësimeve të papaguara dhe shqyrtimeve gjyqësore), nuk është e sigurt drejtësia (që vazhdon të mbetet e bllokuar për vite nga një reformë spekullative dhe e palogjikshme), nuk janë të sigurta as zotimet dhe garancitë e dhëna nga qeveritë (që përgënjeshtrohen nga qeveria pasardhëse, në mos nga vetë qeveri që i ka dhënë) dhe, në fund, nuk është i sigurt as niveli i popullsisë (që prej disa vitesh ka rimarrë bindshëm rrugën e emigracionit dhe të azilit politik).

Biznesi i pasurive të paluajtshme kërkon që një sërë kushtesh të mbeten të qëndrueshme në periudha afatgjata, ndërsa strategjitë e klasës politike shqiptare, dhe mbi të gjitha strategjitë e sulltanit aktual të saj, nuk mbajnë më shumë se pak muaj.

Për më tepër, të rikrijosh besimin e shkatërruar për shkak të sjelljeve të vazhdueshme që kanë krijuar pabesueshmëri për një kohë të gjatë kërkon shumë, shumë durim.

E vetmja alternativë e shpejtë për financime të huaja, për të mund të çuar përpara me sukses këtë strategji të zhvillimit të pasurive të paluatshme, mbetet, pra, ri-investimi i të ardhurave të siguruara nga tregtia dhe prodhimi i drogës nga ana e organizatave kriminale shqiptare, të vetmet që mund të besojnë se kanë kapacitetin e duhur “ushtarak” për të mbrojtur investimet e tyre në Shqipëri nga babëzia e pashmangshme dhe e pangijshme e klasës së ardhshme të drejtuesve politikë.

Por edhe këto kapitale të krimit duhet të vijnë nga jashtë, dhe njësoj si të tjerët kërkojnë siguri dhe shpërblim, duke parë se shumë nga zotëruesit e tyre u mashtruan një herë, duke financuar, ndër të tjera, “pyllin” e tmershëm të ndërtimeve në bregdetin mes Durrësit dhe Kavajës, të gjithë papërjashtim të panevojshme, bosh dhe të mykura.

A jemi të sigurtë që nuk gjejnë zgjedhje më të mira?



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz