Vjen në jetë platforma e jashtëligjshme e “bashkëqeverisjes”

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei,
Vjen në jetë platforma e jashtëligjshme e “bashkëqeverisjes”

Dje, Kryeministri Edi Rama njoftoi qytetarët, përmes profilit të tij të Facebookut, për faqen zyrtare të platformës së “bashkëqeverisjes”. Platforma mban të njëjtin emër si sllogani zgjedhor i PS-së: “Për Shqipërinë që duam”.

Sipas Kryeministrit, kjo është platforma ku “qytetarët e zakonshëm” mund të bëhen anëtarë të “qeverisjes”— përmes fare pak hapave,  idetë, ankesat dhe dëshirat e tyre do t’i shkojnë drejtpërsëdrejti “qeverisë”:

Për çdo politikë, reformë apo projekt ligj; për çdo problem në komunitet apo në familje që ka lidhje me shtetin; për çdo sjellje abuzive apo marrëdhënie të vështirë në zyrat e shtetit.

Duke u bërë  miku i qeverisë, shqetësimi juaj mund të dëgjohet ose problemi juaj mund të zgjidhet dhe ju kontribuoni direkt për ta bërë këtë vend më të mirë, duke luftuar së bashku padrejtësitë në zyrat qeveritare.

Por ajo që është plotësisht e paqartë është lidhja e saktë e platformës me qeverisjen. Në të nuk ka asnjë referencë për Partinë Socialiste (përveç emrit të platformës), Kryeministrit apo ndonjë ministrie të veçantë. Faqja e internetit thjesht premton se do t’i vendosë përdoruesit e regjistruar në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë, me sa duket jashtë çdo lloj kuadri ligjor.

Megjithatë, gjuha e përdorur në faqe dëshmon qartë gjuhën e zakonshme të Kryeministrit:

“Shqipëria që duam” është një platformë e hapur komunikimi dhe ndërveprimi me qytetarët, e cila do të shërbejë për t’Ju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me Ju reforma e masa të rëndësishme, duke mundësuar ndikimin Tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor apo mbi ecurinë e punës së çdo ministrie e institucioni shtetëror; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë e parazitët e çdo niveli dhe duke reaguar ndaj tyre me zero tolerancë; për të nxitur e garantuar zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare ose vetjake të kujtdo prej Jush.

Kjo platformë është një instrument praktik i bashkëqeverisjes me çdo njeri të zakonshëm, që dëshiron të jetë pjesë e përpjekjes për Shqipërinë që duam. Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare.

Janë sfidat tona të përbashkëta!”

Mesa duket “as majtas, as djathtas” do të thotë Edi Rama, dhe Edi Rama, siç kuptohet qartë nga faqja do të thotë Partia Socialiste, e cila “ja ka dhënë borxh” slloganin e saj zgjedhor kësaj platforme jashtëligjore të krijuar për të “gjithë”.

Siç kam argumentuar më parë, këto nisma, të ndërmarra më herët edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, ish-hetuesi komunist Fatmir Xhafaj, dëmtojnë rëndë sundimin e ligjit në Shqipëri.

Ashtu si në çdo vend tjetër, në Shqipëri ekzistojnë procedurat zyrtare të ankesave dhe ka institucione, siç është Avokati i Popullit, të cilët janë të krijaur me Kushtetutë për t’u kujdesur për këto shqetësime e ankesa. Këto procedura dhe institucione garantojnë pavarësinë e hetimit dhe mbrojtjen e qytetarit që ankohet. Ato mund të mos jenë optimale dhe mund të jenë të ngadalta, por të paktën ato ofrojnë mbrojtjen bazike ligjore.

Një tjetër “platformë” e tillë e sanksionuar me Kushtetutë për diskutim është Kuvendi. Deputetët zgjidhen me votim dhe paguhen për të përfaqësuar interesat dhe dëshirat e votuesve të tyre. Janë ata që duhet “të diskutojnë reformat dhe ligjet e rëndësishme” në emër të qytetarëve më pak të informuar. Janë ata që paguhen për t’i kushtuar vëmendje “çështjeve politike” në mënyrë të përditshme.

Platforma e nisur nga Kryeministri Rama, përkundrazi, është pa asnjë kuadër ligjor, pa mbrojtje për ata që ankohen apo denoncojnë korrupsionin, pa asnjë dijeni publike se kush qëndron pas kësaj nisme, pa rregullore apo procedurë, pa arkivë ose gjurmë në letër, pa transparencë apo debat.

Paqartësia e gjithë kësaj platforme shërben vetëm për një qëllim: arbitraritetin dhe tekat e Kryeministrit.

Pra, le të bëjmë një denoncim të parë: Faqja e internetit “Shqipëria që duam” është një përpjekje e dukshme për të korruptuar popullsinë shqiptare, për të krijuar një marrëdhënie klienteliste që nuk mbështetet në kodin ligjor shqiptar, por në kodin HTML të një nisme tjetër ndërvepruese të internetit e destinuar të dështojë në mënyrë të mjerueshme, si në rastin e StopKorrupsionit.al.

Platforma Shqipëria që duam krijon—e përsëris sërish—shpresën e rreme që çdo qytetar shqiptar mund të ketë ndikim të drejtpërdrejt “atje lart”.

Në vend që qeverisja të krijojë realisht kushtet në të cilat deputetët do të përfaqësonin vërtet “njerëzit e zakonshëm”, ajo kujdeset për të “ndërtuar skenën” e një tjetër zhgënjimi kolektiv.

 



Lini një koment

1 Koment për "Vjen në jetë platforma e jashtëligjshme e “bashkëqeverisjes”"

avatar
Frikacaku
Guest

Je i vetmi kritik qe jep argumente ligjore dhe mbi te gjitha ke aftesine dhe trimerine qe u mungon Shqiptareve “trima” (perfshi edhe mua) per te transmetuar vuajtjet e mia te perditeshme nga pamundesia per te demaskuar kete Kryeminister alucinant

wpDiscuz