Wess Mitchell është Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit në vend të Victoria Nuland

Wess Mitchell është Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit në vend të Victoria Nuland
Wess Mitchell, Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit

Wess Mitchell është emëruar javën e shkuar Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

Ai zëvendëson në këtë post Viktoria Nuland, e cila u dorëhoq në janar 2017 pas ardhjes në pushtet të Administratës Trump. Në periudhën e ndërmjetme, diplomati i karrierës Hoyt Brian Yee u ngarkua  përkohësisht me funksionet e Ndihmës Sekretarit.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën është personi politik më i rëndësishëm për hartimin e politikës dhe qëndrimeve të qeverisë amerikane në lidhje me Shqipërinë, si funksionari kyç politik për këto marrëdhënie.

Wess Mitchell u emërua në këtë pozicion nga Presidenti Trump në muajin qershor dhe u konfirmua nga Senati i SHBA-ve më 20 korrik. Ai e mori zyrtarisht postin javën e shkaur.

Ai ka studiuar për histori dhe shkenca politike në Universitetin Teknik të Teksasit, e më pas në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm në Universitetin e Georgetown kreu studimet e nivelit master për Studime Evropiane. Kohët e fundit Wess Mitchell kreu dhe doktoraturën në Universitetin e Berlinit.

Mitchell është ekspert për NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike. Ai bashkëthemeloi Qendrën për Analizën e Politikave Europiane (CEPA) në vitin 2005 dhe ka qenë president i saj që nga viti 2009.

Në vitin 2012, Wess Mitchell ishte këshilltar i fushatës presidenciale të kandidatit republikan Mitt Romney.

Ai është i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë, të cilën ai e quan një “vend revizionist”.

Disa ekspertë shprehen se fakti që Presidenti Trump e ka emëruar pasardhësin e Nuland, një ndër pozicionet kyç për marrëdhëniet e jashtme, pas pothuajse gjysmë viti jep përshtypjen e një politike të paqartë të tij drejt Evropës dhe Euroazisë.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz