As Erdogani nuk mundi t’i shpëtojë uniformat e Policisë së Shtetit

As Erdogani nuk mundi t’i shpëtojë uniformat e Policisë së Shtetit
Prezantimi i uniformave të reja të policisë, Nëntor 2016 - Burimi Facebook

Javën e shkuar, Ministria e Punëve të Brendshme anulloi tenderin e dytë të uniformave të policisë me justifikimin se asnjë prej kompanive ofertuese nuk përmbushi kriteret. Tenderi u anullua pavarësisht dy ceremonive prezantuese dhe përfshirjen personale të Presidentit turk Erdogan.

Në shkurt 2017, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri hapi tenderin për blerjen e uniformave, këpucëve dhe pajisjeve të tjera për policinë, me një fond prej 9,5 milionë eurosh. Rreth 75 për qind e fondit, pra 7,1 milionë euro ishin rezervuar vetëm për uniformat. Ish Ministri Tahiri i prezantoi uniformat e reja në dy ceremoni madhështore për publikun.

Ky ishte tenderi i dytë pasi tenderi i parë me vlerë 808 mijë euro, në janar 2016 për uniformat e policisë u fitua nga Marsi&Al shpk. Uniformat e prodhuara nga Marsi&Al u prezantuan gjatë ceremonisë të quajtur “Policia e gjeneratës së ardhshme”. Në shtator, ish-ministri Tahiri deklaroi se e kishte anuluar kontratën me kompaninë për shkak të cilësisë së ulët të uniformave të prodhuara.

Në nëntor 2016, gjatë një tjetër show, ish-ministri Tahiri prezantoi uniformat e policisë, tashtë “të korrigjuara”, për të cilat falenderoi presidentit turk Erdogan për “mbështetjen e tij”, duke lënë të nënkuptohej se Turqia do të ndihmonte financiarisht për këto uniforma, dizajni i të cilave është kopje e atyre të policisë turke.

 

Kohët e fundit, Presidenti Erdogan ka premtuar, po ashtu, se personalisht do të ndihmojë qeverinë shqiptare për të ngritur një linjë ajrore shqiptare.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz