Komisioni Europian: Qeveria të ndryshojë Kodin Penal, martesa e të miturve është krim

Komisioni Europian: Qeveria të ndryshojë Kodin Penal, martesa e të miturve është krim

Në përgjigje të kërkesës me shkrim të eurodeputetes Monica Matovei lidhur me fenomenin e martesës së fëmijëve të mitur në Shqipëri, Eurokomisioneri Johannes Hahn deklaroi se qeveria shqiptare duhet të marrë nisma ligjore që detyrimi i fëmijëve për tu martuar të quhet vepër penale. Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë përpjekje domethënëse përveç disa nisma për të ndryshuar Kodin Penal.

Komisioneri Hahn u shpreh se qeveria shqiptare ka marrë rreth 6 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian për të përmirësuar situatën e komunitetit rom dhe egjyptian. Në vend të kësaj, qeveria i ka nxjerrë vazhdimisht këto komunitete nga shtëpitë e tyre e i ka hedhur në rrugë, duke shkelur të drejtat e njeriut.

MEP Matovei iu drejtua Parlamentit Evropian si më poshtë:

“Martesa e fëmijëve në Shqipëri është një çështje komplekse. Varfëria, mungesa e vlera gjatë edukimit të vajzave, izolimi gjeografik, përjashtimi social, trafikimi dhe emigracioni – së bashku me qendrimet ndaj seksualitetit dhe rolin e kufizuar të grave në shoqëri – janë faktorë që ndikojnë.

Sipas Unicef, një në 10 vajza në Shqipëri është martuar para moshës 18 vjeç, ndërsa Qendra për Hulumtime për Zhvillimin Njerëzor ka theksuar faktin se një pjesë e madhe e këtyre martesave kryhet përmes ndërmjetësimit me palët e treta pa pëlqimin e gruas / vajzës.

Për më tepër, Kodi Penal i Shqipërisë nuk e kriminalizon fenomenin, i cili në Shqipëri është i njohur, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta ku mbizotëron mentaliteto patriarkal dhe varfëria. Rreziqet për vajzat e mitura që përfshihen në një martesë të tillë, si abuzimi seksual, aborti dhe komplikimet e shtatzënisë, janë të larta.

Çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian për të ndrequr situatën dhe për të siguruar që Shqipëria të penalizojë martesën e detyruar të fëmijëve dhe martesën e fëmijëve nën një moshë të caktuar?”

Përgjigjia e Komisionerit të BE Johannes Hahn ishte si më poshtë:

“Komisioni është i vetëdijshëm se martesa e fëmijëve mbetet një shqetësim, veçanërisht mes anëtarëve të grupeve të caktuara vulnerabël. Martesat me të mitura ndodhin kryesisht në zonat rurale dhe vihen re mes fëmijëve romë, siç theksohet në Raportin e Komisionit të vitit 2016 për Shqipërinë.

Komisioni është i vetëdijshëm për shqetësimet e organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë këtë fenomen, të cilat theksojnë se vajzat e reja deri në moshën shtatë vjeçare dhe djemtë e moshës nentë vjeçare konsideroheshin të martuara (dmth. të premtuara).

Komisioni do të vazhdojë të ndjekë nga afër situatën në Shqipëri dhe ta ngrejë çështjen me autoritetet përkatëse. Shqipëria është palë në Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës, e cila kërkon kriminalizimin e aktit të detyrimit të një fëmije të hyjë në një martesë dhe të joshjes së një fëmije në një vend tjetër për ta detyruar atë të hyjë në një martesë.

Duhet të theksohet se përmirësimi i kushteve socio-ekonomike të grupeve të prekshme është vënë në shënjestër në mënyrë specifike përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit: 6 milionë euro janë ndarë për të përmirësuar punësimin për komunitetet rome dhe egjiptiane, për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin lokal, qasjen në shërbime të barabarta, gjithëpërfshirëse dhe të decentralizuara dhe promovimin e integrimit të tyre në shoqëri.”



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz