Lumi Vjosa shkatërrohet nga ndërhyrjet e paligjshme

Lumi Vjosa shkatërrohet nga ndërhyrjet e paligjshme

Sot në Facebook, aktivisja Brizida Gjikondi ka denoncuar betonizimin e ujvarave të Lumit Vjosa nga kompania Hari Lena. Në fotot e publikuara në faqen e saj shihet qartë se në shtratin e lumit Vjosa ka nisur ndërtimi i një ure prej betoni.

Në lidhje me këtë denoncim, ka folur edhe Kryebashkiaku i Këlçyrës Ndoni, i cili tha se punimet kanë filluar që në muajin shtator dhe ende nuk dihet se kush janë personat që po kryejnë këto punime.

“Mesa di unë ky ndërtim ka filluar në fillim të muajit shtator, për momentin janë çuar vetëm material, kur kemi shkuar bashkë me Policinë nuk kemi gjetur njeri […].

Tek ne nuk është paraqitur asnjë njeri, Policia ka ardhur te ne që të marrë mendimin në lidhje me punimet. Më pas është depozituar një kërkesë nga zoti Hari Lena për të kërkuar leje dhe ne nuk i kemi dhënë” — u shpreh Kryebashkiaku Ndoni.

Kompania Hari Lena në vitin 2015 dhe në vitin 2016 ka paraqitur edhe një kërkesë për paisje me dokumentin e Vlerësimit në Mjedis me qëllim “Shfrytëzimin e ujrave nëntokësorë në Trebeshinë”, por Agjensia e Mjedisit nuk e ka miratuar VNM për mungesë dokumentacioni, ndaj çdo punim i kryer nga kjo kompani në këtë zonë është i jashtëligjshëm.

Lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë dhe rigjallërimi i parkut të Vjosës do të krijonte Parkun e parë të një lumi të këtij lloji në Europë. Por kjo mesa duket, nuk do të ndodhë pasi qeveria nuk po jep asnjë shenjë për mbrojtjen e saj.

Madje, qeveria nuk është tërhequr ende nga plani i saj për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë, pavarësisht se Parlamenti Europian (PE) ka miratuar një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet në mënyrë të veçantë për rastin e lumit Vjosa.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz