Rama e Veliaj hapin një tjetër kantier klientelist ndërtimi

Rama e Veliaj hapin një tjetër kantier klientelist ndërtimi
Rrethimi mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës

Ditët e fundit, zona mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, në anën perëndimore të Sheshit Skënderbej, është rrethuar për tu kthyer në një kantier ndërtimi. Me mbarimin e rindërtimit të Sheshit Skënderbej, Kryebashkiaku Veliaj njoftoi nisjen e një faze të dytë punimesh, gjatë së cilës sipërfaqe të mëdha përreth sheshit do të kthehen në kantiere ndërtimi duke siguruar ndotjen e vazhdueshme dhe bllokimin e trafikut në një prej arterieve kryesore të qytetit.

Renderi i Kullës “Sytë e Tiranës”

Kulla që do të ndërtohet mes dy rrugëve quhet “Sytë e Tiranës”. Ajo është projektuar nga kompania daneze Henning Larsen Architects dhe është fituesja e një konkursi arkitekture në vitin 2003, organizuar nga ish-Kryebashkiaku Edi Rama. Ndërtimi duhet të kishte filluar në vitin 2005 dhe të kishte mbaruar në vitin 2007, por projekti u shty me 10 vjet. Sipas projektit:

“Ndërtesa do të ketë banesa, zyra dhe dyqane në një sipërfaqe totale prej 55,000 metrash katrorë dhe një kullë 26 katëshe. E ndodhur në qendër të qytetit, ndërtesa do të jetë rezultati i parë i dukshëm i një masterplani ambicioz në shkallë të gjerë për Tiranën.”

Masterplani për të cilin flitet në projekt nuk është ai i miratur së fundimi, i hartuar nga italiani Stefano Boeri, por është masterplani i parë për Tiranën, hartuar në vitin 2003 nga Architecture Studio. Me fjalë të tjera, kulla “Sytë e Tiranës” është pjesë e masterplanit të vjetër të Ramës dhe nuk ka fare të bëjë me pretendimet e fundit të shprehura nga Kryebashkiaku Veliaj për “pyjet orbitale” dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara – pretendime të cilat tashmë i dimë që janë të rreme.

Kulla “Sytë e Tiranës” do të ndërtohet nga Edil Al-It, dhe punimet parashikohen të fillojnë në 2018. Edil Al-It, një kompani në pronësi të vëllezërve Dulaku, është po ashtu, një ndër më të afërtat me Kryeministrin Edi Rama. Kohët e fundit , Edil Al-It fitoi edhe tenderin për rinovimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës. pronarët e kësaj kompanie janë gjithashtu pronarët e kanalit televiziv Vizion Plus, i cili në të shkuarën ka censuruar gazetarët kritik ndaj qeverisë.



Lini një koment

1 Koment për "Rama e Veliaj hapin një tjetër kantier klientelist ndërtimi"

avatar
trackback

[…] me nisjen e punimeve për kullën “Sytë e Tiranës”, po në qendër, dhe me zbulimin e destinacionit të kullës pas Hotel Tiranës, është mëse e […]

wpDiscuz