Ministri holandez për kthimin e vizave: Do presim raportin e Komisionit Evropian

Ministri holandez për kthimin e vizave: Do presim raportin e Komisionit Evropian
Ministri holandez i Sigurisë dhe Drejtësisë Stef Blok

Në përgjigje të tre deputetëve të partisë kristian-demokrate, Ministri holandez i Sigurisë dhe Drejtësisë Stef Blok ka konfirmuar dje se ministria e tij është e vetëdijshme për dyfishimin e incidenteve kriminale të kryera nga shqiptarët në Holandë gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar veçanërisht  krimin e organizuar.

“Numri i incidenteve nga personat me kombësi shqiptare është në numër absolut dhe relativ të ulët. Megjithatë, një pjesë relativisht e madhe e këtyre incidenteve ka të bëjë me krime serioze të karakterit të organizuar. Rastet janë të përqendruara rreth Roterdamit dhe Amsterdamit, dhe kanë të bëjnë si me aktivitetet kriminale si trafiku i drogës, ashtu dhe me problemin e emigrantëve ilegalë shqiptarë në Hoek van Holland [qytet me port në jugperëndim të Holandës] dhe në zona të tjera ku ka porte.”

Në përgjigje të pyetjes nëse qeveria do të ndjekë sugjerimin e policisë dhe prokurorisë holandeze dhe të marrë në konsideratë nisjen e procedurave, siç parashikohen nga BE, për të rikthyer regjimin e vizave për Shqipërinë, Ministri Blok u shpreh se qeveria holandeze do të presë për raportin e monitorimit të Ballkanit Perëndimor nga Komisoni Evropian [KE], që pritet të dalë në fund të këtij viti.

“Qeveria [holandeze] është e vetëdijshme për amendimet në rregulloren e Shengenit. Aty përfshihet  dhe marrëveshja për monitorimin nga Komisioni Evropian të vendeve që lëvizin pa viza në zonën Shengen. Në këtë kuadër, Komisioni Evropian ka njoftuar një raport monitorimi mbi Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aty dhe Shqipërinë. Ky raport pritet të dalë në fund të vitit. Qeveria dëshiron të shohë rezultatet e këtij raporti që përmban informata dhe të dhëna objektive, konkrete dhe relevante nga autoritetet përkatëse përpara se të shqyrtojnë nëse duhet të apelojnë në procedurën emergjente [të rikthimit të regjimit të vizave].”

Në fund të reagimit të tij, ministri Blok gjithashtu konfirmon se “hetimi, ndjekja penale dhe dënimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet janë dy nga pesë kushtet për çdo hap të mëtejshëm në procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë”.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz