FMN kritikon qeverinë për planin “1 miliardë dollarë” me PPP

FMN kritikon qeverinë për planin “1 miliardë dollarë” me PPP

Në përfundim të misionit të tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar konstatimet paraprake për situatën ekonomike të Shqipërisë.

Një nga gjetjet më shqetësuese është kritika e fortë e FMN-së për planin e qeverisë për të shtrirë edhe më tej përdorimin e partneriteteve publike-private nëpërmjet asaj që kryeministri Edi Rama e quajti “Plani 1 miliard euro”. Kritika kryesore e FMN-së është se pagesat e bëra nga shteti tek partnerët privatë, siç është rasti i Bashkisë Tiranë që do të paguajë subjektet private për ndërtimin e shkollave​, nuk reflektohen siç duhet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik:

“Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik.”

Në shkurt, FMN e mohoi faktin se qeveria ishte konsultuar më parë me Fondin për planin e “1 miliardë dollarëve” investime nëpërmjet kontratave PPP të Kryeministrit Rama. Jens Reinke, përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, deklaroi:

“Është e rëndësishme të merret parasysh se jo gjithmonë PPP-të janë mënyra më efektive nga pikëpamja e kostos për të financuar investimet publike. Financimi i projekteve nëpërmjet PPP-ve nuk duhet bërë kurrë për arsyen e vetme që ato të mbahen jashtë bilancit.

Projektet që zbatohen si PPP duhet të kalojnë nëpërmjet të gjithë vlerësimeve dhe prioritizimeve, ashtu si të gjitha investimet e tjera publike që ndërmerren.

Përveç kësaj, qeveria duhet të vlerësojë dhe kostot fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga subvencionet apo garancitë që shoqërojnë PPP-të.

Rreziqet për financat e qeverisë në afatin e gjatë duhet të jenë transparente në të dhënat fiskale dhe duhet të menaxhohen në mënyrë të kujdesshme.”

Por kjo nuk ishte e vetmja kritikë të FMN-së.

FMN gjithashtu paralajmëroi qeverinë kundër “dhënies së përjashtimeve të reja tatimore ose trajtimeve të taksave preferenciale, ose uljes së normave tatimore”, pasi qeveria Rama në fakt njoftoi kohët e fundit një program për dhënien e investimeve të huaja në turizëm një regjim pa taksa për 10 vjet.

Për më tepër, FMN-ja është kritike ndaj planit të Ramës për bashkimin e taksave dhe zyrave doganore:

“Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore.”



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz