Fenomeni Rigerta dhe Sindroma e Stockholmit

Nga Rezearta Çaushaj,
Fenomeni Rigerta dhe Sindroma e Stockholmit

Trasmetimet e ERTV dhe shfaqejet e përditshme të Kryebashkiakut Veliaj nëpër media edhe kur ai ndodhet jashtë shtetit janë vetëm dy nga shembujt që tregojnë se jemi pre të strategjive të komunikimit, të ideuara dhe të ekzekutuara me shumë kujdes nga pushteti. Nuk mund të jesh kurrë i sigurtë se një ngjarje publike, që bëhet objekt diskutimi i gjerë, nuk është orkestruar për të eklipsuar afera, politika të dështuar apo kriticizmin masiv ndaj politikave të qeverisë. Në të njëjtën skemë hyn edhe  fjalimi në Parlament i zonjës Rigerta Loku nga Mirëdita, në atë që edhe ajo vetë e quajti “Parlamenti i Parë Rural i Shqipërisë”.

Disa preferojnë të anashkalojnë personalitetin e një personi në favor të përqëndrimit tek fjalët e tij, por një shprehje e filozofit të famshëm danez Kierkegard thotë se “e vërtëta nuk është ajo çfarë themi, e vërteta është një jetë”. Pra, fjala e thënë duhet të përputhet me veprimet që njeriu bën. Në këtë kuadër është e drejtë të konsiderohen veprimet e Rigertës, jo si person privat, por si person publik, që pretendoi se tha disa të vërteta që na përfshinin të gjithë.

Ndërsa e dëgjoja fjalimin, e shtyrë nga reagimet që kisha lexuar në rrjetet sociale, u kujtova se më kishte rastisur disa herë të dëgjoja nëpër media të ndryshme, për vajzën që kishte mbaruar shkëlqyer në La Sapienza, për t’u kthyer në fshatin e vet me qëllim menaxhimin e një ferme.  Hera e parë ka qënë në mars të viti 2015, në emisionin “Pasdite në Top Channel” dhe historia e saj ndjek pak a shumë të njëjtën linjë, si ajo që pamë në Parlament.

Dalje televizive në atë kohë rastisi me fushatën e promovimit të  arsimit profesional nga qeveria, ku, që nga fillimi i 2015, shumë figura publike dolën të shpallnin avantazhet e edukimit profesional dhe se sa i mbingarkuar ishte tregu me diploma, që nuk i hynin as dreqit në punë.

Strategjia e qeverisë ishte të tregonte se tregut të punës i mungonin sakrificat tona personale dhe dashuria ndaj vendit, se ne jemi të gjithë shumë pretencioz, që nuk kemi kualifikime dhe nuk pranojmë as vendin e punës jashtë profilit që na gjen Zyra e Punës. Ja tek është një vajzë e thjeshtë, që ndryshe nga ne, që e kalojmë ditën në kafene, ka punuar shumë për të marr shkollimin më të mirë, ka dal me rezultate të shkelqyera e megjithatë, nuk druhet aspak të trasferohet nga Roma në fshatin e lindjes për t’u kujdesur për një tufë bagëtish dhe për të mbjell qepë.

Historia e Rigertës, sado e vërtetë dhe e admirueshme të jetë në vetvete, u përdor si shembull suksesi për të justifikuar mungesën e politikave për hapjen e vendeve të punës. Sado e vërtetë të jetë ajo, sërish, nuk është e vërteta jonë. Parë nga kjo lupë, profili i kufizuar publik i Rigertës  nuk ka qënë veçse një përforcues i një strategjie të qeverisë për të mashtruar qytetarët e vet. Nuk  vëmë në dyshim as sakrificat familjare, as ato personale, as vështirësitë e vendimit të saj, por vetëm të shpjegojmë se si përdoret një histori personale për të prodhuar një ndërgjegje të rreme publike.

Fjalimi i Parlamentit vjen në një moment po aq të leverdisshëm. Kryeministri Rama, që prej marrjes së mandatit të dytë, ka shpallur strategjinë e tij të bashkëqeverisjes me popullin, duke tentuar të jap idenë se po vendos komunikim të drejtëpërdrejtë me të. Çfarë mund t’i shërbente më mirë kësaj rrëfenje se sa sjellja në Parlament e njerëzve të thjeshtë, që “mallëngjejnë” me madhështinë, thjeshtësinë, saktificat dhe të vërtetën e tyre?

Me të drejtë, ngrihet pyetja se, a do lejonte pushteti që një njeri i thjeshtë të thoshte të vërtetën? A nuk ia mohon ai pothuajse të gjithëve këtë mundësi, në një mënyrë apo tjetër?A nuk ishte Kryeministri Rama dhe kabineti i tij i mallëngjyer, që përqeshi pak javë më parë të vërtetat që  Zoti Shehaj tha? Sigurisht! Sepse Zoti Rama është një lexues i kujdesshëm i perceptimeve publike dhe praktikisht gjithë komunikimi i tij mund të përmblidhet në një fjali të vetme:  ai na thotë pikërisht ato që duam të dëgjojmë. Duke futur në Parlament njerëz të thjeshtë, ai ushqen pretendimin e qeverisjes së bashku me popullin dhe në mënyrë të tërthortë, na thotë se ata janë e vetmja opozitë që ai njeh. Po a qëndron kjo?

Se sa shumë kjo qeveri vlerëson kritikat, reagimet dhe opozitën e popullit, e tregojnë përgjigjet e tij ndaj banorëve të Shkozës që i nxorri në rrugë; atyre të Zharrëzes që nuk i ka kompensuar ende; atyre që shohin shkatërrimin e Valbonës dhe Durrësit, atyre, që shohin Parqet Kombetare të shndërrohen në projekte për resorte turistike; atyre, që marrin rrugën e pashpresë të azilit; atyre, që mezi presin muajin e Llotarisë Amerikanë; atyre, që shohin betonizimin dhe mbipopullimin e qyteteve; atyre, që çirren për përmasat e krimit dhe kultivimit të drogës; atyre, që janë dhunuar në protesta; atyre që friksohen me anë të policisë; atyre, që dëshmojnë mbylljen e bizneseve të njerëzve të thjeshtë përditë dhe atyre, që nuk shohin një investitor në të ardhmen as kur përdorin lupë me shkallë të madhe zmadhimi.

Rrjedhimisht, pyetjet se kush e solli Zonjën Loku në Parlament mbeten legjitime, duke qënë se edhe një herë tjetër, ajo i ka zgjatur pushtetit zërin dhe historinë e saj kur ky ka patur nevojë. Në këtë kontekst, sa vlerë ka kritika e saj apo kujtdo që mund të ishte në vend të saj, kur momenti, mjetet, vendi ku ajo flet janë siguruar e mbështeten nga pushteti??

Kaq përsa i përket veprës së Zonjës Loku, le të shohim fjalët e saj. Kushdo që është i etur për të dëgjuar të vërtetën në Parlament, që është i lodhur nga lojërat politike, që nuk do të dëgjojë të njëjtit politikan të regjur, që s’e duron dot më teatrin që luhet në kurrizin tonë, duket i entuziazmuar të dëgjojë prej saj se gjendja në fshat është keq. Nuk ka rrugë, nuk ka ujë dhe njerëzit po ikin. Por këto janë të gjitha gjëra që dihen nga të gjithë, kush më pak e kush më shumë.

A mund të pretendojmë se kemi dëgjuar të vërtëtën, nëse në asnjë moment nuk pamë të drejtohej gishti mbi fajtorët? A nuk do ndjeheshim të gjithë të përfaqësuar nëse personi i thjeshtë,  që po flet në Parlament, i pajisur më një edukim shumë të mirë, të përmend se cilat politika kanë dështuar? A nuk do ishte më mirë që, në vend të klisheve të përhershme si rruga, dritat dhe uji, të dëgjonim se qeveria nuk ofron asnjë masë parandaluese ndaj sëmundjeve të gjesë së gjallë e më pas, nuk as siguron vaksina kur sëmundja godet, siç ndodhi në gusht  të 2016 me Dermatozën Nodulare? Që në rrethe e zonat rurale mungon shërbimi veternier në raste emergjencash dhe ka mungesë personeli, mjetesh laboratorike e specialistësh? Që fermerëve nuk u ofrohet informacion mbi përdorimin e duhur të kimikateve e pesticideve dhe mungon tërësisht kontrolli ndaj përdorimit të tyre? Që, megjithëse, pretendohet për të zhvilluar turizmin rural, asgjë nuk bëhet për ruajtjen e bio-diversitetit, të pasazheve natyrore rurale apo të identifikimit të vlerave kombëtare dhe tradicionale rurale?

Që programet e ndihmës, përveçse zhvillohen me procedura jo të qarta, që nuk ofrojnë informacion, janë shumë të kufizuara dhe jepen në bazë njohjesh? Që asgjë nuk është bërë për inkurajimin e përdorimit të teknologjisë në bujqësi siç është edhe qëllimi i Programi i Instrumentit të Para Aderimit për Zhvillimin Rural, nga i cili ne përfitojmë? Që inspektimet për sigurinë ushqimore në baxho e therrtore janë vetëm të formës rrufe, me qëllime gjobëvënie dhe vetëm disa ditë në vit? Që nuk është zgjidhur problem i tregjeve të gjësë së gjallë? Që raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për ndërtimet e HEC-ve apo veprave të tjera me pasoja katastrofike në mjedis, është pa pikë vlere në momentin që përpilohet nga persona jo ekspert apo blihet nga qeveria? E shumë e shumë raste të tjera.

Këto janë problemet reale të zonave rurale, por edhe politika të prekshme, shumë specifike të qeverisë, të cilat ka dështuar t’i adresojë sië ka premtuar.  Reduktimi i tyre në rrugë, ujë e drita, problem që artikulohet prej 27 vjetësh, shpërndan fajin dhe nuk vë qeverinë, e cila ka qënë në atë Parlament për 4 vitet e shkuara, para përgjegjësisë.

Prandaj, Rigerta nuk është një person, por një fenomen. Fenomeni i njerëzve, të thjeshtë apo me pozicion, që ndonëse ia kanë dal vetë të shkollohen mirë apo të ndërtojnë një sipërmarrje të suksesshme me forcat e tyre, i shtrijnë dorën pushtetit sapo ky u miklon pak egon. Të njëjtit pushteti, që u ka mohuar mundësi, që u ka vënë shkopinj nën rrota, që nuk i ka vlerësuar,  i jepet një dorë që të justifikojë dështimet dhe të ruajë pozitat politike. Kjo lloj Sindromë Stokholmi është gjithcka që nuk shkon në vendin tonë. Ajo fillon nga blerja e mbështetjes  publike nga figura të njohura që i bëjnë reklamë nismave të qeverisë deri tek “blerja” e njerëzve të thjeshtë , duke u ofruar atyre një moment vëmendje. Një akt i vogël personal me pasoja të rënda për të gjithë shoqërinë.

“Fshati po pret të rilind. Këtë po pret fshati!” – tha ajo në njëfarë pike.



Lini një koment

2 Komente për "Fenomeni Rigerta dhe Sindroma e Stockholmit"

avatar
trackback

[…] e Zyrës së Bashkëqeverisjes, shpalljen e shtetit një partiak dhe së fundmi, me rikthimin e fjalimeve emocionale (dhe politikisht të dobishme) si zbavitje cinike gjatë seancave […]

Donald Dervishi
Guest
Nuk më pëlqen fare çfarë ke shkruar, as nuk ia ke idenë e vështirësive që ka fshati, jo më të pretendosh dhe të paraqesësh një shkirm dhe të na mbushësh mendjen, se ajo që thua ti na qenkërka e vërteta. Rigerta doli si doli në parlament, gjeti lidhjet iu dha mundesia për të folur dhe u shpreh çfarë kishte ne zemër. Ato ishin fjalë të ndjera dhe unë e kuptoj këtë gjë, sepse kam jetuar dhe jetoj në fshat me lopë, dele, pula, dhi, mace dhe qenë. Prandaj ju gazetar përpara se të shkruani, ejani një herë në fshat, po… Read more »
wpDiscuz