Parku i Divjakë-Karavastasë, ndërtimi i resortit turistik rrezikon florën e faunën

Parku i Divjakë-Karavastasë, ndërtimi i resortit turistik rrezikon florën e faunën

Projekti i kompanisë Mabetex për ndërtimin e një resorti të madh turistik në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme florën dhe faunën unike të këtij parku.

Ivana Dervishi, shkruan për Reporter.al se gjatë një vizite në park me ekspertë mjedisor mund të zbulohen menjëherë rreziqet me të cilat ekosistemi i kësaj zone do të përballet nëse resorti turistik ndërtohet:

“Të shtunën, një grup të pasionuarisht të natyrës, vrojtuan shpendët në këtë zonë, mes tyre edhe Ervin Allushi, një specialist i menaxhimit të florës dhe faunës pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili tha për BIRN se zona është jetike për shumë specie.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është simbol për sa i përket numrit të shpendëve dhe specieve ku kemi rreth 245 lloje,” tha Allushi, duke shtuar se laguna është zona e vetme folenizimi për Pelikanin Kaçurrel.

Megjithatë, një megaprojekt urbanizimi i kompanisë Mabetex, në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova, Behxhet Pacolli, rrezikon t’i japë fund jetesës së qetë të shpendëve në këtë park.

Orintologu Taulant Bino, i cili studion shpendët dhe drejton organizatën AOS që merret me vrojtimin dhe mbrojtjen e tyre, e sheh si të pamundur bashkëjetesën e foleve dhe pallateve këtu.

“Për fat të keq, kjo ligatinë pavarësisht rëndësisë që ka kërcënohet nga faktorë të ndryshëm, por ai që ne e quajmë më të rrezikshmin dhe që në afatgjatë e heq nga faqja e dheut është zhvillimi i modeleve të turizmit masiv,” tha Bino duke folur për BIRN.

“Shqetësimi i pranisë së njerëzve, infrastrukturës që do të shtohet, [do të bëjë që] këtu të mos kemi më park apo një ligatinë, gjithë këta shpendë që shohim sot nuk do të jenë më sepse shtëpia e tyre praktikisht digjet,” shtoi Bino duke iu referuar megaprojektit.

Në maj, 20 organizata mjedisore europiane i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministrisë së mjedisit të mos i hapin rrugë projektit të urbanizimit të Parkut Divjakë-Karavasta, por ta lënë zonën në gjendjen natyrore.”



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz