Spanjë – A do të pranohet rezultati i referendumit për pavarësinë e Katalonjës?

Spanjë – A do të pranohet rezultati i referendumit për pavarësinë e Katalonjës?

90 për qind e votuesve në rajonin e Katalonjës votuan pro pavarësisë nga Spanja në referendumin e së dielës, i cili nuk njihet nga qeveria spanjolle.

Lëvizja e pavarësisë

Lëvizja e pavarësisë së rajonit të Katalonjës, e udhëhequr nga presidenti rajonal Carles Puigdemont, mbron idenë se Katalonia ka  të drejtë morale, kulturore, ekonomike dhe politike për vetëvendosje. Mbështetësit e saj ndjejnë se rajoni i tyre i pasur ekonomikisht, me një popullësi prej 7,5 milionë banorësh i ka dhënë më shumë shtetit të Spanjës sesa ka marrë në këmbim.

Mbështetja për pavarësinë e Katalonjës është rritur gjatë viteve të fundit, pasi Spanja po kalon një krizë të dhimbshme dhe të zgjatur ekonomike. Po ashtu, shumë katalanas janë ende të zemëruar për vendimin e gjykatës kushtetuese spanjolle shtatë vjet më parë për të anulluar ose riinterpretuar pjesë të statutit katalunik të autonomisë të vitit 2006, i cili do t’i jepte rajonit pavarësi më të madhe ekonomike dhe politike.

Vendosja gjeografike e rajonit të Katalonjës

Referendumi i 1 tetorit

Përpjekja e Katalonjës për të zhvilluar referendumin për pavarësi u shoqërua me përleshje me policinë ku mbetën të plagosur qindra persona, duke e kthyer ngjarjen në një nga testet më të vështira të demokracisë spanjolle që nga fundi i diktaturës së Frankos në vitet 1970.

Policia spanjolle, e dërguar nga qeveria qendore në Madrid, përdori plumba gome për të mbyllur qendrat e votimit e për të marrë kutitë e votimit.

Pjesëmarrja në votime

42,3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në referendumin e së dielës, duke vënë në pikëpyetje vlefshëmrinë e tij.

Pavarësisht shifrave, Presidenti katalanas Carles Puigdemont menjëherë pas mbylljes së votimit, deklaroi se rajoni i Katalonjës ka fituar të drejtën e shtetësisë.

Qeveria spanjolle, gjithsesi, ka deklaruar që më parë që nuk do ta njohë rezultatin e refendumit.

Evropa

Dhuna e përdorur nga qeveria spanjolle gjatë refendumit të së dielës, nuk është pritur pozitivisht nga Evropa, edhe pse kjo e fundit nuk e ka mbështetur kërkesën e rajonit të Kalononjës për pavarësi. Protesta të qytetarëve ndaj dhunës së policisë u zhvilluan dhe në qytete të tjera spanjolle, përveçse në Katalonjë. Disa organizata në mbrojtje të të drejtave të njeriut do të organizojnë greva urie në ditët në vijim.

Nuk dihet ende se nëse rezultati i referendumit do të pranohet apo jo nga qeveria spanjolle dhe se çfarë ndikimi do të ketë kjo lëvizje në gjithë Spanjën, si dhe në Bashkimin Evropian.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz