Edi Rama Call Center (ERCC): ministrat duhet t’u përgjigjen në telefon sipërmarrësve të mëdhenj

Nga Karlo Kuçi,
Edi Rama Call Center (ERCC): ministrat duhet t’u përgjigjen në telefon sipërmarrësve të mëdhenj
Kryeministri Edi Rama

Një varg i gjatë makinash superlluksoze ishin parkuar, në shkelje të rregullave të qarkullimit, përpara godinës së Kryeministrisë. Në fillim të vargut ishte një Rolls Royce Ghost, i cili kushton më shumë se 300 mijë euro, parkuar në fillim të perimiterit të sigurisë së jashtme të Kryeministrisë. Këto makina lluksoze ishin konturni i takimit të organizuar nga Kryeministri Edi Rama me taksapaguesit e mëdhenj shqiptarë me rastin e prezantimit të ministres së re të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Gjatë takimit, duke folur në mënyrë të përulur dhe të matur, përpara rreth 70 personave, Kryeministri prezantoi strategjinë e tij të re për marrëdhenien me biznesin e madh, duke konfirmuar se qëllimi i qeverisë është rritja e ekonomisë.

Ai shpjegoi se përpjekjet e tij të mëparshme për bashkëbisedim me botën e biznesit si krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe Këshilli i Investimeve nuk kanë funksionuar, ndaj tani qeveria e tij po e riprovon me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, që sipas Kryeminsitrit duhet të mbrojë sipërmarjet e mëdha nga vetë shteti, duke filluar që nga Ministri i Financave, e më pas nga nënpunësit e thjeshtë, shumë prej të cilëve u cilësun nga kryeministri si “hajdutë dhe parazitë”.

Në një farë mënyre, Rama i garantoi imunitet biznesit të madh (ose më saktë atyre që ai fton shpesh në këto takime) duke i këshilluar të mbrohen nga administrata publike, deri në pikën sa t’i përzenë nga kompanitë e tyre nënpunësit që paraqiten të veshur me blu xhins, dhe t’i telefonojnë menjëherë ministrit përkatës, i cili “duhet t’ju ngrejnë telefonin”.

Kryeministri foli edhe për edukatën e ministrave të qeverisë së tij, që mesa duket nuk i duket e përshtatshme. “Do të mbërrijmë në ditën kur shteti do të ngrihet në këmbë për të respektuar biznesin e madh, në ditën kur asnjë ministër të mos guxojë të mos përgjigjet në telefon kur e merr një taksapagues i madh,” u shpreh ai, por duket se është thjeshtë çështje fasade pasi minsitri duhet vetëm të përgjigjet, sepse pastaj “e zgjidh ose nuk e zgjidh, kjo është një gjë tjetër”.

Më pas, Kryeministri i përçmoi nënpunësit e ministrive, duke i përshkruar ato si të veshur “me blu xhins, me bluze me shqiponjë me tre koka, me stampa Halluini, me pantallona të shkurtra, duke i kërkuar llogari kompanive më të mëdha të Shqipërisë”.

Edhe në këtë rast, Rama nuk i lë hapësirë interpretimeve:

“…nuk duhet t’i prisni, duhet t’i perzini dhe duhet të filloni të thoni që i përzumë”.

Pra, Kryeminsitri Rama legjitimon mosbindjen qytetare kundër vetë qeverisë së tij për arsye estetike. Por provoni të imagjinonin nëse kolegët e tij të përdornin të njëjtin koncept për të, kur ai u shfaq në samitet ndërkombëtare më këpucë sporti, apo me bluzat me shkrim provokues, apo me kollaret e tij “origjinale”…

Por ende ka mbetur ndonjë gjurmë vetëdije, dhe Rama vë re se:

“E dini që ky është realiteti, e qeshni kur jua tregoj, por për t’u qeshur jemi ne, që lejojmë që këto personazhe që sot përfaqësojnë shtetit të diktojnë ligjin në oborrin e kompanisë suaj”.



Lini një koment

1 Koment për "Edi Rama Call Center (ERCC): ministrat duhet t’u përgjigjen në telefon sipërmarrësve të mëdhenj"

avatar
Niku
Guest

Turp dhe marrëzi. Jam shumë i dëshpëruar nga Edi Rama. Ai dhe partia e tij nuk e meritojnë më emrin «socialistë» ose «socialdemokratë».

wpDiscuz