Qendrimi i Ramës për transmetimin e Kuvendit bie ndesh me Gjykatën e Strasburgut

Qendrimi i Ramës për transmetimin e Kuvendit bie ndesh me Gjykatën e Strasburgut

(Exit.al) — Televizioni shqiptar—i cili paguhet me paratë publike të marra direkt nga qytetarët—ndërpreu sot furnizimin e sinjalit të drejtpërdrejtë tek televizionet e tjera, gjatë punimeve të Kuvendit.

Arsyeja e ndërprerjes ishte kërkesa e TVSH-së që televizionet e tjera të paguajnë për sinjalin që marrin prej tij sepse TVSH nuk do e ofrojë atë më falas.

Në momentin e parë u duk thjesht një veprim absurd që TVSH të sillet në këtë mënyrë arbitrare dhe të mos e ndjekë këtë çështje në mënyrë formale e dinjitoze si institucion publik.

Por duke ditur varësinë e thellë politike të këtij televizioni u dyshua që në fillim se ky veprim ishte koordinuar politikisht me qeverinë.

Kjo gjë u konfirmua, pa kaluar shumë kohë. Kryeministri Rama i cili jo vetëm mbështeti qëndrimin e TVSH-së, por njoftoi se në të ardhmen nuk do lejohen kamerat e asnjë televizioni, por Kuvendi duhet të investojë në teknologjinë e regjistrimit, dirigjimit dhe furnizimit me sinjal televiziv të punimeve.

Për ta justifikuar këtë gjë, Kryeministri solli shqetësimin e tij që televizionet private harxhojnë burime financiare për gazetarë, kamera dhe makina për të ndjekur punimet e Kuvendit, kur sinjali i punimeve mund t’u veje direkt në regji nga ana e vetë Kuvendit.

Përtej absurdit që në emër të Kuvendit flet Kryeministri, apo të absurdit që qeveria do të harxhojë para publike për të kursyer privatët, qëndrimi i Kryeministrit duket se bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut.

Në çështjen Selmani dhe të tjerët kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonsië, në maj të këtij vitit Gjykatë e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka mbajtur një qendrim për rastet kur gazetarët nuk lejohen që të ndjekin dhe transmetojnë direkt nga salla e parlamentit. Ajo vendosi se largimi i gazetarëve nga galeria e Kuvendit nga forcat e sigurisë ishte shkelje e të drejtave të tyrë të shprehjes duke theksuar se media ka një rol të rëndësishëm mbikqyrës, sidomos në situata të veçanta të debatit parlamentar. Mbi të gjitha, Gjykata e Strasburgut u shpreh se gazetarët kanë të drejtën të përjetojnë direkt ngjarjet që raportojnë, duke qenë të pranishëm. Ndjekja e ngjarjeve përmes transmetimit të kontrolluar të ngjarjeve—si për shembull transmetimi i sinjalit nga vetë parlamenti—i privon gazetarët nga ky element i rëndësishëm.

Gjashtë gazetarë maqedonas—Naser Selmani, Toni Angelovski, Biljana Dameska, Frosina Fakova, Snežana Lupevska, and Nataša Stojanovska—së bashku me gazetarë të tjerë të akredituar, po raportonin nga galeria e parlamentit të Maqedonisë, ndërsa në sallë zhvillohej debati mbi buxhetin e vitit 2013. Debati midis shumicës dhe opozitës qe i tensionar dhe jashtë godinës së parlamentit kishte grumbullime protestuesish.

Një grup deputetësh të opozitës krijuan problem në sallë ndërsa rrethuan kryetarin e parlamentit dhe godisnin me grushta tavolinë para tij, ndërsa të tjerë bllokuan podiumin duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve. Forcat e sigurisë filluan largimin me forcë të deputetëve nga podiumi për të rikthyer normalitetin, ndersa disa oficerë u kërkuan gazetarëve të dilnin jashtë nga godina. Disa gazetarë refuzuan të largoheshin duke theksuar se ishte detyra e tyre të informonin publikun për çfarë po ndodhte në parlament. Për këtë arsye ata u larguan me forcë nga salla.

Forcat e sigurisë më vonë deklaruan se largimi i tyre u bë për arsye sigurie, për të mbrojtur jetën e tyre, por gazetarët mohuan që t’u ishte bërë e ditur arsyeja për largimin e tyre.

Gazetarët u ankuan në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ishte shkelur e drejta e lirisë së shprehjes gjatë debatit parlamentar për një çështje me interes publik. Ata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të zhvillonte dëgjesë publike për këtë çështje.

Gjykata kushtetuese bëri një këshillim më dyer të mbyllura, pa pjesëmarrjen e palëve, dhe vendosi që largimi i i gazertarëve ishte në përputhje me Ligjin e Parlamentin dhe Rregulloren e Parlamentit dhe se largimi i gazetarëve ishte pjesë e largimit të të gjithë pjesëmarrësve nga salla, përfshi të gjithë deputetët. Dhe ishte bërë për një arsye të ligjshme, sigurinë e të gjithë të pranishmëve, në prani të akteve të dhunshme përfshi hedhjen e objekteve në sallë dhe në drejtim të galerisë ku ishin gazetarët.

Me pas gazetarëve u ishte dhënë e drejta të ndiqnin direkt punimet përmes transmetimit të sinjalit të ofruar nga kamerat e vetë parlamentit, duke mos penguar kështu detyrën e tyre të raportimit dhe informimit të publikut.

Gazetarët apeluan në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila vendosi në favor të tyre dhe kundër Maqedonisë. Gjykata u shpreh se gjykimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë pa dëgjuar palët ishte shkelje e Nenit 6 të Konventës Europiane e të Drejtave të Njeriut, që garanton “të drejtën për një proces të rregullt” si dhe e Nenit 10 që garanton “lirinë e shprehjes”.

Një nga vërejtjet kryesore të Gjykatës në arsyetimin e vendimit të saj ishte:

Largimi i ankimuesve [gazetarëve] nga galeria e parlamentit i kishte privuar ata nga e drejta të merrnin informacion bazuar mbi përjetimet e tyre vetjake të ngjarjeve që po ndodhnin në sallë.

Kjo do të thotë se transmetimi i punimeve nga kamerat dhe regjia e Parlamentit shkel të drejtën e gazetarëve për t’u njohur direkt me ngjarjen përmes vëzhgimit të tyre vetjak.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz