Korrupsioni me zyrat e OMN-së: simboli i dështimit të vetingut

Nga Natan Haasnoot,
Korrupsioni me zyrat e OMN-së: simboli i dështimit të vetingut

Ndonëse ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) kanë mbërritur në Tiranë dhe procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të fillojë në çdo moment, ndërtesa ku do të punojnë institucionet e vetingut—Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Kolegji i Apelimit (KA), dy Komisionerët Publik dhe personeli i tyre—është ende larg së qënit gati.

Ish-selia e lidhjes komuniste të shkrimtarëve—një monument kulture që deri para pak vitesh i shërbente Ministrisë së Kulturës—po shndërrohet në ndërtesën e vetingut.

Më 23 qershor 2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin 478, duke vënë në dispozicion rreth 770 mijë euro  për rinovim e godinës, para që do të paguhen nga fondi i rezervuar për zërin Arte dhe Kulturë të buxhetit të Ministrisë së Kulturës.

Ju lutem, mos lexoni një çast dhe shijoni ironinë e hidhur të faktit që fondet e paracaktuara për kulturën shkojnë për godinën ku do të strehohet personeli i reformës në drejtësi. Ndoshta, ky fakt mund të na bëjë ta shikojmë vetingun si një “kryevepër arti” të kryezhgarravitësit tonë.

Por një fakt tjetër është akoma më problematik: vendimi i Këshillit të Ministrave për ndërtesën e vetingut është marrë në të njëjtën ditë kur kanë filluar punimet për rinovimin e ndërtesës.

Asnjë planifikim, asnjë konsultim publik, asnjë prokurim publik!

Në vend të zbatimit të ligjit, paratë qeveritare të planifikuara për projekte kulturore u dhanë me “procedurë emergjente”, e njohur si “negocim, pa njoftim”—metoda më e përdorur nga qeveria. Thënë ndryshe, para të menjëhershme dhe të lehta për këdo që i ra fati të ishte në këtë kontratë qeveritare.

E cila kompani mund të ishte përfituesja fatlume e këtij projekti 6-mujor për rinovimin e ndërtesës?

K.A.E.Xh. shpk është kompania që do të kryejë punimet. Hera e fundit që kjo kompani fitoi një kontratë publike ishte në vitin 2013, për punime në ujësjellësin e Rrëshenit. Me fjalë të tjera, është kompani plotësisht e aftë për të ndërmarrë punime rinovuese të një monumenti kulture. (Me gjasa kompania nuk ka as licencën e veçantë të nevojshme për t’u lejuar të kryejë punime të tilla.)

Mbikëqyrësi i punimeve është, natyrisht, Atelier 4, kompania e përkëdhelur e Kryeministrit Edi Rama. Exit.al ka raportuar shumë herë si kjo firmë arkitekture është e përfshirë në pothuajse të gjitha projektet e qeverisë Rama, në fushën e ndërtimeve apo rindërtimeve, që nga projekti i Stadiumit Kombëtar, tek kulla pas Hotel Tiranës, Teatri i Operas dhe Baletit, Parku i Liqenit, bypasi shkatërrues i Gjirokastrës, Pazari i Ri, e kështu me radhë.

Në shumë nga këto raste, procedurat e tenderimit  kanë qënë të dyshimta, për të thënë më të paktën, ndërsa projektet që përfshinin Atelier 4 janë karakterizuar nga shkelje të kushteve kontraktuale, shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe mungesë transparence.

E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për mbikëqyrur punimet e ndërtesës së vetingut se sa Atelier 4!

E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për të garantuar që ky pallat i ri i drejtësisë, ky gur themeli i rendit të ri gjyqësor shqiptar, do të ketë frymën dhe staturën e duhur!

E cila kompani tjetër do të ishte më e përshtatshme për t’i treguar mbarë botës se shkaku i korrupsionit në Shqipëri është sistemi i drejtësisë se sa kompania simbol e qarkut të klientëve dhe oligarkëve që mban rreth vetes Kryeministri Rama!

 



Lini një koment

2 Komente për "Korrupsioni me zyrat e OMN-së: simboli i dështimit të vetingut"

avatar
Atelie $
Guest

Po kostoja prej 770,000 euro si ka dale? Po parate e hedhura me pare per rikonstruksionin e kesaj godine ku shkuan? Perse duhen investuar tere keto para per restaurim? A nuk ishin te mjaftueshme punimet e kryera me pare? Me kete kosto mund te prishej dhe te ndertohej nga e para nje objekt!!! Faqezinj!!! Por s’keni faj se askush nuk i ben llogarite e kostove ne kete vend. Edhe KLSH shkon ngjyen duart dhe le nga nje “rekomandim”

trackback

[…] profitiert auch hier Edi Rama, einer seiner Pseudo Baufirmen K.A.E.Xh. shpk, ohne jede Komptenz, welche zuletzt 2013, einen Bauauftrag erhieltm um das dem nun dem […]

wpDiscuz