Prishja e banesave në Shkozë: arbitraritet dhe shkelje e të drejtave të njeriut

Prishja e banesave në Shkozë: arbitraritet dhe shkelje e të drejtave të njeriut
Banorët e Shkozës gjatë

Qeveria po prish prej dy ditësh shtëpitë e banorëve të Shkozës, që gjenden pranë lumit Lanë, për t’i hapur rrugë një projekti për sistemimin e shtratit të lumit dhe zgjerimit të rrugës anash lumit. Në ditët e ardhshme do të shkatërrohen 153 shtëpi.

Banorët akuzojnë qeverinë për shkelje të të drejtave të tyre, ndërsa qeveria duket e vendosur për ta çuar deri në fund projektin e saj, duke u justifikuar me interesin publik.

Cilët janë faktet

Qeveria ka vendosur të sistemojë shtratin e përroit Lana në pjesën lindore të Tiranës, afërsisht nga materniteti Koço Glozheni deri në Shkozë, dhe rindërtimin dhe zgjerimin e rrugës që kalon paralel me të.

Projekti fillestar i qeverisë parashikonte që në zonën e Shkozës, ujërat e Lanës do të futeshin në një tub nëntokësor për një distancë qindra metrash, sipër të cilit do të kalonte rruga.

Befas, qeveria ka ndryshuar projektin dhe projekti i tanishëm parashikon ndryshimin e rrjedhës së Lanës në pjesën e Shkozës dhe ndryshimin dhe zgjerimin e gjurmës së rrugës ekzistuese. Kjo gjë bën të domosdoshme prishjen e rreth 150 shtëpive private ku banojnë rreth 250-300 familje.

Banesat që prishen janë ndërtuar nga viti 1960 e këtej, një pjesë me leje të rregullta ndërtimi të dhëna që para vitit 1991. Një pjesë e madhe e shtëpive nuk kanë certifikatë pronësie. Një pjesë kanë aplikuar për legalizim, por procesi i legalizmit është ndërprerë.

Banorët janë njoftuar në datën 14 shtator nga inspektorë të policisë ndërtimore për të bërë lirimin e menjëhershëm të shtëpive, duke ju premtuar dëmshpërblim në të ardhmen për shpronësimin, si dhe pagesën e qirasë së banesave të përkohshme nga Bashkia Tiranë, deri sa ata të mund të gjejnë strehim të tyrin.

Banorët kanë filluar protestat e menjëhershme kundër këtij vendimi. Ndër të tjera ata i janë drejtuar Ambasadës së BE-së dhe të SHBA-ve në Tiranë.

Të martën qeveria filloi prishjen e banesave për nxjerrjen forcërisht të banorëve.

Shkeljet ligjore

Shpronësimi i banorëve shkel një sërë të drejtash të banorëve dhe ligjesh.

a) Së pari, janë shkelur të drejtat kushtetuese të qytetarëve. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42 i cili shprehet:

E drejta e pronës private është e garantuar.

dhe

Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Kushtetuta lejon shpronësim vetëm pasi pronarëve t’u jetë paguar dëmshpërblim i drejtë. Në rastin konkret banorëve u është premtuar në parim shpërblim në të ardhmen, pa asnjë specifikim tjetër dhe mbi të gjitha pa asnjë vendim formal që vendos për këtë shpërblim.

Po ashtu e drejta e pronës është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet:

Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.

dhe

Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Në një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut është bërë e qartë se e drejta e strehimit përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara më mënyrë të paligjshme ose që ju mungon dokumenti i pronësisë.

Vetëm gjatë vitit 2016 ka patur dy raste që kanë komfirmuar këtë qëndrim të konsoliduar të Gjykatës së Strasburgut: Ivanova dhe Cherkezov kudnër Bulgarisë dhe Bagdonavicius dhe të tjerët kundër Rusisë.

b) Së dyti, aksioni i qeverisë ka shkelur një sërë ligjesh të tjera përfshi ligjet e informimit të publikut dhe të transparencës.

Megjithëse shtëpitë po prishen, nuk ka asnjë vendim qeveritar për shpronësimin dhe prishjen e banesave. Urdhërat janë dhënë në formë gojore, madje pasi disa deputetë ju premtuan banorëve se do të shikohen kërkesat e tyre dhe do të lëshohet një vendim qeverie, ndërsa Kryeministri Rama urdhëroi përmes Facebook që shtëpitë e tyre të prisheshin.

Vetë projekti i punimeve, ridrejtimit të Lanës dhe zgjerimit të rrugës, është bërë në mungesë të plotë transparence. Askush nuk di me saktësi se çfarë përmban projekti, pasi nuk është bërë publik asnjë studim, dokument, skicë, projekt në lidhje me ndërhyrjen.

Qeveria ka shkelur Konventën Aarhus që garanton aksesin e qytetarëve në informacionin që ka lidhje me mjedisin dhe pjesëmarrje në të gjitha vendimet që kanë lidhje me mjedisin. Në zbatim të kësaj konvente, qeveria duhet të kishte bërë publike gjithë informacionin mbi projektin dhe të kishte zhvilluar dëgjesë publike me qytetarët.



Lini një koment

1 Koment për "Prishja e banesave në Shkozë: arbitraritet dhe shkelje e të drejtave të njeriut"

avatar
trackback

[…] Qeveria Rama ka shkelur  të drejtat kushtetuese të qytetarëve, siç kemi sqaruar më parë më herët, por ajo ka shkelur edhe një prej kritereve të BE-seë për hapjen e […]

wpDiscuz