Rama nuk humbet kohë: në tetor miratohet importi i plehrave

Rama nuk humbet kohë: në tetor miratohet importi i plehrave

Programi i punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator-13 tetor 2017, ka përfshirë shqyrtimin e dekretit të Presidentit që refuzonte dekretimin e amendamenteve që qeveria Rama i bëri ligjit të mbetjeve.

Ligji i ndryshuar për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016.

Kryeministri u përpoq të hidhte poshtë dekretin e Presidentit, pra të rikonfirmonte importin e plehrave, gjatë ditëve të fundit të mandatit të shkuar, veçanërisht duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së opinionit publik për shkak të krizës politike. Kundërshtia e hapur e PD-së dhe hezitimet e LSI-së, si dhe reagimet e ashpra publike, e bënë të pamundur politikisht këtë miratim.

Tani që zgjedhjet janë pas dhe Rama ka siguruar shumicën i vetëm në Kuvend, miratimi i importit të plehrave do jetë veprim i thjeshtë formal.

Importi i mbetjeve u miratua fillimisht nga qeveria Berisha në shtator 2011, në kundërshtimin e ashpër të Partisë Socialiste në opozitë, lëvizjes mjedisore dhe mijëra qytetarëve të thjeshtë të cilët mblodhën firmat e nevojshme ëpr të kërkuar referendum popullor në lidhje me këtë çështje. Anullimi i importit të plehrave u bë një nga premtimet kryesore elektorale të Edi Ramës në vitin 2013. Pas ardhjes në pushtet, në mënyrë simbolike, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave, çfarë bëri të panevojshëm edhe vendimin e KQZ në lidhje me referendumin popullor për mbetjet.

Por në mënyrë krejtësisht të papritur, pa asnjë diskutim publik apo transparencë, në qershor 2016, Edi Rama vendosi lejimin e importit të plehrave duke amenduar ligjin e mbetjeve dhe duke e bërë atë më liberal ndaj importit edhe se ligji fillestar i qeverisë Berisha.

Importi i plehrave është kundërshtuar gjërësisht nga qytetarët dhe paraqit rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.

Justifikimet e qeverisë për lejimin e importit kanë qenë të mangëta dhe pak të besueshme. Justifikimi kryesor i qeverisë ka qenë detyrimi për harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, por kjo gjë u përgënjeshtrua nga BE e cila pranon që Shqipëria është e papërgatitur për mënaxhimin e importit të plehrave nga jashtë.

Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e tre impianteve të mëdha djegëse (incineratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille, çfarë ka rritur dyshimet se lejimi i importit të plehrave është bërë me qëllim për djegjen apo groposjen në Shqipëri të plehrave të Italisë dhe vendeve të tjera europiane.



Lini një koment

2 Komente për "Rama nuk humbet kohë: në tetor miratohet importi i plehrave"

avatar
trackback

[…] pas publikimit të programit të punimeve të Kuvendit për tre javët e parë, ku përfshihet dhe rikthimi për […]

trackback

[…] Prej të paktën dy vitesh Qeveria Rama është fokusuar dukshëm tek industria e grumbullimit dhe djegies së mbetjeve, me dhënien e lejeve për ndërtimin e disa inceneratorëve, hapjen e disa landfilleve dhe rikthimin në parlament të ligjit për importin e mbetjeve. […]

wpDiscuz