Perandoria e fshehur e “luftëtarit të korrupsionit”

Perandoria e fshehur e “luftëtarit të korrupsionit”

Ali Nagiyev, 59 vjeç, është një njeri i zënë me punë. Detyra e tij është të luftojë korrupsionin në Azerbajxhan, një nga vendet më të korruptuara në botë.

Si zëvendës-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme kundër Korrupsionit pranë Prokurorit të Përgjithshëm, Nagiyev duhej të hetojë zyrtarë të shtetit për konflikte interesi, nepotizëm dhe abuzime të tjera.

Pra, ai është një nga figurat kryesore të zbatimit të ligjit, i cili është përgjegjës për hetimin e lavanderisë Azerbajxhanase, një skemë e pastrimit të parave dhe fondit i fshehtë që përdoret nga elita qeverisëse e vendit për një listë të gjatë të krimeve financiare të mundshme.

Por ka një problem. Ali Nagiyev, djemtë e tij dhe nipi i tij Naghi duket se janë vetë përdorues të “lavanderisë” së mashtrimit financiar.

Familja Nagiyev është një familje e pasur në arenën ndërkombëtare, bizneset e të cilës shtrihen nga Baku në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI), me asete miliona dollarëshe në Republikën Çeke dhe Turqi. Burimi i këtyre parave nuk është menjëherë i qartë, pasi anëtarët e kësaj familje kanë punuar për shtetin përpara se të bëheshin baronë të pasurive të paluajtshme.

Bijtë e Aliut, Ilgar, 28 vjeç, dhe Ilham, 29 vjeç, kanë pasur një kompani me bazë në Pragë të quajtur AME Holding, e cila ka bërë investime të mëdha në Republikën Çeke, një destinacion shumë popullor për elitën e Azerbajxhanit. Sot, kompania është në pronësi të Nettle Stone Investments Ltd, një kompani e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë, ku  Ilham Nagiyev është aksionari i vetëm.

Një kompani me emrin AME Holding shfaqet në Lavanderinë Azerbajxhanase. Sipas të dhënave bankare, kompania mori 1.25 milionë dollarë nga Metastar Invest LLP, një nga kompanitë kryesore të skemës, në llogarinë bankare çeke në korrik dhe gusht të vitit 2013. Qëllimi i transaksioneve është renditur si “pajisje ndërtimi”, edhe pse nuk është e qartë se pse një kompani çeke e pasurive të paluajtshme do t’i shiste pajisje ndërtimi një firme britanike.

Për më tepër, njerëzit me të njëjtin emër si Aliu, dy djemtë e tij dhe nipi i tij Naghi gjithashtu morën para, që arrinin në shuma mbi 350 mijë dollarë, personalisht nga skema e mashtrimit financiar, po ashtu në llogaritë bankare çeke. Shumica e këtyre transaksioneve nuk kanë asnjë arsye se përse janë bërë, edhe pse në dy prej tyre shkruhet ishin për “kompjuterë”.

As Ali Nagiyev as vëllai i tij Vali nuk pranuan të komentonin për këtë artikull. Një zëdhënës i Prokurorit të Përgjithshëm tha se Ali Nagiyev është një luftëtar i efektshëm kundër korrupsionit dhe hodhi poshtë çdo pretendim të kundërtën si “pohime nga njerëzit ziliqarë”.

Pas kërkesës për koment nga familja Nagiyev, gazetarët e OCCRP u kontaktuan nga një tjetër gazetar azerbajxhanas i cili kërkoi një takim “për të diskutuar se si ta ndalonte artikullin”. Ai tha se po vepronte me kërkesën e familjes Nagiyev.

Ndërsa Ali Nagiyev ka fituar një profil të lartë mediatik për shkak të pozicioneve të tij të rëndësishme qeveritare, më pak dihet për familjen e tij. Kjo mund të jetë sepse Nagiyev më parë ka shërbyer si zëvendësministër i sigurisë kombëtare, një post në qeveri mbushur me sekrete e fshehtësi.

Ali Nagiyev u shkarkua nga posti i sigurisë në vitin 2011, pas konflikteve me ministrin e asaj kohe Eldar Mahmudov, por shpejt u rishfaq si zëvendësdrejtori i institucionit që heton korrupsionin.

Plane të mëdha, investime të mëdha

Në Republikën Çeke, Ilham dhe Ilgar Nagiyev kontrollojnë një agjensi  për pasuritë e patundshme dhe një perandori të ndërtimit të fokusuar në ndërtimin e hoteleve turistike dhe projekteve të zhvillimit të pasurive të patundshme. Kompanitë në pronësi të vëllezërve dhe partnerëve të tyre të biznesit kanë investuar shumë në kryeqytetin çek të Pragës dhe në qytetin Marianske Lazne, të famshëm për spa.

Ky qytet aktualisht është nën shqyrtim nga UNESCO për përfshirjen e mundshme në Listën e Trashëgimisë Botërore falë arkitekturës unike dhe të ruajtur mirë.

Projekti më ambicioz i vëllezërve Nagiyev është rindërtimi i një hoteli të dikurshëm Marianske Lazne, Hotel Palace Evropa, një investim prej rreth 59 milionë dollarësh.

Familja Nagiyev bleu një bllok të tërë të ndërtesave të trashëgimisë përmes AME Holding dhe po planifikojnë të lidhin rreth 10 ndërtesa për të krijuar një hotel me pesë yje i quajtur Vichy Célestins Spa Hotel në bashkëpunim me një kompani franceze. Rindërtimi do të ketë 104 dhoma, tri restorante, parkim nëntokësor, një sallë pritjeje ku do të pihet puro dhe dy kafene.

Sipas Miroslava Urbancova nga Bashkia e Marianske Lazne, projekti është ende larg përfundimit. Kohët e fundit, AME Holding ka kërkuar që të zgjasë afatin përfundimtar deri në qershor të vitit 2019.

“Ata filluan me një investim të madh,” tha Urbancova, duke shpjeguar se ekonomia e Azerbajxhanit u godit nga një rënie e mprehtë e çmimeve të naftës në vitin 2014. “Kështu ata ndaluan punën e rindërtimit dhe tani kërkojnë afate të reja për ta përfunduar. “

Vëllezërit Nagiyev po ashtu kanë investime të tjera në hotele dhe pasuri të paluajtshme. Së bashku me një grup biznesmenësh të shquar azerbajxhanë, ata kanë investuar edhe 46 milionë dollarë të tjerë në Pragë dhe Marianske Lazne.

Investitorët e tjerë përfshijnë Vusal Aslanov dhe Fuad Safarov, zëvendës drejtorët e Hekurudhave të Azerbajxhanit, dhe Malik Avaz Hasanov, një anëtar i parlamentit të Azerbajxhanit, si dhe vëllai i Karam Hasanov, shefi i Komitetit të Privatizimit.

Interesat e biznesit të vëllezërve në Republikën Çeke trajtohen nga një shtetas azerbajxhanas me emrin Eltay Dilbazi, i cili është drejtor ekzekutiv i të gjitha kompanive të tyre, duke përfshirë AME. Ai nuk pranoi të komentojë për këtë artikull.

Imperial Holding

Së bashku me një kompani tjetër çeke të pasurive të patundshme të quajtur Imperial Holding, Ilgar Nagiyev zotëron gjithashtu një kompani të quajtur JGY Çeki, e cila zotëron një ndërtesë në Rrugën Seifertova të Pragës.

Ndërtesa është vetëm pak minuta larg nga Universiteti i Ekonomisë dhe stacioni kryesor hekurudhor. Në nivelin e tokës, ndërtesa ka kafene, ndërsa pjesa tjetër e ndërtesës përmban apartamente për studentët e universitetit.

Imperial Holding gjithashtu zotëron ish Pallatin Rozkvet (që u shndërrua në një hotel) në zemër të Marianske Lazne, në qendër të sheshit kryesor.

Disa muaj pasi Imperial Holding  bleu hotelin, ai u dogj; shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar kurrë. Më pas, kompania premtoi të ndërtonte një kopje të saktë të pallatit, i cili ishte i famshëm për arkitekturën klasike. Por deri tani asgjë nuk është bërë. Rrënojat kanë mbetur ende të mbuluara.

Pronat e Panorama VVM

Familja Nagiyev është e lidhur edhe me Panorama VVM, një kompani që i përket shtetasit nga Azerbajxhani Parviz Mammadov. Mammadov shërben si menaxher i kompanive Nagiyev në Azerbajxhan dhe në Republikën Çeke. Ai është zëvendësdrejtori i financave të AME Holding.

Panorama VVM zotëron tre ndërtesa të mirënjohura në rrugën kryesore të Marianske Lazne: Javorina, Oradour dhe Jalta. Për më shumë se një shekull, të tre ishin shtëpitë e spa-ve që kujdeseshin për turistët.

Pas rënies së regjimit komunist në Republikën Çeke, shtëpitë u privatizuan dhe njëra prej tyre, Jalta, u bë diskoja më e famshme e qytetit.

Në vitin 2013, Panorama VVM u nda, me Mammadov duke mbajtur dy nga shtëpitë dhe Abu Taha mbajti shtëpinë e tretë. Vlera e pronave  të Mammadov vlerësohet në rreth 2 milion dollarë.

Kohët e fundit, të tri shtëpitë janë rindërtuar. Ata mbeten të lira, përveç dyqaneve të vogla në katin e parë.

Urbancova thotë se rindërtimi duket se nuk ka përfunduar. “Kompania e ndërtimit kurrë nuk kërkoi miratimin e ndërtimit përfundimtar, kështu që unë mendoj se rindërtimi është ende në vazhdim”.

Kompanitë e Vëllezërve Nagiyev

Të dy kompanitë AME Holding dhe Nettle Stone Investment kanë të njëjtën adresë me Ilgar Nagiyev, që në fakt është e njëjta adresë ku Ali Nagiyev është i regjistruar për të votuar në Baku.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Ilham Nagiyev ishte anëtar i bordit të Jankovcova 18, një kompani pronash. Vëllai i tij Ilgar ka qenë anëtar i bordit që prej vitit 2013. Kompania vlerësohet 2.4 milion dollarë.

Jankovcova 18 u themelua nga një grup investitorësh italianë me emrin Amore per Sempre (Love Forever). Ky projekt i zhvillimit të pasurive të paluajtshme është i bazuar në Holešovice, një pjesë modern e qytetit të Pragës. Kompania bleu prona fillimisht duke synuar kthimin e hapësirës industriale në hotele dhe zyra.

Sipas punëtorëve të intervistuar, plani që atëherë është zhvendosur: tani zhvilluesit po planifikojnë të ndërtojnë apartamente, garazhe nëntokësore dhe një restorant.

Ilgar Nagiyev është gjithashtu një drejtor i FQA Çeki, një kompani tjetër me aksionerë të huaj e vendosur në Republikën Çeke që nga marsi i vitit 2013. Kapitali i kompanisë është mbi 500 mijë dollarë.

Ilham Nagiyev u zgjodh zëvendëskryetar i rrjetit të biznesmenëve të rinj Azerbajxhan në vitin 2012.

Perandoria e Familjes Nagiyev në Baku

Ilgar Nagiyev është i lidhur me një kompani në Baku të quajtur Romb LLC, e cila është themeluar në vitin 2008. Ai aktualisht është drejtor i kompanisë. Themeluesi dhe drejtori i kompanisë në kohën e themelimit ishte Orkhan Nagiyev, sipas të dhënave të Azerbajxhanit që nuk janë më në dispozicion. Informacioni është fshehur që nga viti 2012, kur Parlamenti i Azerbajxhanit miratoi një ligj që e bën pronësinë e kompanisë sekret tregtar.

Marrëdhënia e saktë e Orkhan Nagiyev me familjen Nagiyev është e paqartë, por ai është i lidhur me to në një numër të përpjekjeve të biznesit.

Orkhan Nagiyev është drejtor dhe pronar i së paku katër kompanive të tjera të përfshira në të njëjtën adresë.

Orkhan Nagiyev gjithashtu menaxhon organizata të tjera të Baku që lidhen me familjen Nagiyev.

Një shtëpi për shumë interesa familjare

Një ndërtesë 17-katëshe në Rrethin Narimanov të Bakut ka një shenjë të madhe në krye që thotë “Qendra e Jetës”. Ndërtesa shërben si një adresë ligjore për shumë anëtarë të familjes Nagiyev dhe kompanitë e tyre.

Aty përfshihen kompanitë që i dhanë shtetit kontrollin e trafikut të internetit, mbikëqyrjen dhe pajisjet e komunikimit, kur Ali Nagiyev ishte zëvendësministër i sigurisë kombëtare.

Ndërtesa e njëjtë përdoret edhe nga bizneset në pronësi të vëllait të Aliut, Vali Nagiyev, i cili në vitin 2015 u emërua zëvendës shefi i Shërbimit Shtetëror të Migracionit, por nuk i dha fund aktiviteteve të tij të biznesit siç kërkohet nga Ligji për Shërbimin Shtetëror. Kompanitë e tij kanë investime shumë-milion dollarësh në ndërtim dhe argëtim në Turqi, Çeki dhe Azerbajxhan.


Ky artikull u publikua në Platformën e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe u përkthye nga Exit.al



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz