Kosovë, mandatohet Haradinaj, formohet sot qeveria e re

Kosovë, mandatohet Haradinaj, formohet sot qeveria e re

Pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, pritet që gjatë ditës së sotme të prezantohet Qeveria e re e Kosovës.

Kryeministri i mandatuar për të formuar qeverinë Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit Veseli, në një konferencë për shtyp lajmëruan se tashmë nuk ka asnjë bllokadë institucionale:

“Nga dita e sotme nuk ka më bllokadë institucionale. Kemi një axhendë të gjatë përpara nesh, që lidhet me jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Nuk kemi kohë për të humbur, ndaj kam proceduar të Presidenti i Kosovës propozimin për të mandatuarin tonë.”

Që prej zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, ky është mandati i parë që i jepet një prej kandidatëve për kryeministër të koalicioneve në garë.

Rezultati i zgjedhjeve bëri të pamundur që koalicionet parazgjedhore të formonin të vetme qeverinë. Pas dy muajsh negociata, koalicionit PDK-AAK-Nisma, që propozonte për kryeministër Ramush Haradinaj iu bashkua dhe partia e Behgjet Pacollit AKR, Lista Serbe dhe disa parti të vogla të komuniteteve joserbe.

Deri më tani dihet se Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 6 ministri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy ministri, Aleanca Kosova e Re (AKR) do të ketë 4 ministri, Nisma  dhe Lista serbe do të drejtojnë nga 3 ministri, ndërsa komunitetet joserbe do të kenë 2 ministri.

Zhbllokimin e krizës në Kosovë me votimin e kryetarit të kuvendit dhe nisjen e formimit të qeverisë e ka përshëndetur dhe Bashkimi Europian:

“Përshëndesim zgjedhjen e krytarit të Parlamentit që është hapi I parë drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të mbajtura në qershor. BE kërkon nga shumica parlamentare të formojë sa më shpejt qeverinë e re, në mënyrë që të punohet në reformat e domosdoshme, të cilat Kosovën do ta çojnë përpara në rrugën e saj drejt BE-së,” u shpreh zëdhënësja e KE, Maja Koçijançiç.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz