Mosfunksionimi i radaravë detarë dhe “policia moderne” e Ramës

Mosfunksionimi i radaravë detarë dhe “policia moderne” e Ramës
Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Durrës

Një ditë më parë u bë publik shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako për mosfunksionimin e radarëve të vëzhgimit në det, që ka shkaktuar mosndërhyrjen e policisë në dhjetëra operacione anti-kanabis.

Me anë të një shkrese drejtuar Ministrit të Drejtësisë më 31 gusht 2017, Drejtori Çako i refereohet veçanërisht një operacioni më datë 11 gusht, ku një gomone i shpëtoi policisë në ujërat e Zvërnecit.

“Mosdhënia e informacionit krijoi konfuzion dhe pati raste kur mjetet që merrnin pjesë në operacion filluan të ndiqnin njëra-tjetrën në hapësirën detare. Pas kapjes së gomones poshtë radarit të qendrës, rezultoi se nga sistemi nuk ishte konstatuar asnjë lëvizje.”

Sipas Çakos “në mjaft raste policia ka kërkuar kthimin mbrapa të sistemit për ngjarje me orare e data konkrete, […] po në asnjë rast në sistem nuk ishin evidentuar dhe nuk u gjetën gjurmë, megjithëse mjetet lundruese të kapura nga Guardia di Finanza në Itali kanë qenë me përmasa që duhet të ishin zbuluar, identifikuar nga ky sistem.”

Menjërherë pas bërjes publike të shkresës se Drejtorit Çako i është përgjigjur publikisht Ministria e Mbrojtjes, e cila përgënjeshtëroi pretendimet e Zotit Çako:

“Nëpërmjet kësaj deklarate të përbashkët informojmë publikun se sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës detare, një sistem ky i instaluar në vitin 2009 është plotësisht funksional.

Çdo pretendim tjetër është i pavlerë, i pavërtetë dhe dashakeqës.”

Ministria nuk sqaron në asnjë moment nëse hetoi rastet e përmendura nga Zoti Çako apo se kur ka qenë hera e fundit e inspektimit të sistemit të radarëve.

Nëse të dyja prentedimet, si ai i drejtorit të policisë ashtu dhe ai i Ministrisë së Mbrojtjes, janë të vërteta, lind dyshimi se në sistemin e vëzhgimit të hapësirës detare mund të ketë pasur ndërhyrje të qëllimshme. Rasti i ditëve të fundit dëshmon për mungesë bashkëpunimi mes institucioneve.

Modernizimi i policisë nën Qeverinë Rama

Kryeministri Rama, që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, ka folur shpesh herë për modernizimin e Policisë së Shtetit, duke i quajtur investimet në polici si “instrumentet themelore për transformimin rrënjësor dhe pa kthim të Policisë së shtetit, nga një strukturë e çorganizuar dhe e çoroditur në një strukturë të ngjashme si pikat e ujit me strukturat e policive të shteteve të Bashkimit Evropian.”

Për këtë modernizim, Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes kanë organizuar shpesh herë show për të prezantuar motorrët e rinj të policisë, makinat elektrike të policisë, prezantimin (dy herë) të uniformave të reja moderne të policisë, apo dhe blerjen e avionëve ushtarakë.

Madje një vit më parë, përpjekja e Kryeministrit Rama për ta shndërruar qeverisjen në një spektakël të vazhdueshëm argëtues, shënoi një nivel të ri me organizimin e panairit të policisë.

Kudo në botë, qëllimi dhe motoja e policisë është t’u gjendet pranë njerëzve duke ju shërbyer dhe i mbrojtur, kudo ku ata janë dhe sa herë që kanë nevojë. Në një vend normal policia “shihet nga afër” në veprim, duke mbrojtur jetën, pronën, rendin publik.

Ndërkohë që në Shqipëri, institucionet që janë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë akuzojnë publikisht njëra-tjetrën për “deklarata dashakeqe”, nuk hetojnë asnjë denocim dhe kur këto të fundit kanë të bëjnë me një nga fenomenet më problematike të viteve të fundit si është trafiku i lëndëve narkotike.



Lini një koment

1 Koment për "Mosfunksionimi i radaravë detarë dhe “policia moderne” e Ramës"

avatar
trackback

[…] Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Durrës Mit Brief vom 31. August durch den hoechsten Polizei Direktor Haki Cako, wurden die Luegen der Verteidigungsministerin: Mimi […]

wpDiscuz