Si korruptohen politikanët europianë nga autokratët lindorë: “Lavanderia Azerbajxhanase”, 3 miliardë dollarëshe

Si korruptohen politikanët europianë nga autokratët lindorë: “Lavanderia Azerbajxhanase”, 3 miliardë dollarëshe

Një skemë e paligjshme financiare miliarda dollarëshe është përdorur nga elita e Azerbajxhanit për të blerë mbështetjen e politikanëve europianë dhe për të pastruar imazhin e korruptuar dhe autokratik të vendit.

Skema, tashmë e njohur si Lavanderia Azerbajxhanase, qarkulloi rreth 2,9 miliardë dollarë brenda dy vjetësh, nga viti 2012 deri sa u zbulua në vitin 2014.

Paratë u përdorën për të paguar lobistë, propagandistë dhe politikanë europianë për të siguruar mbështetjen e tyre për regjimin e Presidentit autokrat Azerbajxhanas Ilham Alijev, i cili qeveris vendin që nga viti 2003.

Një pjesë e madhe e parave është përdorur, gjithashtu, në favor të elitës azere për pastrimin apo qarkullimin e parave të tyre.

Skema duket se është krijuar nga vetë Presidenti Alijev, pasi si financuesit edhe përfituesit e skemës janë të lidhur me të dhe familjen e tij.

Familja e Presidentit Aliyev: bashkëshortja, djali, vajza dhe dhëndri

Skema e financimit

Skema është e thjeshtë: para nga Azerbajxhani u vendosën në kompani të regjistruara në Europë nga të cilat bëheshin pagesa në llogari të përfituesve europianë.

Burimi i saktë i parave nuk është i qartë, por një pjesë e madhe e tyre vinte nga kompani të regjistruara në Azerbajxhan, pronësia e të cilave nuk është e qartë për shkak të regjistrimit në parajsa fiskake të kompanive mëmë, ndërsa një pjesë e fondeve vinte direkt nga burime shtetërore. Disa nga kompanitë dërguese janë të lidhura me Presidentin Aliyev dhe familjen e tij.

Nga Azerbajxhani, paratë transferoheshin në katër kompani guackë, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar (dy në Skoci dhe dy në Angli), të cilat gjithashtu ishin në pronësi të kompanive offshore të regjistruara në parajsën fiskale Ishujt Virxhin. Kjo gjë bën të pamundur identifikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive në Angli dhe Skoci.

Me fondet e marra nga Azerbajxhani, këto kompani kryenin pastaj pagesa, përmes degës estoneze të bankës daneze Danske, për shpenzime në vende të ndryshme përfshi, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, etj.

Skema e “Lavanderisë Azerbajxhanse”

Qindra individë dhe biznese kanë marrë pagesa nga katër kompanitë guackë përmes Danske Bank. Mes tyre ka politikanë europianë, lobistë dhe individë të tjerë pjesë e elitës politike dhe ekonomike të Azerbajxhanit.

Përfituesit evropianë

Skema korruptive u përdor për të blerë heshtjen apo injorimin e politikës evropiane ndaj qeverisjes autokratike dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Azerbajxhan. Në periudhën kur funksionoi skema, Azerbajxhani arrestoi, burgosi dhe persekutoi politikisht mbi 90 gazetarë, veprimtarë të tjerë të të drejtave të njeriut dhe politikanë opozitarë, çfarë solli reagime në opinionin publik ndërkombëtar.

Për të kontrolluar reagimin e opinionit ndërkombëtar ndaj dhunës politike, regjimi i Azerbajxhanit duket se është përpjekur të përdorë skemën e mësipeërme për të blejë heshtjen e politkanëve europianë.

Ndërkohë, në vitin 2013 Presidenti Aliyev siguroi një mandat të tretë presidencial, duke fituar 85 për qind të votave në zgjedhje që në mënyrë të çuditshme Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i cilësoi të lira dhe të ndershme.

Ende nuk dihen të gjithë ata që kanë përfituar nga Lavanderia Azerbajxhanese, por tashmë janë identifikuar plotësisht tre politikanë, një gazetar që shkruante artikuj pozitivë për regjimin dhe një biznesmen evropian që organizonte aktivitete ekonomike pro regjimit.

Emri më i bujshëm në listë është Luca Volontè, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Volontè ka marrë më shumë se 2 milonë euro për të mbështetur regjimin e Presidentit Aljev. Në vitin 2013, ai qe një nga disa parlamentarët europianë që votoi kundër një rezolute që kritikonte Azerbajxhanin për shkeljen e të drejtave të njeriut. Aktualisht, Volontè po hetohet në Itali për korrupsion dhe pastrim parash.

Një tjetër politikan është Eduard Lintner, ish deputeti i shumicës qeverisëse në Bundestagun gjerman. Një fondacion i krijuar prej tij ka marrë mbi 800 mijë euro dhurime nga Azerbajxhani. Një pagesë në shumën rreth 61 mijë euro u bë menjëherë pas zgjedhjeve në Azerbajxhan, për të cilat Lintner ishte vëzhgues. Edhe pse zgjedhjet u kritikuan gjerësisht për parregullsi dhe manipulime, Lintner i lëvdoi ato duke i cilësuar si të denja për “standardin gjerman”.

Një tjetër rast i identifikuar është Kalin Mitrev, ish-konsulent dhe tani funksionar i Bankës Evropiane për Zhvillim e Rindërtim (EBRD).

Përfituesit azerbajxhanas

Skema ka shërbyer edhe si skemë e qarkullimit apo pastrimit të parave nga elita politike dhe biznesit të lidhur me regjimin, si dhe për sigurimin e mbështetjes publike nga figura publike azere. Direkt apo indirekt në këtë skemë janë përfshirë familje të rëndësishme politike të regjimit të Azerbajxhanit, politikanë, biznesmenë, diplomatë, intelektualë publikë azerë.

Ata janë paguar për blerje apo marrje me qira apartamentesh në perëndim, pagesa shkolle për fëmijët, udhëtime e pushimë luksoze, blerje makina, blerje mobiljesh luksoze, etj.

Mes emrave më të bujshëm përfitues janë zëvendës Kryeministri i parë azer Yaqub Eyyubov dhe vetë shefi i shërbimit anti-korrupsion të qeverisë Ali Nagiye.

Si u zbulua skema

Skema u zbulua në vitin 2014 nga Banka Danske, e cila pranoi se mekanizmat e kontrollit ndaj pastrimit të parave në degën e saj estoneze ishin të dobta. Sinjalet e para të alarmit filluan kur një kompani azerbajxhanase, Baktelekom MMC, bëri një pagesë të vetme prej 1,4 miliardë dollarë në fond. Kjo derdhje ngjalli dyshime mbi kompaninë, pas të cilave banka vuri re se kompania kryente disa herë në ditë transferta në shuma të mëdha.

Mbi këto dyshime, banka filloi një hetim të brendshëm, të dhënat e të cilit iu rrodhën gazetës daneze Berlingske. Kjo e fundit, në bashkëpunim me një rrjet gazetash europiane, kreu një hetim gazetaresk mbi skemën e financimit, gjetjet e të cilit sapo janë bërë publike dhe mbi të cilat është hartuar ky artikull.

Pasojat e para politike të skandalit

Skandali i sapo bërë publik ka filluar të tronditë politikën evropiane. Në qendër të vëmendjes është vënë sidomos Këshilli i Evropës, parlamentarët e të cilit dyshohet se janë paguar për të lejuar manipulimin e zgjedhjeve në Azerbajxhan. Institucionit kryesor të të drejtave të njeriut në Evropë po i kërkohet të fillojë hetimin e brendshëm mbi sjelljen e funksionarëve dhe politikanëve që kanë vepruar në kuadër të tij.

Politikanë evropianë kanë bërë thirrje, gjithashtu, për ndryshimin e menjëhershëm të kodit të sjelljes së Këshillit të Evropës.

Ndërkohë, Skocia ka filluar përpjekjet për ndryshimin e ligjeve për regjistrimin e kompanive, për të mos lejuar kompanitë guackë me pronësi në parajsat fiskale. Duke përfituar nga ligjet liberale lokale, vitet e fundit është shumëfishuar numri i kompanive guackë në Skoci, të cilat dyshohet se përdoren nga politikanë dhe biznesmenë të korruptuar lindorë për pastrim parash.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz