Me Edi Ramën integrimi europian ka vdekur—Shqipëria mund të mos bëhet kurrë anëtare e BE-së

Nga Ilmi Rehova,
Me Edi Ramën integrimi europian ka vdekur—Shqipëria mund të mos bëhet kurrë anëtare e BE-së

Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn bëri një deklaratë të rëndësishme për Shqipërinë, pak ditë më parë, në fund të takimit informal të kryeminsitrave të Ballkanit, por ajo nuk tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, e eklipsuar nga protaganizimi dhe propaganda e Kryeministrit Rama nën petkun e udhëheqësit të të gjithë Ballkanit.

Edhe njëherë nuk dua të përmend një datë fikse sepse varet edhe nga zgjuarsia politike, që do të thotë që të bësh hapin e duhur në momentin e duhur për të paraqitur një raport nga ana e Komisionit  e shteteve anëtare, i cili të pranohet nga shtetet anëtare në momentin e duhur. Pra, rëndësi ka të jemi cilësor dhe jo të shpejtë. Pra, prioritet merr cilësia dhe jo shpejtësia. Prandaj, dëshiroj dhe mirëkuptimin tuaj për të mos iu dhënë një datë fikse…

Duke u fshehur pas termit të pakuptimtë, madje qesharak, “cilësi” ajo që thotë Hahn është e qartë: Shqipëria nuk do të marrë së shpejti ftesë për fillimin e negociatave, pasi kjo gjë nuk pranohet nga disa shtete anëtare. Vendimi për hapjen e negociatave merret në mënyrë unanime nga Këshilli Europian (mbledhja e krerëve të qeverive të vendeve anëtare), në të cilin çdo shtet anëtar ka të drejtën e vetos.

Deklarata e Hahn dëshmon edhe diçka tjetër edhe më serioze: tashmë as Komisioni Europian nuk është i gatshëm t’i bëjë rekomandim pozitiv Këshillit për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ironia e këtij fakti është se thuajse dy vjet më parë, në dhjetor  2015, Komisioni ia rekomandoi Këshillit hapjen e negociatave. Kjo do të thotë se dy vitet e fundit situata në Shqipëri është përkeqësuar. Në fjalën e tij Hahn zbuloi edhe atë se çfarë është përkeqësuar: kultivimi dhe trafikimi i kanabisit dhe emigrimi i shqiptarëve, dy gangrenat kryesore të qeverisë Rama.

Ajo që Hahn nuk e thotë direkt, por që është e qartë, është se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ndalur plotësisht dhe nuk ka asnjë perspektivë për çeljen e negociatave në periudhën afatshkurtër.

Duke qenë se Serbia dhe Mali i Zi po përparojnë me negocimin e anëtarësisë dhe pritet që të bëhen anëtarë të BE-së brenda 3-4 viteve të ardhshme, shanset për Shqipërinë duken të largëta.

Për këtë arsye dy vitet e fundit i gjithë aktiviteti politik i BE-së ndaj Shqipërisë orientohet dhe përqëndrohet drejt përfshrijes së saj në “integrimin” rajonal dhe jo atë europian. Për momentin, Ballkani dhe jo BE janë perspektiva që Brukseli i rezervon Shqipërisë.

Ndalja e procesit të integrimit u rikonfirmua edhe nga Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, para dy ditësh, menjëherë pas kthimit të saj nga mbledhja vjetore e ambasadorëve të BE-së me shefen e tyre, Komisioneren e Jashtme Mogherini.

Në një fjalim të parapërgatitur në fillimin e Shkollës Verore Europiane në Tiranë ajo u shpreh:

Mendoj se është e qartë për të gjithë se çfarë lipset që të ndodhë për sa i përket pesë prioriteteve kyçe, por ne veçanti në lidhje me të gjitha aspektet e sundimit të ligjit e në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë këtu asgjësimin e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit.

Në asnjë deklaratë të mëparshme, Vlahutin nuk e ka përmendur ndonjëherë kanabisin në çfarëdo konteksti e aq më pak si kusht për çeljen e negociatave. Përmëndja e kanabisit, majde me cilësorin “veçanërisht”, pra si prioritet kryesor është një ndryshim rrënjësor i qëndrimit të saj.

Duke njohur afërsinë e saj të madhe me Kryeministrin Rama mund të hamendësohet se Vlahutin ka qenë e detyruar nga shefat e saj ta ngrejë çështjen e kanabisit, që do të thotë se tashmë kanabisi është çështje kritike për nivelet më të larta politike të BE-së dhe vendeve anëtare.

Pa kaluar as 24 orë nga deklarata e Vlahutin, ishte Ministri i Jashtëm Bushati që gjithashtu konfirmoi perspektivën e zymtë të integrimit europian të Shqipërisë, natyrisht në mënyrë indirekte, por të qartë.

Në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor të mirëpritur prej tij në Tiranë, Bushati nënvizoi se një nga rreziqet që i kanoset vendeve të Ballkanit Perëndimor është se zgjerimi i BE-së mund të ndalojë së qeni prioritet i të gjitha vendeve anëtare.

Në fakt nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare, Serbia dhe Mali i Zi janë në mes të negociatave të anëtarësimit dhe pritet të anëtarësohen në 3-4 vjetët e ardhshëm. Kjo do të thotë se rreziku që ka ndjerë Bushati i referohet vetëm Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës (Maqedonia është peng i kundërshtimit të Greqisë për emrin e saj).

Në fakt, ndonëse indirekt Bushati ka pohuar se disa vende të BE-së i kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë për shkak të kriminalitetit shqiptar, të lidhur kryesisht me drogën—tashmë në të gjitha raportet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare konfirmohet se Shqipëria është vendi kryesor europian i prodhimit dhe trafikut të marijuanë dhe korridor kryesor i kalimit të heroinës aziatike dhe më pak kokainës drejt Europës perendimore.

Por situata ndaj Shqipërisë eshtë edhe më serioze se kaq ndalimi i procesit të integrimit. Tani, sikurse u bë e ditur disa ditë më parë, ka vende si Hollanda që po kërkojnë kthimin mbrapsht të disa proceseve integruese me Shqipërinë, përfshi ndalimin e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, duke rifutur regjimin e vizave për shqiptarët.

Përballë kësaj situate serioze duket se Kryeministri Rama—përgjegjësi kryesor për gjendjen e kanabisit dhe të emigrimit—është i pavetëdijshëm, i paditur dhe arrogant. Në të njejtin takim ku Hahn konfirmoi ndalimin e integrimit europian të vendit, Kryeministri Rama peytjes rreth shqetësimeve të Hollandës per krimin shqiptar iu përgjigj:

…[N]uk bëhet fjalë që ne të pranojmë që të identifikohemi për propagandë si problem kriminal, apo ku ta di unë se çfarë. Kriminelët nuk kanë atdhe. Janë njerëz që bëjnë krime dhe të shkojnë të paguajnë sipas vendeve. Ne kemi për borxh të merremi me kriminelët në Shqipëri dhe nuk i ndajmë, a janë italian,  a janë shqiptar, a janë grekë, a janë brazilianë. Ata të merren me kriminelët në vendet e tyre dhe mos të na shqetësojnë me këto ndarje, sepse këto ndarje për ne janë pa lidhje me Europën ku jetojmë.

Ajo që qeveritë europiane dinë mirë dhe Kryeministri shqiptar nuk do ta praonojë është se krimi shqiptar në Europë ka marrë hov së fundmi për shkak të përfshirjes në kultivimin dhe trafikun e kanabisit në Shqipëri, të ardhurat nga e cila kanë krijuar një burim të jashtëzakonshëm ëpr krimin shqiptar dhe ndërkombëtar.

Kryeministri shqiptar shpërfill realitetin e provuar të mungesës së efikasistetit të luftës së qeverisë së tij ndaj këtij trafiku dhe, madje, dyshimet e besueshme për lidhje të policisë dhe drejtuesve të qeverisë me këto trafiqe.

Përballë këtyre dy fakteve, retorika fiolozofike e kryeministrit shqiptar duket jo vetëm boshe por shenjë e mungesës së vullnetit nga ana e tij për të luftuar drogën dhe krimin, duke i bërë vendet europiane pesimiste për perspektivën e Shqipërisë.

Po aq të përgjegjshme ishte deklarata e Kryeministrit Rama edhe për problemin e emigrimit të shqiptarëve, një tjetër shqetësim madhor për disa vende europiane:

…[K]ërkimi i një jete më të mirë dhe një pune jashtë vendit është gjeja më normale në botë. Ndodh në çdo vend, do të vazhdojë të ndodhi. E për ne problemi është se nuk jemi pjesë e tregut të lirë, të forcave të punës. Nuk ka shënim asgjëkund në ndonjë vend kur lëvizin polakët, kur lëvizin cekët, kur lëvizin hungarezët, me miliona e miliona dhe shkojnë për të punuar në vendet e  Bashkimit Europian, apo në vendet e Perëndimit. Apo ku lëvizin me qindra e mijëra nga një vend si jugu i Italisë drejt Gjermanisë, apo nga një vend si Portugalia drejt Britanisë. Nuk mban njeri shënim sepse janë forca pune që lëvizin.

Deklaratë tregon padije mbi BE-në—lëvizja e polakëve dhe e portugezëve në vende të tjera të BE-së është lëvizje e lirë dhe e drejtë themelore e qytetarëve të BE0-së, kurse ajo e shqiptarëve është lëvizje e paligjshme emigratore—por dëshmon edhe mungesë ndjeshmërie të Kryeministrit ndaj shqetësimeve legjitime të qyetarëve dhe politikanëve europaine.

Lajmi më i keq për Shqipërinë është se qendrimet e tij dëshmojnë mungesë të kuptimit të shtetit ligjor nga Kryeministri dhe paaftësinë e tij për ta drejtuar vendin në rrugën e integrimit europian.

Me shumë gjasa, me Edi Ramën procesi i integrimit europian është i vdekur dhe rrezikon që të mos ngjallet më edhe pas tij për shkak të mbingopjes europiane me problemet e vazhdueshme të shkaktuara nga Shqipëria.



Lini një koment

1 Koment për "Me Edi Ramën integrimi europian ka vdekur—Shqipëria mund të mos bëhet kurrë anëtare e BE-së"

avatar
trackback

[…] verteta është që Shqipëria ka ngelur pas në procesin e anëtarësimit në BE. Tashmë nga deklaratat e anëtarëve të BE-së është e […]

wpDiscuz